2022-ta varfëroi popullin e Kosovës: Shifra e fakte shqetësuese të ekspertëve të ekonomisë - NACIONALE

2022-ta varfëroi popullin e Kosovës: Shifra e fakte shqetësuese të ekspertëve të ekonomisë

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Norma e inflacionit në Kosovë preku 14.2 përqindshin këtë vit krahasuar më parprakun, rritjet e çmimeve të ushqimit dhe transportit tejkaluan 20 për qind deri në gusht 2022.

Çmimet e produkteve esenciale në Kosovë janë rritur dukshëm krahasuar me vitin 2021.

Sipas projeksioneve të fundit të FMN-së dhe Bankës Botërore, procesi i rimëkëmbjes post-pandemike në Kosovë u ndal nga forcat globale inflacioniste.

Rritja reale parashikohet të ulet në për shkak të rënies së investimeve dhe shpenzimeve private.

Deri në gusht të këtij viti, kostoja e ushqimit dhe e transportit ishte rritur me pothuajse 20 për qind, duke varfëruar akoma më shumë shtresat me të ardhura më të ulëta, vlerësojnë raportet.

Eksperti i tregjeve financiare, Florin Aliu, në një prononcim për Nacionale, ka thënë se në kohën kur Kosova po shkon drejt një spirale të rënies ekonomike, nuk mund të flitet për vende të reja të punës.

“Kosova po shkon në një spirale ekonomike të rënies, pasi sipas Bankës Botërore inflacioni po kap nivelin 20%. Është e pamundur të flasësh për vende të reja pune dhe rritje ekonomike kur je përballë një niveli kaq të lartë inflacioni. Qëllimi i çdo qeverie duhet të jetë rritja e standardit të jetesës së qytetarëve të saj. Standardin e jetesës e masim me fuqinë blerëse të pagave dhe kjo është duke u ulur në Kosovë. Sot qytetarët e Kosovës kanë më pak para në xhepin e tyre pasi që inflacioni ua ka ulur fuqinë blerëse.” – tha Aliu për Nacionale.

Aliu ka renditur katër argumente, sipas të cilit, demantojnë deklaratat e kryeministrit Kurti dhe ministrit Murati për rritje ekonomike.

“Nuk është aspak e vërtetë ajo që ka deklaruar kryeministri bashkë me ministrin e financave. Argumentet janë si më poshtë.

1. Në kohë inflacioni, njerëzit priren të shpenzojnë më shumë dhe më shpejt pasi e dinë që çmimet priren të rriten çdo javë. Në këto terma, ata tentojnë të harxhojne sa me shpejt paratë e tyre, gjë që tenton të rrisë qarkullimin e parasë në ekonomi. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ata kanë standard më të lartë jetese, por thjesht kanë frikë të mbajnë paratë e tyre në xhep për shkak të inflacionit.

2. Bizneset priren të operojnë me kosto më të lartë të prodhimit pasi të gjitha çmimet janë rritur. Pra, bilancet e tyre janë më të mëdha por vetëm në vlerë nominale. Inflacioni tenton të duket se bizneset operojnë në vëllime më të larta, por vetëm sepse çmimet jane rritur, jo sepse po shesin më shumë.

3. Efektet e këtij inflacioni do të ndihen shumë shpejt mbi bizneset dhe ekonominë. Së shpejti do të shohim rritje të nivelit të papunësisë pasi njerëzit do të kenë më pak para për të shpenzuar. Kur njerëzit do të kenë më pak para për të shpenzuar, atëherë bizneset do të shesin më pak dhe do të vijë rritja e papunësisë. Tani njerëzit po shpenzojnë kursimet e tyre, por së shpejti shumica e tyre do të mbeten pa kursime.

4. Studimet tregojnë se inflacioni krijon përshtypjen se gjithçka po ecën më shpejt në ekonomi, por kjo është vetëm për një kohë të shkurtër. Në gjashtë muaj, inflacioni fillon të japë efektet e tij reale mbi bizneset, qytetarët e thjeshtë dhe ekonominë në tërësi.” – tha eksperti i tregjeve financiare, Florin Aliu.

Ndërsa sipas ekonomistit, Erton Bega, zhvillimi ekonomik i një vendi nuk është medoemos rezultat i politikave të caktuara të një qeverie.

Sipas tij, zhvillimi ekonomik mund të vij nga iniciativa dhe investime të sektorit privat, të cilat, sipas tij, janë tërësisht të pandikuara nga ekzekutivi.

“Progresi ekonomik i një vendi, nuk është domosdoshmërisht rezultat i qeverisjes së atij vendi pasi që në ekonominë e lirë me treg të hapur, shumë zhvillime ekonomike ndodhin nga iniciativat dhe investimet e sektorit privat që janë tërësisht të pavarura nga qeveria. Qeveria e ka mandatin e plotë që të ndërmarrë lehtësira të ndryshme për të nxitur zhvillim më të hovshëm, por në rastin e Kosovës politikat fiskale kanë mbetur të njëjta.” – tha ekonomisti Bega për Nacionalen.

Tutje, Bega shtjelloi ‘pështjellimin’ e krijuar në opinionin publik me deklaratat e Kurtit për 40 mijë vende të reja të punës.

“Pas pandemisë, tregu i punës dhe struktura e ekonomisë ka pësuar shumë ndryshime si pasojë e mbylljes gjatë pandemisë. Ajo që ka ndodhur në tregun e punës gjatë dhe pas pandemisë ka të bëjë me formalizmin e vendeve të punës, dhe është pak e besueshme të mendojmë për hapje të vendeve të reja të punës. Janë dy faktorë që kanë ndikuar në formalizmin e vendeve të punës: 1) fondet për formalizmin e vendeve të punës që i ka ndihmuar bizneset të paguajnë punëtorët e formatizuar përmes pagesës së pjesshme të pagës, dhe 2) lejimi i tërheqjes së fondeve pension ale që i ka bindur qytetarët për të kërkuar kontrata pune, pasi që të njëjtit nuk kishin kontribute për të tërhequr në atë fazë. Në një ekonomi ku punohet në të zezë, edhe formalizmi konsiderohet sukses por nuk është meritë vetëm e kësaj qeverie, pasi edhe qeveria paraprake kishte nxitur formalizmin përmes paketave socio-ekonomike të rimëkëmbjes ekonomike.” – tha ai.

Sa i përket qarkullimit monetar të biznesit, Bega përmendi rritjen e çmimeve si shkak-pasojën reale të kësaj.

Sipas ekspertit të ekonomisë, nëse ekzekutivi do të ishte shkaku i një rritjes së qarkullimit të biznesve, atëherë edhe rritja e madhe e inflacionit do të ishte pasojë e qeverisë.

“Qarkullimi monetar i bizneseve është rritur si pasojë e ngritjes së lartë të çmimeve dhe kjo ka vështirësuar jetën e qytetarëve, të ardhurat e të cilëve kanë mbetur të pandryshuara. Nëse kjo konsiderohet si sukses i qeverisë, atëherë edhe inflacionin do të duhej ta konsideronim “sukses” të saj. Ekonomia dhe bizneset zhvillohen kur rritet volumi i qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve. Shembullin më të mirë për këtë “suksese” të qeverisë e kemi tek raporti i doganës për importet e mallrave për 9 muaj, ku pavarësisht rritjes së vlerës monetare të mallrave të importuara për 23.4%, kemi rënie të peshës së importuar për 14.5%, pra në aspektin financiare kemi rritje, e cila është inflacion arë e jo sukses i performancës së mirë.” – tha ekonomisti Bega.

Sa i përket investimeve të huaja direkte, Bega tha se ato janë rritur 400 milionë, por 85% janë të destinuara për patundshmëri dhe aktivitete financiare e të sigurimit.

Ai theksoi nevojën e tërheqjen e investitorëve të mëdhenj që mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

“Investimet e huaja direkte janë rritur në 400 milion euro, por struktura e tyre vazhdon të jetë e njëjtë si në vitet paraprake ku rreth 85% janë të destinuara për patundshmëri dhe aktivitete financiare e të sigurimit. Kosova ka nevojë për investime të huaja direkte që gjenerojnë prodhim, vende cilësorë të punës, që sjellin ekspertizë, teknologji dhe rrisin eksportet. Qeveria duhet të fokusohet ne tërheqjen e investitorëve të mëdhenj që mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, pasi patundshmëritë (69% e IHD-ve) blihen kryesisht nga mërgata jonë dhe nuk janë investime që sjellin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.” – tha Bega.

Sa i përket rritjes së eksportit, për të cilin kryeministri Kurti krenohet më shumë, Bega tregon se kjo po ndodhë si rezultat i punës së palodhshme dhe menaxhimit të mirë të kompanive private.

“Eksportet e Kosovës janë duke u rritur si rezultat i kanaleve të ndërtuara nga kompanitë kosovare ndër vite, të cilat kanë ardhur si rezultat i punës së palodhshme dhe menaxhimit të mirë të kompanive private. Qeveria nuk ka asnjë rol në rritjen e eksporteve dhe nuk mund të përvetësoj meritat e sektorit privat në rritjen e eksporteve. Qeveria në vend që të krenohet e punën e bizneseve, duhet të shqetësohet për rritjen e deficitit tregtar prej 25% këtë vit dhe rritjen e importeve duke përgatitur politika që zëvendësojnë importet me prodhim dhe eksport.” – përfundoi Bega për Nacionalen.

Se Kosova po përballet me ngadalësim të rritjes ekonomike, më së miri e dëshmon raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN); “Perspektiva Ekonomike Botërore”.

Ekonomia e Kosovës parashikohet të rritet në 2.7% këtë vit, duke ulur pak me 0.1 pikë përqindje parashikimin e tij në prill.

Lajme të ngjashme