Gjykata publikon Aktgjykimin e plotë që vendosi Naim Murselin përjetësisht në burg: Kjo ishte anatomia e krimit
124 faqet e aktgjykimit nuk flasin vetëm për një vrasje. Ato vizatojnë portretin e një burri, për të cilin gjykata thotë se nuk shfaqi asnjë reagim që do të pritej nga një bashkëshort që sapo kishte humbur gruan.
Në çdo kapitull të arsyetimit, gjykata rikthehet te një element – sjellja e Naim Murselit.
Jo vetëm para krimit, por edhe në sekondat kur Liridona u vra, e madje edhe në orët e ditët që pasuan.
Sipas gjykatës, në vend se ta tërhiqte apo ta mbronte, Naim Murseli e mbajti Liridonën për krahu, “me qëllim që ajo të mos i shmangej plumbit.”
Për trupin gjykues, ky nuk ishte një veprim i rastësishëm. Ishte një detaj që tregonte se gjithçka po zhvillohej sipas planit të parapërgatitur.
Menjëherë pas të shtënës, sipas aktgjykimit, Naimi mori fëmijët dhe u largua nga vetura, duke e lënë Liridonën të plagosur rëndë.
Por ajo që gjykata analizon gjatë është edhe sjellja e tij pas krimit.
Kur familjarët po përballeshin me tronditjen, Naim Murseli ndodhej në një hotel. Sipas dëshmisë së Leonard Ademajt, të cilës gjykata i dha besim, ai ishte i shtrirë në krevat, me ushqim të porositur në tavolinë.
Kur u ftua të shkonte në morg për ta parë për herë të fundit bashkëshorten, fillimisht tha se nuk lejohej hyrja. Më pas shkoi vetëm deri te dera, por nuk hyri ta shihte trupin.
Gjykata ndalet edhe te ceremonia e varrimit.
Në aktgjykim përmendet dëshmia se familjarëve u kishte bërë përshtypje qetësia e tij. Jo pse prisnin lot, por sepse, sipas dëshmitarit, Naim Murseli kishte qëndruar “shumë i ftohtë”, ndërsa familja po përjetonte dhimbjen më të madhe.
Madje, sipas aktgjykimit, ai nuk kishte pyetur për fëmijët për orë të tëra pas vrasjes, ndërsa kur shkoi t’i merrte, ata nuk kishin dashur të largoheshin me të.
Në fund, gjykata arrin në përfundimin se këto nuk ishin episode të shkëputura.
Për trupin gjykues, sjellja para vrasjes, mënyra se si veproi në sekondat fatale dhe qetësia e tij pas krimit, të analizuara bashkë me provat materiale, kamerat, ekspertizat dhe dëshmitë, krijuan bindjen se Naim Murseli nuk ishte një bashkëshort që mbeti viktimë e një grabitjeje, por personi që kishte planifikuar dhe kishte marrë pjesë në ekzekutimin e saj.
Tashmë Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxerr aktgjykimin ndaj Naim Murselit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët vranë Liridona Ademaj.
Përmes këtij aktgjykimi, trupi gjykues arsyetoi burgin e përjetshëm për Murselin e Palvës, si edhe dënimin me 30 vjet burg për Kokallën.