Vendi që u përmend për varrezë masive në Serbi, përmendet në dy aktakuza për ushtrime të terroristëve serb që sulmuan Kosovën - NACIONALE

Vendi që u përmend për varrezë masive në Serbi, përmendet në dy aktakuza për ushtrime të terroristëve serb që sulmuan Kosovën

20 orë më parë

nga Eriola Cacaj

Disa vende ruhen me tela me gjemba. Të tjerat ruhen nga heshtja.
Livadhet e Fusleve duket se i ka të dyja.

Për një pjesë të opinionit, ky është vetëm një poligon ushtarak në Serbinë qendrore. Por për familjet e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë, emri i tij lidhet me një dyshim që nuk është hetuar kurrë deri në fund.

Prej vitesh, Pasuljanske Livade apo Livadhet e Fasuleve përmendet në kontekstin e dyshimeve për një varrezë masive me trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Dyshimet janë ngritur publikisht nga themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Nataša Kandić, e cila ka deklaruar se që në vitin 2008 kishte informuar Ministrinë serbe të Mbrojtjes për dëshmi të marra nga një person që pretendonte se kishte transportuar trupa drejt këtij poligoni ushtarak. Sipas saj, institucionet serbe nuk zhvilluan asnjë hetim publik.

Pretendimet nuk janë konfirmuar me gërmime forenzike apo hetime zyrtare.

Emri Livadhet e Fasuleve rikthehet edhe në dosjet më të fundit të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Në aktakuzën për sulmin terrorist në Banjskë, prokuroria e përshkruan këtë poligon si një nga vendet ku Milan Radoiçiq dhe pjesëtarët e grupit të tij zhvilluan stërvitje ushtarake para sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

I njëjti lokacion përmendet edhe në aktakuzën për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, ku Prokuroria Speciale pretendon se të akuzuarit vellëzerit Dragiša dhe Jovan Veqentijević kishin kryer stërvitje ushtarake para realizimit të sulmit.

Lajme të ngjashme