Miftaraj: Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë, duhet të shkruhet nga fillimi - NACIONALE

Miftaraj: Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë, duhet të shkruhet nga fillimi

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Ehat Miftaraj është jurist me përvojë, dhe drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi. Si pjesëmarrës në pothuajse të gjitha proceset e drejtësisë në Kosovë, Miftaraj vlerëson se reforma e nisur në drejtësi, për momentin është në rrugën e duhur.

Megjithatë, Miftaraj ka drejtuar kritika të ashpra në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë, në lidhje me mënyrën se si po tentojnë ta miratojnë në Kuvend, Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë.

Drejtori i IKD-së në një intervistë për gazetën Nacionale, insiston se ky ligj duhet të shkruhet nga fillimi, dhe sipas tij, miratimi në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës do të ishte gabim.

Miftaraj në këtë intervistë flet edhe për Vetingun dhe iniciativat e tjera në sistemin e drejtësisë.

INTERVISTA:

Nacionale:

Keni folur gjatë për nevojën për reformë në sistemin e drejtësisë në Kosovë, a ka filluar një reformë e tille? Nëse po, a është në rrugën e duhur?

Ehat Miftaraj:

Miratimi i Strategjisë për Sundimit e Ligjit 2021-2015, iniciativa për Vetting dhe plotësim ndryshimi i ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës janë të rëndësisë jetike për t’u zbatuar dhe përmbushur në praktikë për t'i dhënë kuptim reformës përmbajtësore në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Përderisa, në këtë fazë, mund të konstatohet se kjo reformë është në rrugën e duhur me kusht që e njëjta të zbatohet në përpikëri në pajtim te plotë me rekomandimet dhe konkluzionet e Komisionit të Venecias, dhe në bashkëpunim dhe koordinim të plotë mes partive politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, dialogur konstruktiv me akterët e sistemit të drejtësisë, partnerët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile.

Nacionale:

A ka mundësi të keqpërdoret kjo nevojë për reformë, duke shtyrë përpara projektligje problematike?

Ehat Miftaraj:

Përderisa, lidhur me procesin e Vettingut dhe Ligjin për KPK, Ministria e Drejtësisë ka zhvilluar dialog konstruktiv me palët e interesit dhe ka marr për bazë komentet dhe rekomandimet edhe të shoqërisë civile, përfshirë inicimin dhe zbatimin në praktike të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për Ligjin për Byronë, ku ka munguar konsultimi publik dhe adresimi i komenteve dhe sygjerimeve konstruktive. në këtë drejtim, përderisa mund të konstatohet për një qasje shume konstruktive të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me Vettingun dhe Ligjin për KPK, njëjtë mund të thuhet se këto parime janë anashkaluar lidhur me Projektligjin për Byronë.

Nacionale:

Vettingu, të behet me ndryshime kushtetuese, apo me ligjet aktuale?

Ehat Miftaraj:

Komisioni i Venecias, në mënyrë të qartë ka shtjelluar të pesë opsionet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë, ku Komisioni ka propozuar një qasje pragmatike duke propozuar Vetting me ndryshime kushtetuese vetëm për anëtaret e KGJK dhe KPK, dhe për kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorëve, duke kërkuar që ky proces të bëhet në mënyrë transparente, përmes konsultimeve publike dhe gjithpërfshirjës si në aspektin e paritve politike, ashtu te ekpsertëve, KGJK, KPK dhe partnerëve ndërkombëtare. Sikurse, Komisioni i Venecias nuk rekomandon Vetting të përgjithshëm, por vetëm vetting të pjesshëm, që në rrethanat e Kosovës, mund të konsiderohet si një propozim ideal dhe praktik. Mbetet të shihet se si partia në pushtet do të jetë në gjendje të zbatoj rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe të luaj rol konstruktiv në këtë proces.

Nacionale:

A po i lexojnë drejt opinionet e Venecias Ministria e Drejtesisë, apo ka tendencë të keqpërdorimit të këtyre opinioneve?

Ehat Miftaraj:

Partia në pushtet po i jep kahje krejtësisht tjetër opinionit të Komisionit të Venecias lidhur me Byronë, duke bërë përpjekje për të dërguar në publik me të drejtë mesazhin se Komisioni i Venecias ka miratuar iniciativën ligjore për miratimin e këtij ligji, por duke injoruar ose duke bërë përpjekje për të fshehur shqetësimet e mëdha që Komisioni i Venecias ka dhënë lidhur me përmbajtjen e këtij projektligji, që nga syri i një juristi mesatar lë për të nënkuptuar se ky ligj duhet të rishkruhet nga fillimi.

Nacionale:

Byroja, u legjitimua nga Venecia, apo jo? A ka lënë hapësirë Venecia, për përmirësimin e këtij projektligji, apo duhet të rishkruhet nga e para?

Ehat Miftaraj:

Përderisa është e drejtë legjitime e secilës qeveri për të popozuar ligje që mendon se mund të ndikojnë në përmirësojnë fusha të caktuara në shoqëri, njejtë është obligim i qeverisë që këto ligje të jenë në harmoni me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë që promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Në rastin konkret, është e drejtë e qeverisë të propozoj dhe insistoj në miratimin e këtij ligji, sikurse është fakt se ligji si është propozuar shkel në mënyrë arbirtrare të drejtat dhe liritë e njeriut

Në këtë drejtim, e vetmja mënyrë që ky ligj të miratohet në harmoni me konkluzionet dhe rekomandimet e Venecias, i njëjti duhet të rishkruhet pothuajse nga fillimi.

Nacionale:

Si e komentoni, procedimin në Kuvend të Projektligjit të Byrosë, a është veprim i ngutshëm i ministrisë?

Ehat Miftaraj:

Qeveria është duke insistuar që Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të kalojë në lexim të parë në Kuvend, ashtu që më pastaj Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të adresojë rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias. Por, siç kemi theksuar edhe më parë, Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson që ky Projektligj, duke marrë parasysh mangësitë e shumta që ka, duhet të tërhiqet nga Kuvendi dhe që fillimisht Ministria e Drejtësisë të adresojë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Së pari, nuk është serioze që një ligj i caktuar të votohet në parim nga deputetët në Kuvend, e pastaj në lexim të dytë të vijë i njëjti ligj substancialisht i ndryshuar, pothuajse komplet tjetër—dhe do të jetë i tillë po qe se ndiqen rekomandimet e Komisionit të Venecias, i cili ka pasur vërejtje madhore për pothuajse secilin element të rëndësishëm të Projektligjit. Nuk janë vetëm gjashtë rekomandime ashtu siç pretendon Ministria e Drejtësisë: fakt që janë gjashtë grupe rekomandimesh, por rekomandimet konkrete janë me dhjetëra, për gati secilin element domethënës të Projektligjit. Adresimi i tyre kërkon kohë dhe resurse të caktuara, ndaj ka qenë e përshtatshme që Projektligji të tërhiqet nga Kuvendi dhe rekomandimet e dhëna të trajtohen nga Qeveria në nivel të ekspertëve, e jo nga Komisionet e Kuvendit që kryesisht zhvendosin diskutimin në rrafsh politik në vend se profesional. Adresimi i mangësive juridike të Projektligjit është tërësisht çështje profesionale. Shto këtu që Komisionet e Kuvendit janë jo edhe aq efikase, për shkak të angazhimeve tjera të deputetëve. Për një ligj kaq të mangët do të jetë veçanërisht i vështirë trajtimi i duhur i tij në Komisione të Kuvendit.

Lajme të ngjashme