Inflacioni 14,1%, Kurti flet për zhvillim ekonomik – a po jeton kryeministri në një botë paralele? - NACIONALE

Inflacioni 14,1%, Kurti flet për zhvillim ekonomik – a po jeton kryeministri në një botë paralele?

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Jeta e kosovarëve është shtrenjtuar. Edhe inflacioni është në kulm. Më i larti që nga viti 2008. Çmimet e produkteve bazike për jetë, po vazhdojnë të rriten, gjersa Qeveria Kurti ende nuk ka marrë ndonjë masë strukturore për të lehtësuar gjendjen e rënduar ekonomike.

Por, shefi i ekzekutivit po vazhdon të përsërisë narrativën e tij, dorën në zemër tashmë të mërzitshme, se Kosova po shënon progres të pashoq ekonomike.

Historia e njëjtë bezdisëse

Ndonëse inflacioni tanimë zyrtarisht është 14,1% në muajin qershor, Kurti njerëzve po u flet me të njëjtën gjuhë, përkundër që rrethanat kanë ndryshuar.

Të njëjtën narrativë për zhvillimin e pashembullt ekonomik të Kosovës, Kurti ia tha kryediplomatit polak, Zbginiew Rau, shkruan gazeta Nacionale.

Madje, ajo çfarë Kurti i tha ministrit të Jashtëm të Polonisë tregon për shkëputjen e kryeministrit nga zhvillimet në vend.

Sipas Kurti, Kosova ka përjetuar rritje të investimeve direkte, rritje ekonomike dyshifrore, e të hyra më të larta tatimore.

“Ai e njoftoi ministrin e jashtëm polak për progresin në një vit qeverisje, rritjen ekonomike prej 10,3 për qind të bruto produktit vendor, rritjen e investimeve të huaja direkte për 22 për qind, të hyrave tatimore për 54 për qind, rritjen e eksporteve për 83,6 për qind në fushat e procesimit të lëndëve të drurit, lëkurës, tekstilit, ushqimit, pijeve dhe të sektorit të teknologjisë së komunikimit dhe të informacionit”, theksohet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Tutje, Kurti e tha edhe një fjali tjetër të stër-përseritur. Sipas tij, kosovarët po shpenzojnë më shumë, sepse ndihen më të lehtësuar nga mungesa e korrupsionit.

“Kur njerëzit kanë shpresë, atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë, dhe kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat, tha ai, gjersa si arsye të qëndrueshme për investime në Kosovë përmendi pozitën e favorshme gjeografike, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, njohjen e mirë të gjuhës angleze, shtrirjen e gjerë të rrjetit të internetit e politikën stabile fiskale”, shkruhet në komunikatën e ZKM-së.

Duket se Kurti po jeton në një botë paralele, duke refuzuar të komentojë për gjendjen alarmante të krizës ekonomike.

Kurti, që është kthyer dje nga Greqia, e ku qëndroi 9 ditë, nuk ka komentuar fare inflacionin që tashmë ka arritur në 14,1%.

Jeta e kosovarëve është shtrenjtuar z. Kurti

Përtej botës paralele të Kurtit, shtrihet bota reale e kosovarëve. E në këtë botë, realiteti është aspak i mirë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, edhe në muajin qershor është rritur kostoja e jetesës në vend.

Kosovarët tani paguajnë më shumë për shumicën e mallrave të konsumit ditor, me koston e naftës për litër që u shtrenjtua më së shumti.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë një shkallë të inflacionit që vazhdon të rritet çdo muaj tash e rreth një vit.

Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit në qershorin që shkoi ishte 14.1%, në krahasim me muajin e njëjtë të 2021-tës.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”, theksohet në raportin e ASK-së.

Por, gjatë muajit qershor, kosovarët u përballën edhe me shtrenjtimin e çmimeve.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,4% në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin maj 2022”, thuhet tutje në këtë raport.

Lajme të ngjashme