Prishtina e mbuluar me bërllok: Punëtorët e “Pastrimit” të vendosur, s'e fillojnë punën pa rritje rrogash - NACIONALE

Prishtina e mbuluar me bërllok: Punëtorët e “Pastrimit” të vendosur, s'e fillojnë punën pa rritje rrogash

1 vit më parë

nga Blendrita Avdiu

Prishtina sot është zgjuar e mbuluar nga mbeturinat. Kjo, pasi punëtorët e kompanisë ‘Pastrimi’ kanë vendosur që të hyjnë në grevë. Punëtorët që aktualisht punojnë me 330 euro në muaj, kanë kërkuar rritje pagash për 70 euro.

Ata janë shprehur të bindur se pa plotësimin e kërkesave të tyre nuk do ta ndalin grevën.

Stafi i Nacionales sot ka qëndruar tek oborri i kësaj kompanie për të parë se cilat janë kërkesat e tyre dhe çka presin ata.

Ilaz Rexhepi, njëri nga punëtorët e kësaj kompanie tregoi i tregoi Nacionales se para se të niset për punë, i përqafon fëmijët e tij pasi ka frikë se mund të mos i sheh më.

Në mëngjes si çdo prind i puthi të dy fëmijët në faqe, përshëndetem me ta edhe vij në punë. Duke i parë rrezikun të kamionit pa frena tutna mos ka mundësi mos i thirr dikush me ju thanë ju ka vdekur baba”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka treguar se paguhen vetëm 330 euro, ndonëse thotë se kërkesa e tyre është rritja e pagës, për të paktën deri në 400 euro. Ndër të tjera ai tregoi se janë të rrezikuar për shkak se punojnë me kamion jo në gjendje të rregull, të cilët kanë probleme teknike.

Startin e rrogës për fillim e kemi 330 euro dhe kurrë nuk ka lëvizur, mirëpo është puna që edhe këtë shumë që e kemi lyp është shumë simbolike, pra 70 euro janë për me u bë fiks 400. Na e kemi humb besimin, se kjo është kërkesë e kahershme për rritjen e pagave. Ne jemi edhe vetë të rrezikuar, kamionët nuk kanë as fre të këmbës e dorë. Kemi dalë më ndihmën e zotit kështu”, ka thënë ndër të tjera Rexhepi.

Ai është shprehur i bindur se nuk do të fillojnë punën pa u plotësuar kërkesat e tyre.

Nëse nuk rritet paga, në emër të gjithë punëtorëve nuk do të fillojë puna as edhe një minutë”, ka thënë ai.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe përfaqësuesin e sindikatës së kësaj kompanie, Labinot Makolli.

Ai ka bërë me dije se kërkesat e punëtorëve janë shumë të qarta.

Kërkesat tona janë të qarta. Ne jemi duke kërkuar rritje të pagave, jemi duke kërkuar vetëm 70 euro, pra të bëhet paga diku 400 euro”, ka thënë ai.

Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arbnora Ademi ka treguar se kompania ka 860 punëtorë.

“Që nga dje punëtorët e kësaj kompanie janë duke protestuar apo duke mbajtur një grevë në mënyrë paqësore, karshi kërkesave të tyre për rritje të pagës. Punëtorët e kësaj kompanie përmes përfaqësuesve të sindikatës së tyre kanë parashtruar kërkesat e tyre. Punëtorët këmbëngulin që deri në plotësimin e kërkesave të tyre të mos dalin në punë. Janë plotësisht 860 punëtor”, ka thënë Ademi.

Rama i shqetësuar me grevën

Ndaj situatës së krijuar në kompaninë “Pastrimi”, ka reaguar edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Ai ka thënë se komuna është e përkushtuar që ta arrinë një marrëveshje me punëtoret.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se e kupton zhgënjimin e punëtorëve.

“Rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe kjo situatë është e papranueshme. Ne kemi qenë aktivisht të angazhuar me Ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje dhe jemi të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të drejtë nga e cila do të përfitojnë edhe punëtorët dhe kryeqyteti”, ka shkruar Rama.

Tutje, ai ka theksuar se po punojmë me përkushtim të plotë për të zgjidhur sa më shpejtë situatën.

Ndërkohë, ne jemi duke vendosur të gjitha burimet në dispozicion për të menaxhuar situatën dhe për të pastruar sa më shpejt mbeturinat”, përfundon statusi i tij.

Në mbështetje të grevës ka dal aktivisti i PSD-së, Nol Nushi.

Ai ka kritikuar menaxhmentin e kësaj kompanie, që nuk ka reaguar deri me tani. Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se menaxhmenti aktual duhet të shkarkohet.

“E drejtë dhe e kuptueshme greva e punëtorëve të Pastrimit në Prishtinë. Befasia është mosreagimi me kohë i menaxhmentit. Nuk është e mundur që ata janë zënë në befasi nga kërkesat e punëtorëve. Prandaj, ky menaxhment duhet të shkarkohet sepse nuk kanë dëshmu që mund të kenë lidhje e komunikim të mirë me punetorët!”, ka shkruar Nushi.

Lajme të ngjashme