Ministri izraelit njofton në TV se do të zëvendësojë një gjeneral, ushtria thotë se ai do të qëndrojë - NACIONALE

Ministri izraelit njofton në TV se do të zëvendësojë një gjeneral, ushtria thotë se ai do të qëndrojë

1 orë më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit nisi një përplasje të jashtëzakonshme publike me ushtrinë të dielën në mbrëmje, duke nxitur zemërim tek opozita dhe festë tek e djathta ekstreme, kur e kritikoi komandantin e Komandës Qendrore të Forcave Mbrojtëse të Izraelit, Gjeneral Major Avi Bluth, dhe e njoftoi zëvendësimin e tij drejtpërdrejt në televizion.

Ushtria doli shpejt me një deklaratë të prerë, duke thënë se Bluth, gjenerali më i lartë i ushtrisë izraelite për Bregun Perëndimor, do të mbetet në atë pozitë, duke e vlerësuar lart punën e tij dhe duke thënë se njoftimi i Katzit “nuk ishte i bashkërenduar” me komandantin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtënant Eyal Zamir. Ministri i Mbrojtjes nuk e ka autoritetin që në mënyrë të njëanshme ta shkarkojë Bluth-in, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Duke folur në televizionin “Channel 14”, Katzi tha se Bluthi e kishte shkelur politikën e tij duke synuar që të përtërijë një urdhër kufizues administrativ kundër një koloni të dhunshëm dhe se një gjë e till është e papranueshme.

Koloni (ardhësi) Tal Yinon Dardik, dyshohet për një sulm brutal në mars në Khirbet Humsa, fshat palestinez në Bregun Perëndimor, ku ai, bashkë me disa kolonë të tjerë ekstremistë, dyshohet se kishin zhveshur një viktimë palestineze, ia kishin lidhur organet gjenitale dhe kishin bërë paradë me të përreth fshatit.

Dardik, i cili jeton në Zonën B të Bregut Perëndimor, që është nën kontrollin civil palestinez, mohon se ka marrë pjesë në incident.

Katzi u ankua se Bluthi kishte apeluar në gjykatë kundër lirimit të Dardikut, “në kundërshtim me politikën time”.

“Ata e bënë këtë kundër pozicionit tim. Ishte hap i gabuar. [Bluthi] duhet ta marrë parasysh politikën time dhe unë do të këmbëngul në këtë” – tha ministri Katz, duke shtuar se ai ka “kontroll absolut mbi atë se çfarë është e nevojshme në sistemin [ushtarak]”./Nacionale

Lajme të ngjashme