Gjykimi në mungesë ndaj 21 serbëve të akuzuar për masakrën e Reçakut - Fillon gjykimi, Prokurori Morina lexon aktakuzën - NACIONALE

Gjykimi në mungesë ndaj 21 serbëve të akuzuar për masakrën e Reçakut - Fillon gjykimi, Prokurori Morina lexon aktakuzën

51 minuta më parë

nga Eriola Cacaj

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot ka nisur në mungesë seanca fillestare ndaj 21 serbëve të akuzuar për Masakrën e Reçakut.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, njoftoi se janë plotësuar kushtte për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor në mungesë.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ilir Morina lexoi aktakuzën, sipas së cilës 21 të akuzuarit, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe forcave policore serbe, akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 në Reçak të Shtimes.

Në periudhën 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Reçak, Komuna e Shtimes, me dashje, në bashkëkryerje dhe individualisht dhe në përgjegjësinë komanduese, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘243 të Mekanizuar’, Armatës së III-të e quajtur ‘Korpusi i Prishtinës’, dhe si pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), në të cilën bënin pjesë: Njësitë e Veçanta të Policisë të njohura si ‘PJP’, Njësitë Speciale Antiterroriste të njohura si ‘SAJ’, Njësitë e Divizionit për Siguri Shtetërore të njohura si ‘RDB’, Njësitë e Divizionit për Siguri Publike të njohura si ‘RJB’ dhe Njësitë Rezervë”, tha ai.

Prokurori lexoi emrat dhe funksionet e të gjithë 21 të akuzuarve, përfshirë ish-zyrtarë të lartë të MUP-it, komandantë të ushtrisë dhe policisë serbe, si dhe pjesëtarë të njësive speciale dhe rezervë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit akuzohen se kanë kryer vrasje, trajtim çnjerëzor dhe shkatërrim të pasurisë civile gjatë operacionit në Reçak më 15 janar 1999.

Kanë shkelur rëndë të drejtat elementare duke kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë në atë mënyrë që në një vrasje me datë 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, të pandehurit në cilësinë e pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuan në vrasjen e 42 civilëve të fshatit Reçak. Rreth orës 06:00 të mëngjesit e rrethuan fshatin Reçak, fillimisht granatuan nga distanca prej vendeve të njohura si ‘Pishat’, ‘Gështenjat’, ‘Çesta’ dhe ‘Guri i Shpum’, pastaj me automjete të blinduara hynë në fshat dhe filluan të kontrollonin shtëpi për shtëpi. Me këtë rast, në oborrin e shtëpisë së Rashit Rashitit fillimisht e vrasin Banush Kamerin, të cilit pastaj ia presin kokën, kurse në vendin e quajtur ‘Vrella’, i vrasin Haki Metushin, Sabri Sylën dhe Arif Metushin. Në oborrin e shtëpisë së tij e vrasin Ahmet Mustafën dhe fqinjin e tij, Hajriz Jakupin. E në afërsi të shtëpisë së Zyk Mustafës, i vrasin Skender Halilin dhe Hanumshahe Mujotën. Vazhduan në drejtim të lagjes ‘Beqaj’, dhe derisa disa civilë po largoheshin në drejtim të malit, u del në pritë policia serbe e cila pa paralajmërim shtie në drejtim të tyre, duke vrarë: Halim Beqirin, Riza Beqirin dhe Zenel Beqirin, kurse mbetën të plagosur: Aziz Beqiri, Zuhra Beqiri dhe Fetije Beqiri. Në vazhdim të operacionit policor e ushtarak, të akuzuarit hynë në lagjen ‘Emini’, e cila gjendej në pjesën perëndimore të fshatit, ku me armë zjarri në oborrin e tij e plagosën në këmbë Ismet Eminin dhe vranë vëllanë e tij, Ajet Eminin, që të dy civilë. Më pas, në vendin e quajtur ‘Çeshma’ i vranë civilët Bajram Mehmeti, vajzën e tij Hanumshahe Mehmetin, ndërsa të plagosur mbetën Elhami Mehmeti, Makfirete Hajrizi, Florije Hajrizi dhe Hasan Bilalli”, tha ai.

Lajme të ngjashme