Çmimet “fluturojnë”: Opozita e përgjumur kritikon Qeverinë në gjumë - NACIONALE

Çmimet “fluturojnë”: Opozita e përgjumur kritikon Qeverinë në gjumë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Rritja ekstreme e çmimeve të konsumit nuk i ka bërë ndonjë përshtypje të madhe Qeverisë së Kosovës. Ndonëse kanë kaluar disa ditë prej kur ka ndodhur kjo, Ekzekutivi nuk ka marrë asnjë veprim në mbrojtje të konsumatorëve.

Subjektet politike opozitare kanë kritikuar Qeverinë për mosreagim ndaj krizës së rritjeve ekstreme të çmimeve të konsumit.

Përfaqësuesit e opozitës kanë bërë me dije se indiferenca e Qeverisë ndaj kësaj krize do ta fusë vendin në një recension ekonomik.

Ata kanë propozuar edhe disa masa, që sipas tyre, qeveria duhet t’i ndërmarrë.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka deklaruar se pushteti aktual është treguar shpërfillës ndaj dy krizave të njëpasnjëshme, të cilat e kanë goditur Kosovën.

Ai ka thënë se Qeveria Kurti ka marrë rolin e spektatorit, duke u shndërruar në vëzhgues, dhe jo aktor.

"Kjo qeveri krizën energjetike e reduktoi në kërkesën që qytetarët të mos luajnë ‘play station’, arsyetimin që rryma nuk ruhet në frigorifer dhe tani rekomandimin që qytetarët ta kthejnë miellin në furrë. Kështu nuk menaxhohet oferta dhe kërkesa në ekonomi", ka deklaruar Ismaili, në një konferencë për medie.

Ai ka vlerësuar se Qeveria Kurti do ta fusë Kosovën në recension ekonomik.

"Në Kosovë sot kemi ngritje marramendëse të çmimeve, ku vaji, buka, mielli, etj, po tregtohen me çmime që nuk përputhen me mundësitë financiare të qytetarit të Kosovës. Pushteti aktual është duke soditur këtë krize nga ndërtesa qeveritare, përderisa qeveritë në rajon dhe Evropë janë duke u marrë aktivisht me krijimin dhe implementimin e politikave, ligjeve dhe veprimeve të ndryshme për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve. Në Maqedoni të Veriut, Kroaci, e më gjerë, kemi veprime konkrete që frenojnë rritjen e çmimeve dhe mbrojnë ekonomitë familjare", ka deklaruar Ismaili.

Ai ka propozuar që Qeveria të ndërmarrë veprime konkrete për largimin e përkohshëm të akcizës së aplikueshme mbi importin e naftës për një periudhë 3 mujore; largimin e TVSH-së për mallrat esenciale si mielli, vaji, kripa dhe sheqeri deri më 1 korrik; largimin e TVSH-së për të gjitha lëndët e para në sektorin e bujqësisë deri më 1 tetor; dhe largimin e TVSH-së për lëndët e para për prodhuesit vendorë të mallrave esenciale deri më 1 shtator.

Kritik ndaj qeverisë është shprehur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Sipas tij, qeveria vetëm po e vëzhgon krizën.

“Përderisa Qeveria jonë kalon edhe një mbledhje si vëzhguese e krizave ekonomike që kanë tronditur vendin tonë e një botë të tërë, shtetet e rajonit po marrin vendime që me javë të tëra i kemi rekomanduar në Kosovë”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në Facebook.

Ai ka përmendur veprimet që qeveritë e vendeve të rajonit kanë marrë.

“Maqedonia e Veriut pak orë më parë, uli TVSH-në në naftë e në derivate nga 18%, në 10%. Uli dhe akcizën për to. Dhe nuk u ndal me kaq, reduktoj në 0% të gjitha tatimet - e brendshme e doganore pa dallim - në të gjitha produktet bazike ushqimore. E bëri me qëllim që përballja e qytetarëve atje të jetë sa më e lehtë. Hapa të tillë po marrin shtetet një nga një; por shteti ynë megjithatë vështron”, ka shkruar ai.

Kurse lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar kryeministri Albin Kurti të veprojë në zbutjen e krizës, ose të largohet nga ajo pozitë.

“Vepro ose lësho rrugë Albin Kurti. A je në tokë të bukës o Albin Kurti. Kush është ka ta saboton shtetin?! A po sheh se matrapazët po ta godasin popullin. Një litër vaj brenda natës po të shtrenjtohet gati dyfish! A je edhe ti pjesë e këtij skenari, apo je shndërruar në “komisar për moral”! Zgjohu o Kryeministër e kryej detyrën që ta ka dhënë populli, ose lësho rrugë. A po e sheh se është ka soset durimi!”, ka shkruar Haradinaj.

Qeveria paralajmëron masa ndaj manipuluesve

Krejt çka ka bërë qeveria në kohen e ngritjes së çmimeve, ka qenë paralajmërimi i kryeministrit Kurti se ndaj manipuluesve të çmimeve do të merren masa.

Dje, në mbledhjen e qeverisë, ai ka thënë se nuk mund të kontrollojnë rritjen e çmimeve që po ndodh shkaku i luftës në Ukrainë.

“Unë e di se qytetarët e kuptojnë fare mirë se çmimet nuk i vendos Qeveria dhe aq më pak unë. E di se ata e njohin shumë mirë përpjekjen e Qeverisë sonë për t’u dalë në ndihmë atyre. Sikur e di se kjo nuk do të thotë se ata nuk brengosen kur çmimet rriten. Atë nuk e kontrollojmë dot, por ajo që mundemi të bëjmë dhe të kontrollojmë është manipulimi e përfitimi në emër të krizës, andaj do të shtohen kontrollet dhe mbikëqyrja”, ka thënë Kurti.

Në mbledhjen e djeshme, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që fermerëve dhe bujqve t’u subvencionohet nafta në vlerë prej rreth 5 milionë eurosh.

Subvencionimi do të bëhet në vlerën prej rreth 0.36 centë për litër naftë, të përllogaritur me hektarë të poseduar të tokës së punuar.

Lajme të ngjashme