Shkon në 72 numri i të vdekurve nga dyndja e emigrantëve në enklavën spanjolle Ceuta
Numri i të vdekurve nga dyndja masive e emigrantëve nga Maroku drejt enklavës spanjolle Ceuta javën e kaluar të dielën shkoi në të paktën 72, pasi pesë trupa të tjerë u gjetën përgjatë bregut të Afrikës së Veriut, thanë zyrtarët.
Numri i viktimave ishte dukshëm më i lartë se ai që u njoftua nga autoritetet marokene të dielën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Më shumë se 50 mijë njerëz hynë në Ceuta përmes kufirit tokësor dhe detar në një dyndje të pashembullt që nisi të enjten në njërin nga dy kufijtë vetëm tokësorë të Bashkimit Evropian me Afrikën, duke shkaktuar alarm në bllok. Më shumë se 48 mijë u kthyen në Marok brenda 48 orëve dhe edhe një pjesë tjetër e emigrantëve e bënë këtë gjatë fundjavës, sipas autoriteteve spanjolle.
Përfaqësuesi i qeverisë spanjolle në Ceuta, Miguel Angel Perez, tha para gazetarëve të dielën se, mbi 1.000 njerëz ishin trajtuar nga shërbimet shëndetësore. Gjendja në enklavë është përmirësuar dukshëm, sipas tij, por duhet të bëhet më shumë për rivendosjen e normalitetit.
Disa emigrantë u mbytën në ujë dhe disa të tjerë u shtypën, kur po mundoheshin të ngjiteshin në një zonë të ngritur dhe ta kalonin rrethojën kufitare. Shumë prej tyre ishin nxitur që të largoheshin nga vendi për shkak të vështirësive ekonomike dhe ishin inkurajuar nga thashethemet në rrjete sociale.
Ministria e Brendshme e Marokut tha në një deklaratë të dielën se 11 njerëz kishin vdekur, kryesisht nga mbytja në ujë, gjatë përpjekjeve për të kaluar në territorin spanjoll, duke theksuar se po i kontrollonte faktet rreth vdekjeve nga ana tjetër e kufirit.
Kjo ministri fajin për dyndjen masive të emigrantëve ua la dezinformatave në rrjetet sociale, rrjeteve për trafikimin e njerëzve dhe keqinterpretimin e një vendimi të autoriteteve spanjolle që e ndalon kthimin e menjëhershëm të emigrantëve që janë penguar në det./Nacionale