“Lamtumirë reciprocitet”: 341 milionë euro importe nga Serbia për 11 muaj, Kurti bën “sehir” - NACIONALE

“Lamtumirë reciprocitet”: 341 milionë euro importe nga Serbia për 11 muaj, Kurti bën “sehir”

1 vit më parë

nga Blendrita Avdiu

Kosova ka shënuar rritje në volumin e saj tregar. Këtë vit, sikurse eksportet, edhe importet janë rritur shumë. Edhe pse kryeministri Albin Kurti sa ishte në opozitë thoshte se duhet vendosur reciprocitet tregtar me Serbinë, pikërisht në kohën e qeverisjes së tij, importi nga Serbia ka lulëzuar shumë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, për 11 muaj, pra nga janari në nëntor, në Kosovë vlera e eksportit me vendet e CEFTA-s ishte 303 milionë e 899 mijë euro, ndërkohë që vlera e importit shkoi në 907 milionë e 926 mijë euro.

Konkretisht, për këta 11 muaj, Serbia ishte një nga vendet kryesore të importit në Kosovë. Sipas të dhënave të ASK-së, për këta 11 muaj Kosova pagoi 341 milionë e 637 mijë euro për mallra që u importuan nga Serbia, ndërkohë që eksportoi rreth 59 milionë e 30 mijë euro në Serbi.

Siç shihet në raportin e ASK-së, përçdo muaj të Këtij viti Serbia ka qenë ndër partnerët kryesor tregtar për Kosovën. Vlera më e madhe e importuar ishte në muajin gusht ku u importuan mallra në vlerë prej 39 milionë e 115 mijë euro, ndërkohë që edhe në korrik u importuan mallra poashtu në vlerë prej 37 milionë e 152 mijë eurove.

Kush janë partnerët e tjerë tregtarë të Kosovës?

Pas Serbisë, për import gjatë kësaj periudhë në Kosovë ishte edhe Maqedonia e Veriut ku u importuan mallra në vlerë rreth 256 milionë e 366 mijë euro, ndërkohë që u eksportuan mallra në vlerë prej 107 milionë e 98 mijë euro.

Shqipëria është në vendin e tretë sa i përket importit. Nga janari në nëntor u importuan mallra në vlerë prej 227 milionë e 259 mijë euro, ndërkohë që shuma e eksportit shkoi në 92 milionë e 280 mijë euro.

Pas Shqipërisë, Kosova ka importuar mallra edhe nga Bosnja dhe Hercegovina. Për 11 muaj Kosova pagoi 61 milionë e 382 mijë euro, ndërkohë që ekportoi mallra në vlerë prej 10 milionë e 573 mijë eurove.

Mali i Zi, për këtë vit ka qenë njëra nga vendet e fundit për Kosovën sa i përket bashkëpunimit tregtar. Për 11 muaj u eksportuan mallta në vlerë prej 34 milionë e 910 mijë euro, ndërkohë që u importuan mallra në vlerë prej 20 milionë e 840 mijë euro.

Ndryshe, siç ka raportuar ditë më parë Gazeta Nacionale, në muajin nëntor importi i mallrave nga Serbia ishin rritur për 6.6 për qind.

"Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin nëntor 2022, arritën në 86.4 milion Euro, ose 18.2% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.6%), Maqedonia e Veriut (5.0%) dhe Shqipëria (4.7%)”, thuhej në raportin e ASK-së.

Ekonomistët…

Ekonomisti, Mustafë Kadriaj i kishte thënë Nacionales së këto produkte nga Serbia mund t’i zëvendësojmë me produkte të tjera.

Ky import është shqetësim për faktin se ne kemi mundur t’i zavendësojmë këto produkte, pasiqë Serbia nuk është i vetmi korridor dhe e vetmja mundësi që të furnizohemi dhe në këtë drejtim Kosova i ka mundësitë që mund tës bashkëpunojë dh të importoj ndonjë produkt që ne kemi nevojë dhe nuk mund ta prodhojmë,” - ka thënë Kadrijaj.

Ai e ka cilësuar si dështim i të bërit qeveri, pasiqë sipas tij, partia në pushtet sa ishte në opozitë kishte kritikuar vazhdimisht për një gjë të tillë, ndonëse tani ndodhë e njëjta edhe me ta.

Në këtë drejtim përveç që është njkë dështim nga ana e të bërit Qeveri, është edhe një dështim i madh sepse patia politikë që është ardhur në pushtet, kur ka qenë në pozitë i ka rrokullisur maunët, ndërsa sot kur ajo qeverisë, importi me Serbinë vetëm po shtohet dita e ditës,” - ka vazhduar ekonomisti Kadriaj.

Në anën tjetër, javë më parë edhe eksperti i ekonomisë, Edison Jakurti ka thënë se nëse kalkulohen të dhënat, tregohet se Kosova paguan çdo ditë nga 1 milionë euro për produkte që importohen nga Serbia.

Sipas ASK-së, deri në fund të tetorit të këtij viti, Kosova ka importuar mbi 310 milionë euro mallra nga Serbia. Kjo i bie që Serbisë ia kemi dhënë mbi 1 milionë euro çdo ditë. Apo rreth 42.5 mijë euro çdo orë. Apo rreth 708 euro çdo minutë. Apo rreth 12 euro çdo sekond. Bojkotoni mallrat e Serbisë!P.S. U deshën 2 minuta e 30 sekonda për ta shkruar këtë status. I bie që gjatë kësaj kohe kemi importuar rreth 1,770 euro nga Serbia. Bojkoto 860!” - ka shkruar Jakurti në Facebook.

Lajme të ngjashme