Venecia pro Vetingut në Kosovë, por jo krejtësisht siç tha Ministria – detaje nga opinioni i plotë - NACIONALE

Venecia pro Vetingut në Kosovë, por jo krejtësisht siç tha Ministria – detaje nga opinioni i plotë

1 vit më parë

nga Besian Beha

21 faqe është i gjatë rekomandimi i Komisionit të Venecias për një nga reformat më të thella në sistemin e drejtësisë në Kosovë, Vetingun. Venecia në parim e përkrahë një reformë të tillë të Vetingut të sistemit të drejtësisë, por që thekson se një gjë e tillë duhet të synohet fillimisht me ndryshime ligjore. Me ndryshime kushtetuese, Vencia thotë se mund të bëhet vetingu për anëtarët e Këshillit Gjyqësor e Prokurorial, Kryeprokurorët e Prokurorive, e kryetarët e gjykatave. Nacionale sjell detaje nga rekomandimi i plotë i Komisionit të Venecias.

Pesë opsione kishte dhënë Ministria e Drejtësisë për ta realizuar reformën e Vetingut në sistemin e drejtësisë. Për secilin prej tyre e ka dhënë nga një opinion Komisioni i Venecias. Në parim Venecia jep propozim pro Vetingut, por që sipas tyre e gjithë reforma duhet të bëhet me një bashkëpunim të thellë ndërmjet Ministrisë, Këshillit Gjyqësor e Prokurorial e organizatave joqeveritare.

“Komisioni i Venecias vlerëson se një reformë e sistemit të drejtësisë është me të vërtetë e nevojshme, por gjithashtu beson se një pjesë e madhe e kësaj reforme mund të miratohet me ligjet aktuale. Një verifikim ose kontroll i integritetit mund të kufizohet vetëm tek anëtarët e Këshillit Gjyqësor e Këshillit Prokurorial, të cilët ushtrojnë pushtet disiplinor ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. Prandaj çdo amendament kushtetues, duhet të synojë ndërhyrje minimale në kompetencat e KGJK-së dhe KPK-së për arritjen e reformës në drejtësi”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Kur jep opinionin për amendamentet kushtetuese, Komisioni i Venecias kërkon që të përjashtohet secila mundësi politike.

“Autoriteti për vlerësim kalimtar do të miratohej me 2/3 në Kuvendin e Kosovës. Shumica për kalimin e këtyre ndryshimeve, është pozitive. Vlerësimi kalimtar do ta mbulonte performancën, pasurinë dhe integritetin. Komisioni i Venecias rekomandon kufizimin e një vlerësimi kalimtar për anëtarët e KGJK-së, KPK-së, kryetarët e gjykatave dhe Kryeprokurorët. Ky vlerësim duhet të mbulojë integritetin, pasurinë, por nuk mbulon performancën. Për më tepër kjo nuk është relevante për këshilat. Lidhur me krijimin e autoritetit për vlerësimin kalimtar, zgjedhja e anëtarëve me shumicë të thjeshtë krijon rrezik politizimi”, thuhet më tutje në opinionin e Komisionit të Venecias.

Edhe në pjesën e fundit të konkluzave, Komisioni i Venecias thotë se me ndryshime kushtetuese, mund t’iu bëhet vetting këshillave, kryetarëve të gjykatave e kryeprokurorëve.

“Komisioni i Venecias rekomandon futjen e ndryshimeve legjislative që do të bëjnë përmirësimin e sistemit aktual të disiplinës gjyqësore, si një zgjerim i opisonit 2. Kjo ka të bëjë veçanërisht me forcimin e sistemit të deklarimit të pasurisë dhe forcimin e njësive të vetingut në kuadër të KGJK dhe KPK. Ndryshimet kushtetuese duhet të konsiderohen vetëm për kontrollet e integritetit të anëtarëve të KGJK dhe KPK-së, kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve. Komisioni i Venceias nuk është në gjendje ta vlerësojë sa janë të përhrpura problemet gjyqësore. Në çdo rast, është e nevojshme të dallohen rastet e paaftësisë profesionale, dhe rastet e qëllimshme keqdashëse”, thuhet në njërin prej përfundimeve të Komisionit të Venecias.

“Komisioni i Venecias konsideron se është e nevojshme një reformë e gjyqësorit në Kosovë, dhe kjo duhet të përfshijë edhe kontrollin e integritetit. Megjithatë, është shumë me rëndësi që reforma e tillë të miratohet me të drejtat e zakonshme. Çdo sistem verifikimi ose kontroll mund të kufizohet në KGJK dhe KPK të cilat ushtrojnë pushtet disiplinor mbi anëtarët e tjerë. Ndërhyrja në të drejtat kushtetuese duhet të jetë rreptsisht proporcionale. Çdo ndryshim kushtetues duhet të synojë ndërhyrje minimale në kompetencat e KGJK-së dhe KPK-së”, theksohet më tutje në njërin prej përfundimeve.

Sërish, Venecia propozon mundësinë e ndryshimeve ligjore.

“Prandaj, Komisioni i Venecias rekomandon fokusimin në ndryshime legjislative, të cilat janë më lehtë për t’u zbatuar dhe duke kufizuar sistemin e kontrollit të integritetit në këshillat gjyqësor e prokurorial, kryetarët e gjykatave e kryeprokurorët. Për të bërë të zbatueshme këtë reformë, koncepti mbi Vetting dhe ndryshimet kushtetuese e legjislative, duhet të përgatitetn me një dialog të sinqertë dhe bashëpunim të ngushtë me MD, KGJK, KPK e shoqrinë civile”, thuhet në rekomandimin e Venecias.

Opsionet për ta realizuar Vetingun

Në një nga pjesë kryesore të opinionit të Venecias, jepen detaje për secilin opsion të propozuar nga Ministria e Drejtësisë. Opsionet janë këto: gjendja aktuale pa asnjë ndryshim pra status quo-ja, vetting nëpërmjet ndryshimeve ligjore dhe mekanizmave aktualë të KGJK-së dhe KPK-së, krijimi i një organi të posaçëm verifikimi nga një mekanizëm i jashtëm dhe verifikimi i vazhdueshëm me ndryshime kushtetuese, dhe ndryshime kushtetuese në valën e parë të vetingut nga një organ ad hoc, e më pas një kontroll i performancës së vazhdueshme, kontrollit e verifikimit nga KGJK-ja dhe KPK-ja.

“Ndryshimet kushtetuese edhe në versionin më të shkurtër të rishikuar shkojnë shumë larg duke parashikuar një vetting për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët. Ndryshimet kushtetuese janë të nevojshme dhe duhet të parashikojnë vetëm kontrolle të integritetit të anëtarëve të KGJK-së, KPK-së, kryetarëve të gjykatave e Kryeprokurorëve. Komisioni e pranon se amendamenti kushtetuese, nuk mund të miratohet në formë ligji pa bazë kushtetuese. Si ligj i veçantë do të binte në kundërshtim me nenet e Kushtetutës”, thekson Komisioni i Venecias.

“Për sa i përket opsionit 3, do të krijoheshin organe të posaçme verifikimi, por Këshillat aktualë do ta ruanin kompetencën për rekomandimin e shkarkimit të gjyqtarëve e prokurorëve te presidenti i Kosovës. Nga koncept-dokumenti është mjaft e qartë se verifikimi i përgjithshëm i gjyqtarëve dhe prokurorë duke krijuar organe ad hoc të verifikimit, është i nevojshëm nëse një pjesë e rëndësishme e problemit lidhet me zbatimin joefikas të legjislacionit ekzistues. Komisioni rekomandon hyrjen në një dialog të plotë me Këshilat përpara miratimit të ndryshimeve të tilla. Pa mbështetjen e tyre, opsioni 3 nuk ka të ngjarjë të arrijë rezultatet e pritura”, thuhet në opinion.

Sa i përket sigurimit të shumicës prej 2/3 në Kuvend, Komisioni i Venecias thotë se do të duhej të kihet kujdes tek gjyqtarët serbë, pasi një ndërhyrje e mundshme, do të mund ta prekte edhe marrëveshjen e Brukselit.

Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias gjatë qëndrimit në Prishtinë, janë bindur se gjendja në sistemin e drejtësisë nuk është e nivelit të lartë. Andaj, kanë konstatuar se Vetingu është i domosdoshëm.

Në anën tjetër, në konferencën që u mbajt të shtunën mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është vlerësuar se Venecia e ka përkrahur Vetingun në drejtësi.

Ministrja Haxhiu ka bërë të ditur se puna do të nis menëjehrë. E nëse nuk ka vota për ndryshime kushtetuese, atëherë do të shkohet me opisonin e ndryshimeve ligjore.

Lajme të ngjashme