Bankat në Kosovë nuk e njohin krizën, vetëm në janar fituan 2,5 milionë euro më shumë se vitin e kaluar - NACIONALE

Bankat në Kosovë nuk e njohin krizën, vetëm në janar fituan 2,5 milionë euro më shumë se vitin e kaluar

1 vit më parë

nga Blendrita Avdiu

Përkundër rritjes së inflacionit në Kosovë, përfshirë këtu rritjen e çmimeve të produkteve esenciale e energjisë, vetëm një sektor ka përformuar mirë në këtë kohë krize.

Bankat dhe institucionet mikrofinanciare kanë përfituar shuma të majme të hollash. Në fakt, fitimi neto të tyre për rriten çdo vit.

Ndërkohë, qytetarët kanë vazhduar ankesat ndaj këtij sektori për normat e larta të interesit për kredive.

Liridona Murati, është një nga kredi marrëset e bankave të Kosovës. Ajo ka thënë se për 10 vjet rresht ka paguar kredi që e ka marrë për nevojat e saj personale.

Ajo i ka treguar Nacionales se para dy muajsh e ka përfunduar pagesën e kredisë edhe po ndihet shumë më mirë që nuk ka ndonjë obligim ndaj bankës.

Ka plotë 10 vite që kam paguar për kredi që e kam marrë për nevoja personale. Kohën e fundit e kisha shumë të vështirë t’ia dilja edhe të paguaja kredinë për shkak të rritjes së çmimeve. Po ndihem shumë mirë, pasi kishte raste që nuk kisha mundësi që ta paguaja në kohë kredinë dhe telefonatat e zyrtarëve të bankës ishin të vazhdueshme”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka thënë se ekziston vetëm një arsye që tash do të merrte kredi, e ajo arsyeje është ndonjë sëmundje që i duhet me patjetër.

Kurrë nuk do të marrë më kredi për shkak se më është dashur shumë më shumë të kthej para sesa ato që i kam marrë. Ekziston vetëm një arsye që unë do të merrja kredi, e ajo është ndonjë sëmundje e rëndë e që e kam më patjetër, pasi bankat vazhdimisht shfrytëzojnë mundësinë për përfitim nga qytetarët” ka thënë ndër të tjera ajo.

Po ashtu, Murati ka thënë se bankat mundën të bëjnë zgjidhje afatshkurtër, mirëpo barra dhe përgjegjësia që të lënë, sipas saj është shumë e madhe.

“Bankat munden me të ba zgjidhje kur je në hall të madh, mirëpo kjo pjesa e obligimit që ke çdo muaj për pagesë është jashtëzakonisht e vështirë dhe kompleksë”, ka përfunduar ajo.

Edhe Sh. L, e ka pohuar se ka marrë kredi para një viti për disa çështje familjare.

Ajo i ka thënë Nacionales se kjo rritja e çmimeve e bënë pak me të papërballueshme pagesën e këstit mujor, mirëpo megjithatë ajo tregon se nuk paguan edhe shumë për një muaj për kredi.

Sh.L ka thënë se nëse do të kishte edhe njëherë mundësi të merrte kredit, do të merrte për ndonjë investim në ndonjë makinë ose banesë.

Unë e paguaj kredinë që 1 vit. Me bankat skam pas problem sepse përderisa e ki kontratën afatgjatë edhe rrogën e mirë nuk është problem për me ta lëshua. Kredinë e kam marr për çështje familjare edhe pak për vete. Pagesën mundem me përballu sepse edhe ratën nuk e kam bë shumë të madhe qe mos me pas mundësi me përfundu pagesën ose me ngec ndonjëherë. Rritja e çmimeve e bënë pak të vështir sepse për një person qe paguan qira e shpenzime tjera e bën pak të vështirë, por gjithsesi siç e ceka rata e vogël e po i përballoj të gjitha. Nëse kisha marr kredi edhe njëherë kisha marr me shumë kësaj radhe për me ble një banesë ose ndonjë kerr thjesht me investu diçka për vete”, ka thënë ajo.

Sa kanë fituar bankat?

Bankat nuk e kanë njohur këtë krizë. Vetëm në muajin janar, bankat në vend kanë fituar 13,4 milionë euro të pastra.

Siç thuhet në raportin e fundit të BQK-së, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, pra me janarin e vitit 2022, në janarin e këtij viti, bankat kanë fituar rreth 2.5 milionë euro më shumë.

Të hyrat në muajin janar të këtij viti e kapën vlerën e 31,6 milionë eurove, ndërsa shpenzimet ishin 18,3 milionë euro.

Vlera e aseteve të bankave në vend ishte 6 miliardë e 679 milionë e 500 mijë euro. Shuma e kredive deri në janar ishte 4 miliardë e 314 milionë e 700 mijë euro. Nga kjo shumë, 1 miliard e 640 milionë e 200 mijë euro ishin të lëshuara për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 647 milionë e 100 mijë ishin për korporatat jofinanciare dhe 11 milionë e 700 mijë ishin për korporatat e tjera financiare.

Norma në kredi në muajin janar të vitit 2023 ishte 6,6 për qind.

Vlen të theksohet se qytetarët kosovarë kishin 5 miliardë e 543 milionë e 400 mijë euro si depozita nëpër banka.

3 miliardë e 687 milionë e 300 mijë ishin të ekonomive familjare, 1 miliard e 119 milionë e 300 mijë ishin të korporatave jofinanciare dhe 284 milionë e 600 mijë të korporatave të tjera financiare.

Sa është fitimi i institucioneve mikrofinanciare në vend?

Përveç bankave komerciale në vend, janë edhe institucionet mikrofinanciare që kanë fituar një shumë të majme të hollave.

Sipas po të njëjtit raport, IMF-të në vend për një muaj kanë fituar 1,4 milionë euro. Pesë milionë euro ishin të hyra, ndërsa 3,6 milionë ishin shpenzime.

Vlera e aseteve për një muaj ishte 403 milionë e 900 mijë euro. IMF-të gjatë muajit janar kishin kredi të dhuruara ekzistuese me vlerë rreth 291 milionë e 700 mijë euro. 185 milionë e 100 mijë euro ishin për ekonomitë familjare, ndërsa 106 milionë e 600 mijë ishin për korporata jofinanciare.

Norma e interesit në kredi ishte 19,6%.

Qytetarët po varfërohen

Ndërkohë trendi i rritjes së çmimeve në Kosovë ka vazhduar edhe në ditët e para të muajit mars. Këtë e dëshmon ASK-ja përmes përditësimit të tabelave, ku tregon për çmimet mesatare të disa prej produkteve në vend.

Siç shihet në tabelën e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), këto ditë ka pasur rritje të çmimit të makaronave, miellit, kafesë, çajit dhe produkteve të tjera.

Nacionale ka raportuar vazhdimisht për këtë rritje të çmimeve, e po ashtu edhe për ankesat dhe shqetësimet e qytetarëve për këtë çështje.

Ata patën deklaruar se gradualisht shporta e tyre po shkon duke u zbrazur për shkak të çmimeve enorme.

Ndryshe, edhe në raportin e fundit rreth “Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK)”, Kosova ka vazhduar të përballet me rritjen e çmimeve. Sipas ASK-së, inflacioni në janarin e vitit 2023 ka qenë saktësisht 12,1 për qind.

Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2023 me muajin janar 2022 ishte 12.1%.” – shkruan ASK-ja.

Lajme të ngjashme