Rritja e çmimeve bëhet enorme: ASK thotë se ka shkuar në 12.5 për qind - NACIONALE

Rritja e çmimeve bëhet enorme: ASK thotë se ka shkuar në 12.5 për qind

1 vit më parë

nga NACIONALE

Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK] ka bërë të ditur se inflacioni është rritur në 12.5 për qind teksa sipas indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit është rritur për 0.9 për qind.

Rritja e inflacionit nënkupton ngritje të çmimeve të konsumit dhe shërbimeve.

Sipas ASK-së, ngritja e çmimeve vërehet më shumë në bukë dhe drithëra. Këto produkte u rritën për 1.8 për qind, pasuar nga mishi 4.3 për qind, qumështi, djathi dhe vezët 0.5 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore 5.2 për qind, pemët 5.4 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat 1.3 për qind.

Ndërsa uji, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet 1.0 për qind, dhe pijet alkoolike 0.9 për qind.

“Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.9 për qind në muajin maj 2022 krahasuar me muajin prill 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit të bukës dhe drithërave me 1.8 për qind, mishi me 4.3 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 0.5 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore me 5.2 për qind, pemët me 5.4 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 1.3 për qind, prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë me 2.3 për qind dhe kafja, çaji dhe kakao me 1.9 për qind”, thuhet në raport.

Po ashtu, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal kanë pësuar rritje prej 5.5 për qind.

ASK bën të ditur se rënie e çmimeve vërehet te perimet dhe energjia elektrike për shkak të rënies së konsumit.

Rritja e çmimeve në Kosovës sipas ekonomistëve ndikon pasi Kosova importon shumë produkte nga jashtë vendit.

Sipas raportit të ASK-së, importimi i mallrave në mars të këtij viti ka kapur vlerën e 493.9 milionë eurove, ndërsa eksporti ka qenë në vlerë prej 88.6 milionë euro.

“Eksporti i mallrave në muajin mars 2022 kishte vlerën 88.6 milionë Euro, ndërsa importi 493.9 milionë Euro, që është një rritje prej 43.3% për eksport dhe 29.1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021”, thuhet në statistikat e ASK-së.

Me rritjen e çmimeve është vështirësuar edhe jetesa e qytetarëve.

Për shkak të inflacionit, Qeveria Kurti ka ndarë nga 100 euro për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

Deri më tani, vetëm disa kanë përfituar nga kjo masë pasi që studentët ende janë në pritje.

Në anën tjetër, partitë opozitare, PDK, LDK e AAK, po e kritikojnë Qeverinë Kurti për mosveprim.

Nga Partia Demokratike e Kosovës [PDK], kanë thënë se Qeveria po kontribuon aktivisht në thellimin e krizës së qytetarëve të Kosovës dhe kanë kërkuar heqjen e akcizës për produkte.

“Heqja e TVSH-së dhe akcizës për një periudhë të caktuar, të cilat ne qysh moti i kemi rekomanduar, janë vetëm disa nga veprimet me të cilat do të mund të përmirësohej kjo gjendje. Qeveria nuk e ka pasur fajin për shtrenjtimin e çmimeve në tregjet e jashtme, por ajo ka shumë faj në politikat e brendshme, që s’po e merr as mundin minimal për të bërë zgjidhje. Është përgjegjësi e saj, është detyrë e saj”, ka thënë Blerand Stavileci në një konferencë për media më 5 qershor.

Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK], Lumir Abdixhiku, të hënën me anë të një shkrimi në Facebook, e ka quajtur krim mosveprimin e qeverisë.

“Sot, bëhen 100 ditë nga propozimi ynë i parë për reduktim të akcizës në derivate e reduktim të TVSH-së në produkte esenciale. Ky propozim është refuzuar e po refuzohet nga pushteti arrogant i Kurtit. Çmimi i naftës këtë mëngjes shënon rekord të ri prej 1.90 eurove për litër; derisa inflacioni i gjithëmbarshëm ka arritur në plot 13%. Në këtë krizë të paprecedentë, mosveprimi është krim!”, ka shkruar ai.

Tutje, Abdixhiku ka thënë se do të dorëzojnë kërkesën për debat parlamentar dhe rezolutë në Kuvend për këto tema.

Nërkaq nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], kanë kërkuar që të rritet paga minimale.

Këto parti e përkrahin po ashtu tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti. Nismë kjo që është kundërshtuar nga Qeveria Kurti dhe deputetët e shumicës.

Lajme të ngjashme