40 mijë vende pune, 400 milionë investime dhe shifra tjera: Albin Kurti në 'botën e çudirave' - NACIONALE

40 mijë vende pune, 400 milionë investime dhe shifra tjera: Albin Kurti në 'botën e çudirave'

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në Facebook, shkroi plotë 436 fjalë me mbishkrimin “Progresi ekonomik i Kosovës”.

Në këtë shkrim, kryeministri Kurti ka treguar për ndihmën që sipas tij iu është bërë bizneseve vendore, rritjen e eksportit, shtimin e vendeve të reja të punës, investimet e huaja direkte, etj, që, sipas tij, janë dëshmi e qartë se “progresi ekonomik nuk është hamendësim e as rastësi”.

Lexo edhe:

Raporti ''brutal'' i Bankës Botërore: Kosova me pako të dështuara sociale, me çmime të larta e ngadalësim të rritjes ekonomike

Por për çfarë progresi ekonomik po flet Kurti?

Norma e inflacionit në Kosovë preku 14.2 përqindshin këtë vit, rritjet e çmimeve të ushqimit dhe transportit tejkaluan 20 për qind deri në gusht 2022.

Çmimet e produkteve esenciale në Kosovë janë rritur dukshëm krahasuar me vitin 2021. Këtë e konstatojnë edhe gjetjet e Agjencionit të Statistikave të Kosovës.

Megjiatë, kryeministri Kurti, në vitin e varfërimit të madh të qytetarëve, inflacionit më të lartë, brenda botës së çudirave, shkroi për "progresin ekonomik të Kosovës".

Eksporti dhe vendet e rejat të punës janë pikat kyçe përmes të cilave i pari i ekzekutivit tha se janë tregues i qartë i rritjes ekonomike në Kosovë.

Lexo edhe:

Çmimet po ‘shtrydhin’ standardet e jetesës – çka (s') po bën Qeveria ?

Eksporti

Eksporti padyshim mbetet padyshim indikatori më pozitiv në zhvillimin, rritjen e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e punësimit në vend.

Në pothuajse çdo qeverisje, si vend në zhvillim e sipër, eksporti i Kosovës ka qenë vazhdimisht në rritje.

Pas një “stagnimi ekonomik” gjatë kohës së pandemisë COVID-19, eksporti në Kosovë ka shënuar rritje rapide.

Si rezultat, natyrshëm që rritja e eksportit zë pjesën më të madhe në mesin e indikatorëve që tregojnë rritje.

“Eksportin përgjatë periudhës janar-shtator 2022 e kemi për 25.6% më të lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja mesatare vjetore e eksportit gjatë periudhës janar-shtator të viteve 2008-2020 është 15.7%, ndërsa rritja mesatare e eksportit në periudhën e njëjtë të dy viteve të fundit e gjatë qeverisjes sonë është 47.3%. Pra, me Qeverinë tonë eksportet në këtë periudhë janë rritur trefish më shpejtë sesa në krahasim me vitet kur kanë udhëhequr qeveritë e kaluara.” – shkroi Kurti në Facebook.

Megjithatë, i pari i qeverisë nuk ishte në gjendje të përmend ndonjë politikë konkrete të implementuar nga qeveria e tij, të cilat mund të kenë ndikuar direkt në rritjen e eksportit.

Veç kësaj, kryeministri Kurti, ka anashkaluar apo nuk e ka vënë re fare që ndikimi i qeverisjes së tij, deri me tani, i vrojtuar statistikisht, nuk ka qenë i dukshëm marrë në konsideratë faktorë të tjerë të ndryshëm shumë negativë në vend si: deficiti i lartë tregtar, presioni i çmimeve në rritje, importet e mallrave të cilat u rritën me 26 për qind deri në korrik 2022, duke rezultuar kështu në rëndim të deficitit tregtar.

Ndonëse kryeministri Kurti krenohet me shifra të tilla në eksport, kompanitë eksportuese në Kosovë ende ballafaqohen me probleme të mëdha.

Për shembull, ekonomia e Kosovës ka mundësi reale për të hequr nga lista shumë nga importet, duke rritur mundësitë për prodhim, dhe në këtë mënyre t'i zgjeroj pritjet për eksport.

“Në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune”

Në një prononcim për Nacionalen, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat u përgjigj shkurt: Nuk është e vërtetë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përsëritur dhjetëra herë se Qeveria që udhëheq ka krijuar 25 mijë vende të reja të punës.

Edhe sa vite do ta përmend këtë dhe cili është realiteti?

Në tetorin e vitit 2021 në Bërdo të Sllovenisë, kryeministri i Kosovës do të përmendte një shifër tjetër: 31 mijë.

“Në fund të muajit gusht shënuam rritje prej 31 mijë vende të reja pune krahasuar me nivelin e para pandemisë.”

Një muaj më vonë, Besnik Bislimi do të deklaronte se ishin krijuar 9 mijë vende të reja të punës.

Obsesionimin’ me shifra, vartësit e Kurtit e kishin shfaqur edhe gjatë vitit 2020 me ministrin e atëhershëm të Financave, Besnik Bislimin që pretendonte të kishte krijuar vende të reja të punës gjatë pandemisë, kur ekonomia e vendit do të mbyllej me masa të rrepta restriktive.

Në realitet, shtimi i vendeve të reja të punës, ngjashëm si me eksportin, kishte të bënte me periudhën post-pandemike.

Veç kësaj, bazuar në raportin e “Mbrojtjes Sociale për Rimëkëmbje” të Bankës Botërore, punëdhënësit raportojnë gjithnjë e më shumë vështirësi në plotësimin e vendeve të lira të punës, informaliteti dhe mospërputhjet e aftësive që kanë përcaktuar prej kohësh tregun e punës janë ende të pranishme.

Sipas këtij raporti, pjesëmarrja e ulët e fuqisë punëtore dhe punësimi, veçanërisht në mesin e grave, vazhdojnë të jenë një pengesë e madhe për rritjen dhe reduktimin e varfërisë.

Sipas publikimit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), “Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e tretë të vitit 2021”, në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, shkalla e papunësisë ka qenë 17.7 për qind.

Rezultatet për këtë periudhë kohore, po ashtu tregojnë se fuqia joaktive është mjaft e lartë, me 59.4 për qind.

Bazuar në këto shifra, pretendimi i Kurtit se po hapen vende të reja të punës po dalin të jenë absurde dhe të pabazuara në realitetin faktik.

Fakte regresi të Bankës Botërore

Në raportin të fundit të Bankës Botërore për ekonominë në Evropë dhe Azinë Qendrore, të titulluar “Mbrojtja Sociale për Rimëkëmbje”;

- Rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) të Kosovës parashikohet të bjerë në 3.1% në vitin 2022 si rezultat i rënies së investimeve dhe shpenzime private,

- Shpenzimet kapitale mbetën jashtëzakonisht të ulëta;

- Importet e mallrave u rritën nominalisht me 26 për qind deri në korrik 2022, duke rënduar deficitin tregtar të Kosovës;

- Rritja ekonomike vazhdon të pengohet nga niveli i lartë i papunësisë;

- Presioni i çmimeve në rritje po varfëron edhe më shumë më pak të pasurit;

- Skemat e ndihmës sociale janë jofleksibile dhe mund të ofrojnë vetëm mbrojtje të kufizuar për më të cenuarit;

- Inflacioni u rrit duke arritur në 13 për qind në gusht 2022, i shkaktuar nga një rritje në çmimet e importit;

- Rritjet e çmimeve të ushqimit dhe transportit tejkaluan 20 për qind deri në gusht 2022, duke ndikuar në mënyrë disproporcionale më të cenuarit.

Lajme të ngjashme