Vetingu pa gjyqësorin e prokurorinë? Përplasjet me pushtetin arrijnë kulmin - NACIONALE

Vetingu pa gjyqësorin e prokurorinë? Përplasjet me pushtetin arrijnë kulmin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministrja mbledh grupin punues për Vetting – Mungojnë gjyqësori e prokuroria

Vettingu po bëhet për ta. Megjithatë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e Këshilli Prokurorial, nuk janë aspak të kënaqur me punën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sa i përket koncept-dokumentit për vettingun.

Në takimin e thirrur nga Haxhiu, morën pjesë anëtarë të grupit punues e pjesëtarë të shoqërisë civile. Por ata të cilët pritet të preken drejtpërdrejt nga kjo reformë në sistem, nuk erdhën.

Kjo duket se nuk i pëlqeu fare ministres. Në takimin e mbajtur të hënën, ajo shprehu keqardhje për mosprezencën e tyre:

Të gjithë ne nuk do të mund t’i arrinim rezultatet pa një bashkëpunim të mirë. Ne jemi të interesuar të bashkëpunojmë me institucionet e drejtësisë dhe më vjen keq që nuk janë të pranishëm përfaqësuesit nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial”, ka thënë Haxhiu.

“Keqardhja” nuk e ndaloi Haxhiun ta vazhdojë punën me pjesën tjetër që e pranun ftesën për këtë diskutim.

Ajo pas takimit u shpreh e kënaqur me diksutimet, e u zotua se do t’i ketë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Bëmë një prezantim në raport me rekomandimet që ka dhënë komisioni i Venecias. Prezantimi ishte diskutim edhe me shoqërinë civile dhe e vlerësojmë shumë, sepse ishte konsensus të respektohen rekomandimet e komisionit dhe njoftuam se do ta mbajmë një punëtori. Ne kemi një draft të ndryshimeve Kushtetuese dhe pas përmbylljes ne do t’ia procedojmë qeverisë e me votim të qeverisë edhe Kuvendit.”

Këtë situatë “përçarëse” po e sheh me shqetësim edhe Drejtori i Institutit të Drejtësisë Kosovare, Ehat Miftari. Ai i ka thënë Gazetës Nacionale se në opinionet e Venecias është thënë qartë, se ky proces duhet patjeter të koordinohet ndërmjet ministrisë, këshillit gjyqësor, atij prokurorial e shoqërisë civile.

Opinioni i Komisionit të Venecias ka vlerësuar dhe pasqyruar në mënyrë profesionale dhe analitike opsionet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë lidhur me procesin e Vetting-ut. Në këtë drejtim, si KGJK, KPK, por edhe partitë politike në pushtet, dhe ato në opozitë, këtë opinion duhet trajtuar me seriozitetin më të lartë, duke u siguruar që i njëjti të zbatohet ne praktikë. Sikurse, partia në pushtet duhet të dëshmojë respekt ndaj institucioneve të drejtësisë, si KGJK dhe KPK, duke ndërtuar ura të bashkëpunimit, dialogut të bazuar në mirëbesim reciprok”, ka thënë Miftaraj.

Përplasja VV – KGJK E KPK

Dimal Basha, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, e nisi edhe një përplasje tjetër, ndërmjet partisë në pushtet e Këshillit Gjyqësor e atij Prokurorial të Kosovës.

“Ne mundemi me ba vettingun për hajna, por për t’shitun, tutsa e bërlloga s’di çka ban njeri! Ky vend NUK ka mu ba kurrë pa pasë drejtësi. E për dallim që ka pasë zgjedhje dhe qytetarët kanë arritë me ndryshu Qeverinë, Kuvendin dhe Presidenten, organet e drejtësisë ende mbeten të njëjtat! Pra LLOM!”, kishte shkruar Basha në Facebook, pas rekomandimeve të Venecias.

E skepticizmin e këshillave për vettingun duket se e nervozoi shumë Bashën. Për të disa gjyqtarë e prokurorë nuk përbëjnë asnjë dallim nga ata të ish-regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

“Për mu ata prokurorë e gjyqtarë që qëllimisht punojnë për interesa të individëve dhe sjellin vendime në dëm të vendit, ama bash hiç nuk dallojnë prej prokurorëve e gjykatësve të Millosheviqit. Bile më keq, se ata i kem njoftë për armiq, a këta veq fshihen nën gzofin e kingjave, dhe për më tepër, paguhen nga taksat e qytetarëve derisa punojnë kundër interesave të tyre”, kishte shkruar deputeti Basha.

Këto deklarime të Bashës, siç duket e mbushën kupën për KPK-në e KGJK-në. Ata ndonëse nuk njihen se reagojnë ndaj deklaratave të politikanëve, kësaj here së bashku lëshuan deklaratë të përbashkët, duke e cilësuar të papranueshme gjuhën e përdorur nga deputeti.

“GJK dhe KPK, shprehin pakënaqësi dhe konsiderojnë se deklarata e deputetit Basha është e papranueshme dhe ka për qëllim cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në përgjithësi. Një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të jetë shembull i respektimit të organeve zbatuese të ligjit dhe të përmbahet nga deklarimet e tilla që janë në kundërshtim me rendin dhe parimet kushtetuese e ligjore”, thuhet në reagimin e tyre.

Për këtë përplasje Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se i takon partisë në pushtet ta relaksojë mardhënien mes tyre, e t'ia tërheqin vërejtjen deputetit nga radhët e tyre.

Komisioni i Venecias në opinion e ka përcaktuar se është e rëndësisë jetike që procesi i Vetting-ut të bëhët në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse si KGJK dhe KPK, përfshirë shoqërinë civile. Andaj, edhe roli i tyre në këtë proces është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Është detyrë e partisë në pushtet që të ndalojë deputetët ose politikanët nga radhët e saj që me prononcime publike të ngrisin akuza dhe ofendime ndaj sistemit gjyqësor dhe prokurorial, pasi një qasje e tillë është e papranueshme dhe e patolerueshme në një shoqëri demokratike që synon sundimin e ligjit”, tërheq vërejtjen Miftaraj.

Opinioni i fundit i Venecias për Vettingun

21 faqe është i gjatë rekomandimi i Komisionit të Venecias për një nga reformat më të thella në sistemin e drejtësisë në Kosovë, Vettingun. Venecia në parim e përkrah një reformë të tillë të Vettingut të sistemit të drejtësisë, por që thekson se një gjë e tillë duhet të synohet fillimisht me ndryshime ligjore. Me ndryshime kushtetuese, Vencia thotë se mund të bëhet vettingu për anëtarët e Këshillit Gjyqësor e Prokurorial, Kryeprokurorët e Prokurorive, e kryetarët e gjykatave. Nacionale sjell detaje nga rekomandimi i plotë i Komisionit të Venecias.

Pesë opsione kishte dhënë Ministria e Drejtësisë për ta realizuar reformën e Vettingut në sistemin e drejtësisë. Për secilin prej tyre e ka dhënë nga një opinion Komisioni i Venecias. Në parim Venecia jep propozim pro Vettingut, por që sipas tyre e gjithë reforma duhet të bëhet me një bashkëpunim të thellë ndërmjet Ministrisë, Këshillit Gjyqësor e Prokurorial e organizatave joqeveritare.

Kur jep opinionin për amendamentet kushtetuese, Komisioni i Venecias kërkon që të përjashtohet secila mundësi politike.

Lajme të ngjashme