Pushteti i vetmuar miraton Konfiskimin e Pasurisë, Opozita kërcënon se do ta tërheqë mbështetjen për Vetingun - NACIONALE

Pushteti i vetmuar miraton Konfiskimin e Pasurisë, Opozita kërcënon se do ta tërheqë mbështetjen për Vetingun

1 vit më parë

nga Besian Beha

Për herën e tretë brenda pak muajsh, në Kuvendin e Kosovës ka dominuar tema në lidhje me Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme. Pushteti pavarësisht dhjetëra vërejtjeve nga Komisioni i Venecias ka vendosur ta çojë përpara këtë iniciativë, duke e miratuar në lexim të parë. E opozita ka kërcënuar se nuk do ta përkrahin më Vetingun me ndryshime kushtetuese. Gazeta Nacionale sjell të përmbledhur debatin në Kuvendin e Kosovës për Konfiskimin e Pasurisë.

Nga Greqia, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkoi në Kuvend. E tema e parë me të cilën u ballafaqua ai, ishte miratimi në lexim të parë i Byrosë për Konfiskim të Pasurisë. Përderisa opozita pati dilemat e veta, dhe e ndërlidhi Byronë me Vetingun, Kurti tha se këto dy procese nuk duhet të përzihen.

“Besoj se është i nevojshëm koordinimi me të gjitha partitë, sepse bëhet fjalë për një proces me shumë vendime që tejkalon mandatin tonë, dhe mandatin pas mandatit tonë. Duhet ta bëjmë ndarjen e qartë të gjërave që nuk janë të njëjta. Byroja dhe Vettingu nuk janë e njëjta gjë. Nuk është mirë të fusim gjithcka në një thes”, tha Kurti.

E në të njëjtën linjë me kryeministrin ishte edhe vartësja e tij në Ministrinë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Nuk mbaj mend se ka pasur debat më shumë se për Byronë. Ky Projektligj të vendoset në votim sot në parim, e pastaj rekomandimet të adresohen. Në anën tjetër, përshëndesim nisjen e takimeve me grupet parlamentare për Veting. Dhe nuk ka të bëj asgjë me procesin tjetër”, ka thënë Haxhiu në seancë.

Kundërshtimet dhe kërcënimet e opozitës

Partitë në opozitë qysh në fillim të debatit, shfaqën kritika të ashpra. Ata gjithashtu kanë bërë të ditur se dje kishin zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ku temë kishte qenë reforma në drejtësi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku iu dëshiro rrugë të mbarë pushtetit, nëse e miratojnë Byronë pa konesus.

“Mund t’i ndash këto dy ligje por atëherë do të veprosh vetë dhe pa mbështetjen e të tjerëve. Rendi e do që të kemi konsultime. Në këtë drejtim keni kërkuar gjithpërfshirje. Nëse kryeministri e vendos në votim, vazhdoni ju. Qëndrimin mbështetës e kemi dhënë. Por që reforma në drejtësi të mos e prek Kushtetutën e Kosovës. Jam vullnetar pë verifikim të pasurisë. Nëse kryeministri vendos të shkojë pa konsultim, sic e dha urdhrin, vazhdoni rruga e mbarë iu qoftë”, tha Abdixhiku.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se me votimin e Byrosë pa i marrë parasysh rekomandimet e Venecias, kjo parti nuk bashkëpunon më për reformat në drejtësi.

“Pasi kemi nisur disa takime në lidhje me Vetingun dhe kemi propozuar që t’i ndërtojmë disa parime e frymë të pajtimit. Parimi i parë që propozuam është që për Vetingun dhe ligjet që prekun sistemin e drejtësisë, të ketë autorësi nga Kuvendi. Parimi i dytë është që të ketë gjithpërfshirje politike. Dhe e treta që të ketë rregullim sektorial. Propozimi është që derisa të ketë koordinim për vettingun, të mos votohet as ky projektligj”, tha Gashi.

“Kjo nënkupton që qeveria nuk do bashkëpunim. Faleminderit për ftesën, por e konsideroj të paarsyeshme me na ftu më, për një çështje që është antikushtetuese. Me vendimin e sotëm nuk ka hapësirë me u konsultu më shumë”, deklaroi Arben Gashi.

Qëndrim të njëjtë me LDK-në, pati edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Jeni tu hy në një proces ku po bëhet ndarje jo me fajin e opozitës. Jeni tu e shty një ligj që është antikushtetues. Dhe ka rekomandim të Venecias. Dje kemi folë për Vetingun, për mundësinë dhe nevojën për me ndodhë vetingu jopolitik po parimor. Nëse hyni në këtë drejtim, jeni pa ne”, tha Besnik Tahiri.

Edhe Abelard Tahiri nga PDK-ja, ka kërkuar koncesus politik.

“Ka qenë kërkesë që t’i trajtojmë në pako. Dhe jemi pajtuar në parim me këtë kërkesë që reformën në drejtësi të mos e kemi vec Vettingun po të jetë edhe Byroja. I rëndësishëm sot është koncensusi politik. Qeveria duhet të reflektojë nëse dëshiron bashkëpunim”, tha Tahiri.

Kundërshtarët brenda pushtetit

Dalja kundër VV-së publikisht nga ulësja e kryetarit të Kuvendit, tash ka edhe arsyetim nga Glauk Konjufca. I pari i Kuvendit në një përgjigje për Kujtim Shalën e LDK-së, dha arsyet e veta pse po del me abstenim, kundër projektligjit për formimin e Byrosë për Konfiskim të Pasurisë së justifikueshme që po e sjell VV-ja në Kuvend.

“Më intereson çfarë qëndrimi keni ju lidhur me këtë çështje zotëri kryetar?” – pyeti deputeti Shala.

“Qëndrimi im ka qenë ky, pasi e kam dërguar për projektligj (Byronë) vlerësim në komisionin e Venedikut, i kam pritur opinionet e tij, vendimet e tij, pasi i kam lexuar opinionet e tij, kam konstatuar se... meqenëse jam bërë vetë garant dhe vetë e kam dërguar, të pres deri në përfshirjen e këtyre opinioneve në lexim të dytë. Në të njëjtën kohë jam i bindur se këtë punë mund ta kryejë komisioni funksional, kam besim në to, komisioni që e trajton mendoj që e ka aftësinë me i përfshi këto opinione. Tash qëndrimi juaj me aq sa unë po e kuptoj, këto opinione janë aq kritike sa që s’mund të kryhen përmes komisionit, mendimi është se këto mund të kryhen përmes komisionit” – u përgjigj Konjufca.

Megjithatë, Shala nuk u mjaftua me kaq, për të abstenimi ishte i pranueshëm.

“Nuk është e mjaftueshme abstenimi. Unë e kisha të rëndësishme nëse do të kemi një garantues në këtë proces që i bie se nuk e kemi, kështu që vazhdoni”, është kundërpërgjiur Shala pasi kryetari Konjufca e pyeti nëse e ka të qartë”

Lajme të ngjashme