Danimarka e fillon rekrutimin ushtarak me periudhë të zgjatur
Rreth 1.600 rekrutë ushtarakë danezë të hënën e filluan rekrutimin e ri me afat të zgjatur, duke e nisur shërbimin 11-mujor, kur vendi evropian po e përshpejton fuqizimin e mbrojtjes, masë e nxitur nga presionet e sigurisë në Arktik dhe lufta në Ukrainë.
Danimarka më 2024 kishte thënë se do ta zgjeronte rekrutimin për t’i përfshirë edhe gratë për herë të parë dhe për ta zgjatur kohën standarde të shërbimit nga katër në 11 muaj, ndërsa numri i rekrutëve pritet të shkojë në 7.500 në vit deri më 2033, nga 5.000 sa është tani, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rekrutët e rinj po arrijnë në kohën kur Danimarka po përgatitet që të dislokojë rekrutë në Grenlandë për herë të parë më vonë këtë muaj, me një kompani prej më shumë se 100 ushtarësh që pritet të shërbejnë për një muaj, duke u ngarkuar me detyra operacionale nga ushtarët profesionistë.
Dislokimi bart peshë të shtuar politike, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, disa herë e ka shprehur synimin për ta aneksuar territorin gjysmautonom danez, duke e përmendur si arsye sigurinë kombëtare, por kërkesa është refuzuar prerazi nga qeveritë e Grenlandës dhe Danimarkës.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, në samitin e NATO-s muajin e kaluar në Ankara tha se vendi i saj është i gatshëm që të mbrojë çdo centimetër të territorit në aleancës ushtarake, “përfshirë pjesën tonë”.
Silas Nohr, rekrut 19-vjeçar nga qyteza Varde në perëndim të Danimarkës, tha se e mirëpret kohën më të gjatë të shërbimit ushtarak.
“Tani kemi 11 muaj dhe më duket sikur vërtet mund të thellohesh në këtë, ta përjetosh vërtet dhe të futesh shumë më thellë në ushtri” – tha ai./Nacionale