Rusia thotë se është e gatshme që të ndërmjetësojë mes Izraelit e Iranit - NACIONALE

Rusia thotë se është e gatshme që të ndërmjetësojë mes Izraelit e Iranit

1 vit më parë

nga Gazeta Nacionale

Rusia mbetet e gatshme për të vepruar si ndërmjetëse në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit dhe propozimi i mëhershëm i Moskës për ta vendosur uraniumin iranian në Rusi mbetet në tavolinë, tha Kremlini të hënën.

Teherani thotë se ka të drejtë për të pasur energji bërthamore paqësore, por programi i tij për pasurim të shpejtë të uraniumit ka shkaktuar frikë në Perëndim dhe në Gjirin Persik se ky shtet synon që të zhvillojë një armë bërthamore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Para se Izraeli t’i niste sulmet kundër Iranit, Rusia tha javën e kaluar se ishte e gatshme që ta largonte uraniumin e pasuruar nga Irani dhe ta shndërronte atë në karburant për reaktorët civilë si mënyrë e mundshme për qetësimin e krizës.

“Ky propozim mbetet në tavolinë, mbetet relevant, por, natyrisht, me shpërthimin e armiqësive, situata është bërë seriozisht e ndërlikuar” – tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu optimizëm të dielën se paqja do të arrihej së shpejti dhe e përmendi mundësinë që homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të mund të ndihmonte në këtë situatë.

Peskovi tha se Rusia mbetet e gatshme për të ndërmjetësuar, nëse nevojitet, por theksoi se shkaqet rrënjësore të konfliktit duhet të adresohen dhe të eliminohen dhe se sulmet ushtarake po e përshkallëzojnë tërë krizën përtej niveleve serioze.

“Rusia mbetet e gatshme për të bërë gjithçka që është e nevojshme që të eliminohen shkaktarët rrënjësorë të kësaj krize, por situata është duke eskaluar më shumë se seriozisht dhe, natyrisht, kjo nuk po ndikon për të mirë në situatë” – shtoi zëdhënësi i Kremlinit./Nacionale

Lajme të ngjashme