Këshilli Gjyqësor e Prokurorial ia bëjnë ‘bllok’ ndryshimeve kushtetuese për Vetingun - NACIONALE

Këshilli Gjyqësor e Prokurorial ia bëjnë ‘bllok’ ndryshimeve kushtetuese për Vetingun

1 vit më parë

nga Besian Beha

Dy ditë, në dy reagime të ndara. Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ai Prokurorial, kanë refuzuar kategorikisht inciativën e Ministrisë së Drejtësisë që Vetingu të bëhet me ndryshime kushtetuese. Si rezultat, KGJK dhe KPK kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në asnjë grup punues për këtë qëllim.

Reagimi i fundit është ai i sotmi nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Në një komunikatë që gati arrin 1 mijë fjalë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka vlerësuar se veprimet e çakorduara nga Ministria e Drejtësisë, do ta bllokojnë punën në sistemin prokurorial.

“Në vend të një iniciative që rrezikon mbarëvarshmërinë e punës së sistemit prokurorial dhe zhvlerëson tërë punën dhe investimin e bërë në forcimin e sistemit prokurorial, Këshilli Prokurorial i Kosovës fton Ministrinë e Drejtësisë për intensifikim të dinamikës së punës së përbashkët për avancimin e reformave të nisura, dhe bashkë me këtë, të konceptohen nisma të reja me një qëllim të përbashkët – konsolidimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit, promovimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve të vendit”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Këshilli Prokurorial ka thënë se e përkrahin secilin qëndrim të Komisionit të Venecias, në mënyrë që Vetingu të bëhet me nisma ligjore e mekanizmat e brendshëm të verifikimit. Por, ndryshimet kushtetuese i kanë vlerësuar si nismë që synon ndëhyrjen në punën e prokurorisë.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, pavarësisht një pune dhe dinamike intensive të ndërmarrë në përmirësimin e përgjithshëm të performancës së sistemit prokurorial, mbetet i përkushtuar të avancojë reformat tashmë të nisura në përmirësimin e procedurave rekrutuese për prokurorë, bashkëpunëtorë profesionalë dhe personel mbështetës, rritjen e efikasitetit në menaxhimin dhe administrimin e prokurorive, zgjerimin e përdorimit të sistemeve elektronike dhe të teknologjisë së informacionit në procedura dhe intensifikim të digjitalizimit të sistemit prokurorial, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në punë, si dhe përforcimin e sistemit të disiplinës”, thuhet në reagim.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, nuk mbështet dhe nuk do të marrë pjesë në grupet punuese për cilëndo iniciativë për ndryshime Kushtetuese që ka për qëllim themelimin e mekanizmave jashtë sistemit prokurorial për verifikim dhe kontrolle të integritetit, pasi që kjo mund të sigurohet brenda një kohe të arsyeshme me anë të mekanizmave të brendshme të KPK-së, të cilët duhet të jenë përhershëm”, bëhet e ditur më tutje.

Sipas KPK-së, ata do të jenë të gatshëm t’iu përgjigjen reformave që kanë për synim ndryshimet pozitive në sistem.

“KPK, ashtu siç është theksuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, konsideron se mund të ndërmerren masa, veprime dhe reforma të cilat në mënyrë komulative do ta arrijnë qëllimin për një sistem prokurorial më efektiv, llogaridhënës dhe transparent pa e cenuar pavarësinë e institucionit. KPK-ja, dëshiron ta vë theksin në Opinionin e Komisionit të Venecias që potencon rrezikun e cenimit të pavarësisë së gjyqësorit, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare, në rast të ndryshimeve Kushtetuese për administrim të procesit të “Vettingut” në sistemin gjyqësor”, theksohet në komunikatën e Këshillit Prokurorial.

Përfaqësues të Këshillit Prokurorial të Kosovs, që nga fillimi kanë qenë kundër Vetingut. Madje kjo, shpesh ka çuar në përplasje të ashpra me Ministrinë e Drejtësisë.

Qëndrimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

E një ditë më parë, saktësisht 24 orë para reagimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, një komunikatë për media e kishte lëshuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Edhe ata, kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në asnjë grup punues, që ka për qëllim Vetingun me ndryshime kushtetuese.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk mbështet, dhe nuk do të merr pjesë në grupet punuese për cilëndo iniciativë për ndryshime Kushtetuese që ka për qëllim themelimin e mekanizmave jashtë gjyqësorit për verifikim dhe kontrolle të integritetit, pasi që kjo mund të sigurohet brenda një kohe të arsyeshme me anë të mekanizmave të brendshme të Këshillit të KGJK-së të cilët duhet të jenë përhershëm”, thuhet në reagimin e djeshëm të KGJK-së.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës riafirmon qëndrimin dhe qasjen, e cila me këtë Opinion të Komisionit të Venecias veç sa është përforcuar, se adresimi i sfidave në sistemin gjyqësor si dhe përmirësimi i vazhdueshëm i performancës së gjyqësorit, duhet të bëhet me anë të nismave ligjore dhe politikave zhvillimore të koordinuara mirë për t’i fuqizuar edhe më tej mekanizmat e brendshme të verifikimit, llogaridhënies, performancës dhe transparencës. Nismat e panevojshme, të pakoordinuara, me një racionalizim jo të mirëfilltë, të cilat mëtojnë ndërhyrje invazive në punën dhe pavarësinë e gjyqësorit nuk do të mbështeten nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, bëhet e ditur në komunikatën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Pavarësisht kundërshtimit të Vetingut me ndryshime kushtetuese, gjakrat ndërmjet Këshillit Gjyqësor e Ministrisë së Drejtësisë, kanë qenë pak më të ftohta se në raport me Këshillin Prokurorial.

Komisioni i Venecias dhe Vetingu

21 faqe është i gjatë rekomandimi i Komisionit të Venecias për një nga reformat më të thella në sistemin e drejtësisë në Kosovë, Vetingun. Venecia në parim e përkrahë një reformë të tillë të Vetingut të sistemit të drejtësisë, por që thekson se një gjë e tillë duhet të synohet fillimisht me ndryshime ligjore. Me ndryshime kushtetuese, Vencia thotë se mund të bëhet vetingu për anëtarët e Këshillit Gjyqësor e Prokurorial, Kryeprokurorët e Prokurorive, e kryetarët e gjykatave. Nacionale sjell detaje nga rekomandimi i plotë i Komisionit të Venecias.

Pesë opsione kishte dhënë Ministria e Drejtësisë për ta realizuar reformën e Vetingut në sistemin e drejtësisë. Për secilin prej tyre e ka dhënë nga një opinion Komisioni i Venecias. Në parim Venecia jep propozim pro Vetingut, por që sipas tyre e gjithë reforma duhet të bëhet me një bashkëpunim të thellë ndërmjet Ministrisë, Këshillit Gjyqësor e Prokurorial e organizatave joqeveritare.

“Komisioni i Venecias vlerëson se një reformë e sistemit të drejtësisë është me të vërtetë e nevojshme, por gjithashtu beson se një pjesë e madhe e kësaj reforme mund të miratohet me ligjet aktuale. Një verifikim ose kontroll i integritetit mund të kufizohet vetëm tek anëtarët e Këshillit Gjyqësor e Këshillit Prokurorial, të cilët ushtrojnë pushtet disiplinor ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. Prandaj çdo amendament kushtetues, duhet të synojë ndërhyrje minimale në kompetencat e KGJK-së dhe KPK-së për arritjen e reformës në drejtësi”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Kur jep opinionin për amendamentet kushtetuese, Komisioni i Venecias kërkon që të përjashtohet secila mundësi politike.

“Autoriteti për vlerësim kalimtar do të miratohej me 2/3 në Kuvendin e Kosovës. Shumica për kalimin e këtyre ndryshimeve, është pozitive. Vlerësimi kalimtar do ta mbulonte performancën, pasurinë dhe integritetin. Komisioni i Venecias rekomandon kufizimin e një vlerësimi kalimtar për anëtarët e KGJK-së, KPK-së, kryetarët e gjykatave dhe Kryeprokurorët. Ky vlerësim duhet të mbulojë integritetin, pasurinë, por nuk mbulon performancën. Për më tepër kjo nuk është relevante për këshilat. Lidhur me krijimin e autoritetit për vlerësimin kalimtar, zgjedhja e anëtarëve me shumicë të thjeshtë krijon rrezik politizimi”, thuhet më tutje në opinionin e Komisionit të Venecias.

Edhe në pjesën e fundit të konkluzave, Komisioni i Venecias thotë se me ndryshime kushtetuese, mund t’iu bëhet vetting këshillave, kryetarëve të gjykatave e kryeprokurorëve.

“Komisioni i Venecias rekomandon futjen e ndryshimeve legjislative që do të bëjnë përmirësimin e sistemit aktual të disiplinës gjyqësore, si një zgjerim i opisonit 2. Kjo ka të bëjë veçanërisht me forcimin e sistemit të deklarimit të pasurisë dhe forcimin e njësive të vetingut në kuadër të KGJK dhe KPK. Ndryshimet kushtetuese duhet të konsiderohen vetëm për kontrollet e integritetit të anëtarëve të KGJK dhe KPK-së, kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve. Komisioni i Venceias nuk është në gjendje ta vlerësojë sa janë të përhrpura problemet gjyqësore. Në çdo rast, është e nevojshme të dallohen rastet e paaftësisë profesionale, dhe rastet e qëllimshme keqdashëse”, thuhet në njërin prej përfundimeve të Komisionit të Venecias.

Lajme të ngjashme