Inflacioni 14,1%, Hoti paralajmëron Qeverinë Kurti: Do t’ju mbajmë përgjegjës për krizën - NACIONALE

Inflacioni 14,1%, Hoti paralajmëron Qeverinë Kurti: Do t’ju mbajmë përgjegjës për krizën

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Edhe në muajin qershor është rritur kostoja e jetesës në Kosovë. Kosovarët tani paguajnë më shumë për shumicën e mallrave të konsumit ditor, me koston e benzinës për litër u shtrenjtua më së shumti.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë një shkallë të inflacionit që vazhdon të rritet çdo muaj tash e rreth një vit.

Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit në qershorin që shkoi ishte 14.1%, në krahasim me muajin e njëjtë të 2021-tës.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një prononcim për Nacionalen tha se rritja e dukshme e çmimeve vërehet te produktet kryesore si vajrat dhe yndyrat ushqimore.

“Çmimet në qershor 2022 u rritën mesatarisht 14% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Por, për produktet kryesore rritja ishte shumë më e madhe: Vajrat dhe yndyrat ushqimore (53,8%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (67,3%), gazi (39,3%), buka dhe drithërat (27,7%), qumështi, djathi dhe vezët (22,3%), etj.”, tha Hoti.

I pyetur nga Nacionale nëse do të thirret interpelancë për këtë çështje, Hoti deklaroi se LDK tashmë ka kërkuar heqjen e përkohshme të akcizës në naftë dhe zgjerimin e rritjes së mallrave me normë të reduktuar të TVSH-së.

“Kemi thirrur debat parlamentar dhe kemi prezantuar rezolutë me dy pika: heqja e përkohshme e akcizës në naftë dhe rritja e listës së mallrave me normë të reduktuar të TVSH-së prej 8%, por mazhoranca ka votuar kundër”, tha Hoti për Nacionalen.

Më tej, Hoti tha se ata nuk do të ndalen dhe do të vazhdojnë ta mbajnë përgjegjëse qeverinë për mosveprim.

“Nuk do të ndalemi. Do ta mbajmë përgjegjëse qeverinë dhe mazhorancën për mosmarrjen e asnjë veprimi për të zbutur krizën nga rritja e çmimeve”, tha Hoti.

Një normë e tillë e inflacionit në Kosovës është e krahasueshme me vetëm vitin 2008, i cili vit shënon krizën e madhe financiare e ekonomike të krejt eurozonës. Në vitin 2008, gjatë periudhës që njihet si “Recensioni i madh”, norma e inflacionit ishte saktësisht 14.02%.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”, theksohet në raportin e ASK-së.

Madje, gjatë muajit qershor, Kosova përjetoi inflacion pakrahasimisht më të madh se vendet e eurozonës.

Përderisa në 19 vendet e eurozonës pati inflacion 8.6%, në Kosovë ajo ishte gati dyfish më shumë.

Por, gjatë muajit qershor, kosovarët u përballën edhe me shtrenjtimin e çmimeve.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,4% në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin maj 2022”, thuhet tutje në këtë raport.

ASK tregon edhe cilat produkte janë shtrenjtuar më së shumti. Pa dyshim, më së shumti shtrenjtim vërehet në sektorin e karburanteve.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: buka dhe drithërat (1,1%), mishi (1,4%), pemët (3,0%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (2,2%), kafja, çaji dhe kakao (2,3), pijet alkoolike (1,5%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (6,0%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1,8%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (15,4%), shërbimet për transport (5,9%), pushime të organizuara (4,1%), shërbimet hoteliere (2,3%), kujdesi personal (1,5%)”, sqarohet në raport.

Lajme të ngjashme