Derisa qeveria mburret me rritjen e eksporteve, importet bëjnë "kërdi" në bilancin tregtar të vendit - NACIONALE

Derisa qeveria mburret me rritjen e eksporteve, importet bëjnë "kërdi" në bilancin tregtar të vendit

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Kosova mbetet njëra ndër shtetet me deficitin më të lartë tregtar.

Nëse shikojmë raportet mujore, mund të vihet re disbalanca e lartë e Kosovës në eksport dhe import, me këtë të fundit që vazhdon të jetë shumë më i lartë.

Të dhënat e fundit të Tregtisë së Jashtme të Mallrave në Kosovë, publikuar nga ASK, tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6.5 për qind në muajin shtator 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 401.1 milion euro, krahasuar me deficitin prej 376.5 milion euro në vitin 2021.

Krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2021, ky vit ka pësuar një rritje prej 1.9 për qind në eksport dhe 5.8 për qind në import.

Ndonëse prej një baze shumë më të vogël, megjithatë edhe eksporti ka pësuar rritje vitet e fundit.

Si rezultat, qeveria Kurti nuk ka hezituar t’i marrë meritat e shifrave në rritje të eksportit, gjithnjë duke iu shmangur deficitit të lartë tregtar.

Çka thonë njohësit e fushës?

Ekonomisti Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Nacionalen, ka thënë se pavarësisht se eksporti ka pësuar rritje, është më rëndësi të kuptohet se si ka ardhur deri tek rritja dhe kush e ka kontributin më të lartë këtu.

“Është e vërtetë që në aspektin e komunikimit medial nga ana e Qeverisë, promovuan indikatorë të ndryshëm përzgjedhës por besoj që është koha kur duhet t’iu gëzohemi këtyre indikatorëve, mirëpo gjithmonë duhet t’i analizojmë këta indikatorë. Është e vërtetë që ka rritje të eksportit, por më parë duhet të kuptojmë që kjo rritje nuk është meritë e qeverisë por është kontribut dhe angazhim konstant i sektorit privat.” – tha ai.

Sipas Gërxhaliut, është komiteti i biznesit ai i cili ka marrë në duar të veta fatin e diplomacisë ekonomike.

“Në rëndë të dytë, sot komiteti i biznesit në Kosovë e ka marrë në duar të veta fatin e diplomacisë ekonomike dhe po gjen kanale për të depërtuar dhe kjo vërtetë duhet të jetë një vërejtje për institucionet që të bëjë më tepër për sektorin privat.” - pohoi njohësi i ekonomisë.

Në fund, Gërxhaliu u shpreh se një indikatorë tjetër i rritjes se eksportit është edhe rritja e çmimeve duke rezultuar kështu edhe në një volum më të madh në aspektin financiar.

Më tej, njohësi i ekonomisë tha se importi do pritet të arrijë në nivel rekord këtë vit në shumën prej 5 miliardë eurove

“Dhe e treta, një ngritje e tillë e eksportit ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve të lëndëve të para si rezultat i krizës dhe kjo ka ndikuar që të kemi një volum më të madh në aspektin financiar të eksporteve, mirëpo në anën tjetër duhet të kuptojmë që në qoftë se ne mendojmë se kemi rritje të eksporteve falë Devollit, falë Eurometalit, etj. Duhet të kuptojmë se kemi rritje enorme të importit dhe besoj se viti 2022 do të jetë një vit rekord ku do të kemi afër 5 miliardë euro importe dhe e tëra kjo duhet të analizohet me një maturi, me analiza të përpikta ekonomike pa eufori në mënyrë që ky bilanc të përmirësohet dhe jo vetëm të flitet si e arritur e që është meritë e sektorit privat.” - përfundoi Gërxhaliu.

Ndërsa ekonomisti Erton Bega, në një prononcim për Nacionalen, ka thënë se rritja e eksportit po ndodhë si rezultat i punës së palodhshme dhe menaxhimit të mirë të kompanive private.

Sipas tij, në këtë rast qeveria nuk ka asnjë rol, kësisoj nuk mund as të përvetësoj mëritat për rritje.

“Eksportet e Kosovës janë duke u rritur si rezultat i kanaleve të ndërtuara nga kompanitë kosovare ndër vite, të cilat kanë ardhur si rezultat i punës së palodhshme dhe menaxhimit të mirë të kompanive private. Qeveria nuk ka asnjë rol në rritjen e eksporteve dhe nuk mund të përvetësoj meritat e sektorit privat në rritjen e eksporteve. Qeveria në vend që të krenohet e punën e bizneseve, duhet të shqetësohet për rritjen e deficitit tregtar prej 25% këtë vit dhe rritjen e importeve duke përgatitur politika që zëvendësojnë importet me prodhim dhe eksport.” – tha Bega për Nacionalen.

Ekonomisti Edison Jakurti, ditë më parë tha se ndonëse kemi rritje të eksportit, kjo vjen nga një bazë shumë më e vogël krahasuar me importin i cili në 2021 ka qenë më i larti në historin e pasluftës.

“Sa herë flasim për çështje tregtare të tregtisë së jashtme, duhet të flasim për bilancin. Eksporti është shumë mirë që është rritë, por rritja e eksportit në përqindje është impresive, por vjen prej një baze shumë më të vogël. Ta zëmë në vitin 2021, eksporti në mallra është rritë për diku 60 për qind, por edhe importi është rritë dikur për 42 për qind. Importi e ka një bazë shumë më të madhe, dhe përqindja ndonëse është shumë më e vogël, në vlera monetare ka qenë shumë më e madhe. Në këtë rast, po kemi pasur rritje impresive të eksportit por kemi rritje të deficitit tregtar prej 39 për qind në vitin 2021, që është më i lartë në historinë e pasluftës.” – tha Jakurti në një intervistë në emisionin “Interaktiv” në KTV, ditë më parë.

Në muajin shtator, eksporti kapi vlerën e 88 milionë eurove, ndërsa importi ishte hiç më pak se 478.1 milionë euro.

Produktet minerale, metalet bazë, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike, mjetet e transportit, plastika, goma dhe artikujt prej tyre, produktet e industrisë kimike, janë produktet që zënë përqindjen më të lartë të importit në vend.

Shtetet që sjellin produktet e tyre më shumë në Kosovë janë Kina, Turqia, Serbia, Gjermania, etj.

Sa i përket eksportit, partnerët kryesorë të Kosovës janë Gjermania, SHBA, Zvicra, Italia, Holanda, Sllovenia.

Lajme të ngjashme