Lista Serbe drejt bllokimit të Vettingut – bojkotoi takimin me Kurtin - NACIONALE

Lista Serbe drejt bllokimit të Vettingut – bojkotoi takimin me Kurtin

1 vit më parë

nga Besian Beha

Pavarësisht dritës jeshile nga Komisioni i Venecias në përgjethsi, realizimi i reformës më të madhe në sistemin e drejtësisë, Vetingut, me ndryshime kushtetuese, mund të vështirësohet. Kjo pasi Lista Serbe ende nuk ka dhënë një qëndrim nëse do të votojë ndryshimet kushtetuese. Pa votën e 2/3 të minoriteteve, që nënkupton edhe votat nga Lista Serbe, Vetingu nuk mund të bëhet me ndryshime të Kushtetutës. Nacionale sjell detaje.

Ftesës së kryeministrit Albin Kurti e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për takime në lidhje me procesin e Vetingut nuk iu përgjigjën të gjithë. Ata që po duket se do të shkaktojnë më së shumti probleme në lidhje me ndryshimet kushtetuese për Vetingun, janë Lista Serbe.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Ministria e Drejtësisë e ka konfirmuar se Lista Serbe nuk i është përgjigjur ftesës për takim në lidhje me reformën më të madhe në sistemin e drejtësisë.

“Sa i përket pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se në vazhdën e takimeve me Grupet Parlamentare dhe subjektet politike nga Kryeministri z. Albin Kurti dhe pastaj nga Kryetari i Kuvendit z. Glauk Konjufca, ka pasur ftesë për takime me të gjitha Grupet përfshirë Listën Serbe”

“Të gjitha grupet parlamentare dhe subjektet politike të ftuara i janë përgjigjur pozitivisht ftesës dhe kanë marrë pjesë në takime, përveç Listës Serbe, të cilat dikutime kanë qenë mjaft të dobishme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria ka sqaruar se këto takime janë zhvilluar, me qëllim të arritjes së konsensusit për Vetingun, pas rakomandimeve nga Komisioni i Venecias.

Pavarësisht refuzimit nga Lista Serbe, MD-ja është zotuar se do të bashkëpunojë me të gjithë akterët vendor dhe ndërkombëtarë.

“Tashmë pas pranimit të Opinionit final, procesi i Vetingut bartë afate të reja dhe do të vazhdojë të trajtohet tutje me prioritet, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, në bashkëpunim më të gjithë akteret relevant të drejtësisë dhe ata politik, si dhe në bashkëpunim me partneret strategjik ndërkombëtar”, përfundon përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë për gazetën Nacionale.

Lista Serbe që nga ideja e kësaj reforme, asnjëherë nuk ka shfaqur publikisht ndonjë qëndrim rreth kësaj teme. Megjithatë, Nacionale nga burimet e veta ka mësuar se Lista Serbe ka qëndrim kundër një procesi të tillë. Kjo, për shkak të numrit të gjyqtarëve e prokurorëve në veri, të cilët nuk do të pranonin t’i nënshtroheshin një procesi të verifikimit të performancës, profesionalizmit e pasurisë.

Nacionale ka tentuar të kontaktojë me Goran Rakiq e Igor Simiq, dy figura kryesore të Listës Serbe, megjithatë ata nuk kanë kthyer përgjigje në interesimin e gazetës.

Për gjyqtarët e prokurorët serbë dhe sigurimin e 2/3 në Kuvend, kishte rekomanduar edhe Komisioni i Venecias në opinionin për realizimin e kësaj reforme në Kosovë.

Sa i përket sigurimit të shumicës prej 2/3 në Kuvend, Komisioni i Venecias kishte thënë se do të duhej të kihet kujdes tek gjyqtarët serbë, pasi një ndërhyrje e mundshme, do të mund ta prekte edhe marrëveshjen e Brukselit.

Qëndrimet e opozitës

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kishin pranuar ftesat për takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, rreth Vetingut në drejtësi. Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte vlerësuar se qëndrimin e saj do të jap në Kuvendin e Kosovës.

Të gjitha partitë në opozitë, në parim ishin shprehur pro kësaj reforme edhe me ndryshime kushtetuese. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në një intervistë për Nacionalen ditë më parë, kishte thënë se amendamentet kushtetuese janë mënyra e duhur për ta bërë vetingun.

“E vetmja mundësi për ta bërë vetingun është miratimi i amendamenteve kushtetuese. Por, për të ndodhur kjo, ne duhet të kemi një dakordim nacional, duhet të kemi një konsensus politik të grupeve parlamentare. Pra, nëse kërkohet një pajtueshmëri kaq e gjerë politike, duhet të iniciohet dhe zhvillohet përmes Kuvendit të Kosovës”, kishte thënë Krasniqi.

Megjithatë, situata kishte ndryshuar pasi pushteti e miratoi në lexim të parë Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte thënë në seancë se nëse miratohet Byroja në këtë formë, ata do ta rishqyrtojnë qëndrimin për veting.

“Mund t’i ndash këto dy ligje por atëherë do të veprosh vetë dhe pa mbështetjen e të tjerëve. Rendi e do që të kemi konsultime. Në këtë drejtim keni kërkuar gjithpërfshirje. Nëse kryeministri e vendos në votim, vazhdoni ju. Qëndrimin mbështetës e kemi dhënë. Por që reforma në drejtësi të mos e prek Kushtetutën e Kosovës. Jam vullnetar pë verifikim të pasurisë. Nëse kryeministri vendos të shkojë pa konsultim, siç e dha urdhrin, vazhdoni rruga e mbarë iu qoftë”, kishte thënë Abdixhiku.

Qëndrim të njëjtë me LDK-në, pati edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Jeni tu hy në një proces ku po bëhet ndarje jo me fajin e opozitës. Jeni tu e shty një ligj që është antikushtetues. Dhe ka rekomandim të Venecias. Dje kemi folë për Vetingun, për mundësinë dhe nevojën për me ndodhë vetingu jopolitik po parimor. Nëse hyni në këtë drejtim, jeni pa ne”, tha Besnik Tahiri.

Rekomandimet e Komisionit të Venecias

Pesë opsione kishte dhënë Ministria e Drejtësisë për ta realizuar reformën e Vetingut në sistemin e drejtësisë. Për secilin prej tyre e ka dhënë nga një opinion Komisioni i Venecias. Në parim Venecia jep propozim pro Vetingut, por që sipas tyre e gjithë reforma duhet të bëhet me një bashkëpunim të thellë ndërmjet Ministrisë, Këshillit Gjyqësor e Prokurorial e organizatave joqeveritare.

“Komisioni i Venecias vlerëson se një reformë e sistemit të drejtësisë është me të vërtetë e nevojshme, por gjithashtu beson se një pjesë e madhe e kësaj reforme mund të miratohet me ligjet aktuale. Një verifikim ose kontroll i integritetit mund të kufizohet vetëm tek anëtarët e Këshillit Gjyqësor e Këshillit Prokurorial, të cilët ushtrojnë pushtet disiplinor ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. Prandaj çdo amendament kushtetues, duhet të synojë ndërhyrje minimale në kompetencat e KGJK-së dhe KPK-së për arritjen e reformës në drejtësi”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Kur jep opinionin për amendamentet kushtetuese, Komisioni i Venecias kërkon që të përjashtohet secila mundësi politike.

“Autoriteti për vlerësim kalimtar do të miratohej me 2/3 në Kuvendin e Kosovës. Shumica për kalimin e këtyre ndryshimeve, është pozitive. Vlerësimi kalimtar do ta mbulonte performancën, pasurinë dhe integritetin. Komisioni i Venecias rekomandon kufizimin e një vlerësimi kalimtar për anëtarët e KGJK-së, KPK-së, kryetarët e gjykatave dhe Kryeprokurorët. Ky vlerësim duhet të mbulojë integritetin, pasurinë, por nuk mbulon performancën. Për më tepër kjo nuk është relevante për këshilat. Lidhur me krijimin e autoritetit për vlerësimin kalimtar, zgjedhja e anëtarëve me shumicë të thjeshtë krijon rrezik politizimi”, thuhet më tutje në opinionin e Komisionit të Venecias.

Edhe në pjesën e fundit të konkluzave, Komisioni i Venecias thotë se me ndryshime kushtetuese, mund t’iu bëhet vetting këshillave, kryetarëve të gjykatave e kryeprokurorëve.

Lajme të ngjashme