Thellohet kriza ekonomike në Kosovë, inflacioni ka arritur në 14,1% - më i larti prej 2008-s - NACIONALE

Thellohet kriza ekonomike në Kosovë, inflacioni ka arritur në 14,1% - më i larti prej 2008-s

1 vit më parë

nga Gazeta Nacionale

Jeta në Kosovë është shtrenjtuar edhe gjatë muajit qershor. Kosovarët paguan më shtrenjtë për shumicën e produkteve bazë, me karburantet që shënojnë rritjen më të madhe të çmimit për litër.

Në raportin e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, inflacioni është jashtëzakonisht i madh. 14.1%, raporton ASK, është norma vjetore e inflacionit në qershor të këtij viti, në krahasim me atë të 2021-tës.

Një normë e tillë e inflacionit është e krahasueshme vetëm me vitin 2008, i cili vit shënon krizën e madhe financiare e ekonomike të krejt eurozonës. Në vitin 2008, gjatë periudhës që njihet si “Recensioni i madh”, norma e inflacionit ishte saktësisht 14.02%.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”, theksohet në raportin e ASK-së.

Madje, gjatë muajit qershor, Kosova përjetoi inflacion pakrahasimisht më të madh se vendet e eurozonës.

Përderisa në 19 vendet e eurozonës pati inflacion 8.6%, në Kosovë ai ishte gati dyfish më i lartë.

Por, gjatë muajit qershor, kosovarët u përballën edhe me shtrenjtimin e çmimeve.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,4% në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin maj 2022”, thuhet tutje në këtë raport.

ASK tregon edhe cilat produkte janë shtrenjtuar më së shumti. Pa dyshim, më së shumti shtrenjtim vërehet në sektorin e karburanteve.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: buka dhe drithërat (1,1%), mishi (1,4%), pemët (3,0%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (2,2%), kafja, çaji dhe kakao (2,3), pijet alkoolike (1,5%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet, etj. (6,0%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1,8%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (15,4%), shërbimet për transport (5,9%), pushime të organizuara (4,1%), shërbime hoteliere (2,3%), kujdesi personal (1,5%)”, sqarohet në raport.

Përveç rritjes së çmimeve, Kosova është përballur edhe me ikjen e shumë qytetarëve.

ASK kohë më parë ka publikuar vlerësimin e popullsisë, e ku tregon statistika interesante për gjendjen e përgjithshme në vend.

Në Raportin e ASK-së, të titulluar “Vlerësimi i Popullsisë”, e që është raport i rregullt vjetor, një e dhënë alarmuese vërehet: popullsia e Kosovës është zvogëluar gjatë vitit 2021.

Saktësisht 24 mijë veta më pak jetojnë në Kosovë nga viti i kaluar, ndërsa 42 mijë veta kanë ikur nga Kosova, e rreth 30 mijë lindje u shënuan në vitin e kaluar.

Rritja e zhvillimi ekonomik për të cilën flet Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, duket se nuk po ndihet nga qytetarët e Kosovës. Ndonëse Qeveria Kurti vazhdon të mburret me punësimin e mijëra personave, ikja nga vendi po vazhdon të jetë alarmante.

Gjatë vitit të kaluar, kohë kur Kurti filloi qeverisjen me Kosovën, dhjetëra-mijëra qytetarë kanë vazhduar të ikin nga vendi. Saktësisht 42 mijë persona kanë emigruar nga Kosova, sipas ASK-së.

Ndryshe, Estonia është vendi më i goditur i BE-së nga inflacioni, i cili ka arritur në 20 për qind në këtë vend baltik.

Estonia po ashtu po përballet me rritjen e çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe qirave.

Vendet e tjera baltike si Lituania dhe Letonia nuk janë shumë prapa me normat e inflacionit që kapin përkatësisht 18.9 për qind dhe 16.9 për qind.

Lajme të ngjashme