Inflacioni në kulm, hidhen poshtë lëvdatat e Qeverisë Kurti për rritje të pashembullt ekonomike - NACIONALE

Inflacioni në kulm, hidhen poshtë lëvdatat e Qeverisë Kurti për rritje të pashembullt ekonomike

4 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Rritje e pashembullt ekonomike e eksport i lartë është togfjalëshi që kryeministri Albin Kurti e përdorte shpesh për të përshkruar gjendjen në Kosovë gjatë qeverisjes së tij. Madje, i pari i ekzekutivit kishte edhe një shifër të saktë të rritjes ekonomike. 10% ishte rritja sipas Kurtit.

Ai kishte vendosur një objektivë të madhe para vetes. Kurti theksonte se Kosova do ta zë për nga zhvillimi ekonomik edhe Kroacinë, vend që është pjesë e Bashkimit Europian.

“Ekonomia e vendit tonë asnjëherë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit, rreth 10 për qind dhe këtë duhet ta ndjekim me një rritje të prodhimtarisë dhe eksportit”, theksonte disa herë Kurti.

Por, duket se jo gjithçka ka shkuar sipas planeve të kryeministrit Kurti. Përtej vetë-lëvdatave të kryeministrit Kurti, një e vërtetë tjetër është tashmë mbizotëruese.

Ekonomia e Kosovës është në krizë, gjersa çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm vazhdimisht po shënojnë ngritje.

Inflacioni më i madh në 14 vitet e fundit

Një krizë e tillë së fundmi u vërtetua edhe nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Jeta në Kosovë është shtrenjtuar edhe gjatë muajit qershor. Kosovarët paguan më shtrenjtë për shumicën e produkteve bazë, me karburantet që shënojnë rritjen më të madhe të çmimit për litër.

Në raportin e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, inflacioni është jashtëzakonisht i madh. 14.1%, raporton ASK, është norma vjetore e inflacionit në qershor të këtij viti, në krahasim me atë të 2021-tës.

Një normë e tillë e inflacionit është e krahasueshme vetëm me vitin 2008, i cili vit shënon krizën e madhe financiare e ekonomike të krejt eurozonës. Në vitin 2008, gjatë periudhës që njihet si “Recensioni i madh”, norma e inflacionit ishte saktësisht 14.02%.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”, theksohet në raportin e ASK-së.

Por, gjatë muajit qershor, kosovarët u përballën edhe me shtrenjtimin e çmimeve.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,4% në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin maj 2022”, thuhet tutje në këtë raport

LDK kërkon llogaridhënie

Lidhja Demokratike e Kosovës, që tash është në opozitë, e ka bërë të qartë se do të kërkojë llogaridhënie nga Qeveria e Kosovës për krizën e inflacionit që tashmë ka kapluar Kosovën.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, i tha Nacionales se LDK nuk do të ndalet.

“Nuk do të ndalemi. Do ta mbajmë përgjegjëse qeverinë dhe mazhorancën për mosmarrjen e asnjë veprimi për të zbutur krizën nga rritja e çmimeve”, tha Hoti.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka theksuar se inflacioni ka prekur të gjitha fushat.

“Gjendjen ekonomike e rëndon fakti se inflacioni për produktet bazë kalon disa herë mesataren e inflacionit në vend, rrjedhimisht kjo gjendje ka atakuar sidomos familjet me të ardhura të ulëta dhe të ardhura mesatare”, deklaroi Bajrami për Nacionale.

Tutje, për ish-ministren e Financave, shqetësues është pasiviteti i Qeverisë dhe mungesa e masave nga ana e Kurtit.

“Shqetësues është fakti që derisa inflacioni është në trend rritës, Qeveria është pasive dhe po refuzon të marrë masa për të adresuar krizën në të cilën po fundosemi si vend, përkundrazi ata pa turp po krenohen që inflacioni u ka mundësuar atyre të vjelin më shume tatime dhe taksa nga qytetarët e varfëruar nga inflacioni”, theksoi Bajrami.

Lajme të ngjashme