Kosovarëve u shtrenjtohet jeta, ekonomistët paralajmërojnë vit të vështirë - NACIONALE

Kosovarëve u shtrenjtohet jeta, ekonomistët paralajmërojnë vit të vështirë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë 100 euro si formë mbështetje për punëtorët e sektorit publik, privat, studentët dhe pensionistët. U tha se kjo masë do të ndihmonte plotë 800 mijë kosovarë duke synuar t’u lehtësohet kapërcimi i krizës së çmimeve.

E për rritjen e kostove të jetesës ka raportuar edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila bëri të ditur se çmimet e konsumit tregojnë për rritje të çmimeve për 10 për qind në muajin mars, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas ASK-së kjo është norma më e lartë e inflacionit që nga maji i vitit 2011.

Sipas ASK-së, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te faturat e energjisë elektrike me 13 për qind, pasuar nga gazi me 11.4 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore kanë pasur rritje prej 11.3 për qind, pijet alkoolike për 5.9 për qind, ndërkaq veshjet për 4.9 për qind, u tha në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit.

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safët Gërxhaliu, i tha Nacionales se meqënëse Kosova është një vend që importon shumë, inflacioni ka goditur direkt shportën e qytetarit.

Tutje Gërxhaliu tha se ndër faktorët që i kanë dhënë hovë krizës ekonomike viteve të fundit, janë mos-mbajtja e rezervave shtetërore.

“Ju e dini që ndër shumë indikatorë me të cilët matët qëndrueshmëria ekonomike e një shteti janë rezervat shtetërore, dhe në këtë drejtim vendet e varfra, vërtetë janë të goditura si në rastin e Kosovës, sepse ju e dini fare mire se edhe pse kemi rekomanduar që duhet të ketë rezerva si mekanizëm për të mbajtur në kontroll lëvizjen e çmimeve, një rekomandim i tillë ka hasë në vesh të shurdhër edhe në të kaluarën. Prandaj sot, qytetarët vërtetë janë duke u ballafaquar me një krizë të paparë”, shtoi Gërxhaliu.

Ekonomisti Gërxhaliu vë theksin edhe tek presionet psikologjike si pasojë e shtrejtimit të jetës dhe ndikimet që mund t’i ketë në jetën e njerëzve në Kosovë. Ai paralajmëron një vit sfidues dhe rritje të mëtutjeshme të inflacionit.

“Trendi i rritjes së çmimeve nuk ka të ndalur, po e shihni që edhe ekonomitë më të mëdha janë të goditura dhe them se viti 2022 do të jetë mjaftë sfidues, ku norma e inflacionit do të jetë shumë më tepër në trendin e rritjes së sa të uljes, thënë ketë bazuar në psikologjinë e çmimeve, ku çmimet shpejtë rriten por asnjëherë nuk bijnë në stadin fillestarë. Poashtu ju po e shihni që po ka edhe spekulime tregtare që po e shfrytëzojnë këtë kohë”, tha Gërxhaliu.

I pyetur nga Nacionale se sa e mbushin shportën e qytetarit 100 euro në një fazë kur çmimet kanë pësuar rritje të lartë, Gërxhaliu thotë se një nivel i tillë i rritjes së çmimeve është shqetësues dhe se kjo nënkupton që atë që qytetari e ka ble në të kaluarën me 100 euro, sot nuk mund ta blejë as me 140 euro.

“Kur krejt kësaj i shtohet fakti që në janar të vitit 2022 kemi pasur inflacion 7.1%, është shqetësuese, dhe kur dihet që në Mars të vitit 2022, kemi arritur në një inflacion dy shifrorë dhe e kemi valutën euro, vërtetë është shqetësuese. Kjo dëshmon që atë që e ka ble qytetari i Kosovës në të kaluarën me 100 euro, nuk mund ta blejë sot më 140 euro(në terma të krahasimit të niveleve të inflacionit me vitet paraprake), proces që do të ketë vazhdimësi”, tha ai.

Mustafë Kadriaj, njohës i ekonomisë, tha se megjithatë ndarja e ndihmës prej 100 euro nga Qeveria Kurti është i mirëseardhur. Por, ai është kritik duke theksuar se Qeveria nuk ka ndonjë pako të mirëfilltë ekonomike për ringjallje të qëndrueshme të ekonomisë kosovare.

Kjo nuk është së paku pako tre muajshe, por vetëm një muaj. Kjo qeveri po shihet që nuk ka interesim në pako ekonomike për ta ringjallur dhe këndellur ekonominë dhe kjo është një lloj mashtrimi i masës dhe pak a shumë është duke luajtur me ndjenjat e kategorisë sociale siç janë pensionistët dhe studentët të cilët nuk kanë të hyra dhe munden me qenë të manipuluar nga ana thjesht populiste e qeverisë, por kjo nuk i bën mirë s qeverisë as ekonomisë së vendit sepse nuk ka nevojë qytetari dhe ekonomia e Kosovës për kësi lloj lojëra”, thekson Kadriaj.

Të martën e kësaj jave, në një konferencë për medie, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, kanë njoftuar se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.

“Sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të Pakos. Kështu që në muajin prill po dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë. Pensionisteve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill, ku nga kjo do të përfitojnë ata që marrin pension bazik, kontribut pagues, për aftësi të kufizuara, të veteranit, e kështu me radhë”, tha Kurti në njoftimin rreth pakos.

Kriza ekonomike si rezultat i pandemisë si dhe invazioni ushtarak rus në Ukrainë që nga 24 shkurti ka ndikuar që të ngritën çmimet e produkteve esenciale ushqimore edhe në tregun e Kosovës, sidomos për derivatet e naftës, miellit dhe bukës, dhe vajit për gatim.

Masën prej 100 eurove e kanë kritikuar edhe liderët e partive opozitare duke theksuar se duhet të ketë një qasje më gjithëpërfshirëse për t’u dalur në ndihmë kosovarëve që po përballen me shtrejtim të jetës.

Kujtojmë që PDK kohë më parë ka prezantuar idenë e tërheqjes së kursimeve pensionale nga Trusti si formë për të përkrahur qytetarët në këtë kohë krize ekonomike.

Këtë ide e ka përkrahur LDK e AAK, por VV që udhëheq me Qeverinë e ka kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së kursimeve nga Trusti.

Lajme të ngjashme