Çmimi rritet për 60%, sa kushton një metër dru aktualisht në treg? - NACIONALE

Çmimi rritet për 60%, sa kushton një metër dru aktualisht në treg?

1 vit më parë

nga Blendrita Avdiu

Krahas rritjes se inflacionit në vend, rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve elementare, përfshirë këtu edhe luhatjen e vazhdueshme të çmimeve të naftës dhe krizës energjetike, edhe drutë kanë një çmim jashtëzakonisht të lartë këtë vit.

Të dhënat e raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), Shtator 2022”, tregojnë se çmimi i lëndëve djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet dhe të tjera në muajin shtator është rritur për 9.2%.

I njëjti raport po ashtu specifikon se çmimi i lëndëve djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet, në krahasim me muajin shtator të vitit 2021, ka shënuar rritje për 60.2%.

Aktualisht, në bazë të të dhënave të tabelës së ASK-së, të cilat përditësohen pothuajse çdo ditë, shihet se saktësisht metri i drurit ah kushton 50 euro, ndërkohë që metri i drurit bung kushton më shtrenjtë dhe shitet për 67.33 euro.

A po shiten drutë me të njëjtin çmim edhe në treg?

Gazeta Nacionale sot ka kontaktuar edhe disa druvarë të cilët shesin lëndë djegëse, veçanërisht dru, për të kuptuar më mirë se a po qarkullojnë këto çmime edhe në tregun e përditshëm.

Njëri nga druvarët në Prishtinë në kushte anonimiteti ka thënë për gazetën Nacionale se çmimi i një metri dru të llojit bung aktualisht tregtohet me çmim prej 65 deri në 70 euro, ndërkohë i atij të llojit ah shitet për 45 deri në 60 euro.

Me të njëjtat çmime këto lloje të druve tregtohen edhe në Mitrovicë. Një druvar nga Mitrovica, po ashtu në kushte anonimiteti, tha për gazetën Nacionale se varësisht edhe nga cilësia e drurit, edhe çmimet janë më të larta.

Sipas tyre, në krahasim me vitin e kaluar, kërkesa për blerje është e njëjtë, mirëpo çmimet janë rritur. Sipas prononcimit të tyre, në krahasim me vitin e kaluar, çmimet e druve janë rritur për 20 - 30 euro për metër.

Një metër dru i llojit bung vitin e kaluar është shitur për 35 euro, ndërkohë ahu është shitur për 30 euro.

Sipas tyre, edhe pse kërkesa është e njëjtë për blerje, interesimi për sigurim të druve sivjet ka qenë më i hershëm për shkak të frikës nga paralajmërimi për ndërprerje të energjisë elektrike.

“Kërkesa për blerje është e njëjtë, pra nuk ka as rënie, as ngritje të blerjes, pra qëndron e njëjtë me atë të vitit të kaluar. Ajo se çfarë vërehet këtë vit, është interesimi i mëhershëm i qytetarëve për sigurimin e lëndëve djegëse për shkak të paralajmërimeve që janë bërë për ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike”, ka thënë njëri nga druvarët.

Thirrja për aplikim nga Ministria e Ekonomisë për subvencionim të pajisjeve

Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Ekonomisë ditë më parë ka marrë vendim që t’i subvencionojë qytetarët për pajisje të cilat mundësojnë ngrohje me dru dhe pelet në mënyrë që qytetarët ta kursejnë energjinë elektrike.

Sidoqoftë, aktualisht kjo thirrje për subvencionim është mbyllur para dy ditëve, me arsyetimin se është plotësuar numri i aplikuesve të paraparë për fazën e parë dhe se shuma e ndarë e buxhetit është shterur.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga Ministria e Ekonomisë, numri total i aplikuesve është 5 mijë e 992, ndërkaq shifra e arritur nga aplikimet është mbi 6 milionë euro.

“Pompë termike 1313 aplikues, invertar 2656 aplikues, kallda me biomasë 816 aplikues dhe stufa me biomasë 1207 aplikues. Numri i aplikuesve të cilët janë në kategorinë e mbështetjes së skemës të asistencës sociale është 275. Bëhet e ditur se deri më tani numri total i aplikuesve për fazën e dytë është 218. Ndërsa shifra e arritur nga aplikimet është 6,000,020.00 euro”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Sipas kësaj ministrie, llogaritja është bërë duke u bazuar në kriterin që secili subvencion do të jetë me çmimin maksimal të lejuar, ndërsa thirrja do të rihapet me mjetet e mbetura, pasi të shqyrtohen aplikimet e para nga komisioni vlerësues për shqyrtimin e aplikacioneve për subvencionim.

Lajme të ngjashme