Prokuroria inicon rast ndaj profesorit Xhevat Krasniqi për “ngacmim seksual” - NACIONALE

Prokuroria inicon rast ndaj profesorit Xhevat Krasniqi për “ngacmim seksual”

2 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Profesori Xhevat Krasniqi u akuzua publikisht nga më shumë se 20 studente për veprën “ngacmim seksual”. Për këtë pati edhe protesta para rektoratit, e brenda Universitetit.

Madje ditën e hënë ndërhyri edhe policia. Prokuroria në Prishtinë, për RTK, ka konfirmuar se ndaj profesorit Xhevat Krasniqi tashmë është inicuar rast, sipas detyrës zyrtare në drejtim të veprës “ngacmim seksual”.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘ngacmimi seksual’, sipas KPRK-së”.

“Ashtu siç iu kemi njoftuar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje. Aktualisht mund t’iu konfirmojmë se në kuadër të veprimeve hetimore janë duke u marrë deklarata të personave të përfshirë në këtë rast, si dhe veprime të tjera, konform dispozitave të KPPRK-së”, tha Ulaj për rtk.

U pezullua nga puna

Kështu ka bërë të ditur rektorati i Universitetit të Prishtinës.

“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të Prof. Xh.K., me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit”, thuhet në njoftim.

Këshilli i Etikës ka propozuar që rasti të procedohet edhe në hetuesi.

“Këshilli i Etikës i rekomandon Rektoratit që çështjen e referuar kundër Prof. Xh.K. ta procesojë edhe formalisht në organet e hetuesisë dhe të bashkëpunojë me to”, thuhet aty.

“Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës refuzon sulmet brutale nga persona brenda dhe jashtë UP-së dhe kërkon përmbajtje dhe rezervim nga çfarëdo ndërhyrje dhe sulm ndaj UP-së, sidomos nga vetë anëtarët e stafit të UP-së. Me datë 22 prill, Këshilli i Etikës është sulmuar në mënyrën më të ashpër, pa arsye dhe në baza personale nga individë, të saktësuar në Vendimin e Këshillit të Etikës, që rezulton të jenë staf i portaleve, gazetarë, përfaqësues të OJQ-ve dhe staf akademik i UP-së.”

“Më ke thanë ko me t’bo masazh”: Studentja e ngacmuar seksualisht nga Xhevat Krasniqi shpëtheu në lot gjatë protestës

Gjatë të hënës, profesori Krasniqi ka dëshmuar para Këshillit të Etikës në Universitetin e Prishtinës.

Ai i ka mohuar të gjitha akuzat nga më shumë se 25 studentë, duke thënë se nuk ka ngacmuar asnjëherë seksualisht. Krasniqi i ka quajtur shpifje.

Në objektin e Administratës Qendrore të UP-së, Xhevat Krasniqi është bllokuar nga grupi i protestuesve.

Ai aty është përballur me njërën prej studenteve të cilën e ka ngacmuar seksualisht. Ajo nën lot, i ka kujtuar fjalët që profesori ia kishte thënë në konsultime.

“Më ke thanë, pranoje që me ke thanë. Në konsultime 14 shkurt 2023, më ke thanë ko me t’bo masazh. I qes edhe unë faktet e mia, edhe e shohim qatherë, shpifje, shpfije. Asnjë so shpifje. Ti duhesh me pranu realitetin se kush je përnime, pranoje se kush je. Nashta është e randë”, tha studentja në videon të cilën e ka siguruar Nacionale.

Grupi i studentëve ka bllokuar edhe anëtarët e Këshillit të Etikës. Aty Dibran Hoxha nga ORCA dëgjohet teksa flet me këta anëtarë.

“Kushtetuta ma lejon me protestu”, tha ai.

Profesori e ka thirrur Policinë në mënyrë që t’i largojë protestuesit.

Krasniqi ka thënë se studentet e kanë bërë denoncimin për shkak të dështimit për të kaluar provimin.

Ai shton se “të gjitha shprehjet në ankesë janë shpifje”.

Profesori thotë se studentja denoncuese e ka kërcënuar me fjalët “hajt se ki me pa ti, as veten tënde s’ki me njoftë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur lidhur me rastin e profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual të disa studenteve.

Ai ka thënë se organet e UP-së duhet të marrin shumë seriozisht ankesat dhe t’i trajtojnë ato në mënyrë meritore.

“Unë nuk mund të ia bëj gjyqin etik Këshillit të Etikës në UP, por nuk bëhet fjalë për dy vajza e shtatë vajza, por për 27 vajza, andaj unë shpresoj që edhe organet kompetente të UP-së dhe i gjithë universiteti do t’i marrin shumë seriozisht këto ankesa që duhet të trajtohen në mënyrë meritore duke pas parasysh që Qeveria, Kuvendi, Universiteti i Prishtinës, krejt këto organe që kanë përgjegjësi e reputacion duhet të jenë në ballë të betejës që duhet të jetë e përbashkët”- ka thënë Kurti.

Profesori i Edukimit, Xhevat Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente se i kishte ngacmuar seksualisht ato.

Lajme të ngjashme