Çmimet po ‘shtrydhin’ standardet e jetesës – çka (s') po bën Qeveria ? - NACIONALE

Çmimet po ‘shtrydhin’ standardet e jetesës – çka (s') po bën Qeveria ?

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar sot raportin për “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” për muajin gusht të këtij viti. Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit e matur në gusht 2022 krahasuar me gushtin 2021 ishte 13%.

Pavarësisht se është më e ulët se 14.2% e muajit të kaluar, rënia e ndjeshme e të ardhurave reale është shqetësuese.

Sipas një raporti të korrikut të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që nga viti 2021, çmimet e konsumit janë rritur vazhdimisht më shpejt se sa pritej gjerësisht.

Rënia e kërkesës globale dhe problemet me zinxhirin e furnizimit ka të ngjarë të shkaktojnë një ngadalësim më të madh të rritjes së tregtisë globale në 2022 dhe 2023 sesa ishte parashikuar më parë.

Në lidhje me këtë, eksperti i ekonomisë, Edison Jakurti, sugjeroi se në mënyrë që të ruhet fuqia blerëse dhe të luftohet presioni që vjen nga inflacioni, pagat të rriten për të paktën 11.2 për qind, gjë që do të kontribuonte në rritjen e fuqisë blerëse.

“Sipas ASK-së, inflacioni vjetor në gusht qenka 13%. Ndonëse është më pak se muajin e kaluar, kur ishte 14.2%, mbetet shqetësuese rënia e madhe në të ardhurat reale. Për shembull, vlera reale e 100 eurove në gusht 2021 ka qenë rreth 90.8 euro, ndërsa në gusht 2022 ka rënë në 80.3 euro. E gjatë gjithë këtij viti, mesatarja e inflacionit është 11.2%. Kjo do të thotë se, nëse duam që ta ruajmë fuqinë blerëse, pagat duhet rritur për së paku 11.2%”, ka thënë Jakurti.

Ndërsa ish-kryeekonomisti i Bankës Qendrore, Arben Mustafa, i ka thënë Nacionales se me masat e ndërmarra, qeveria vetëm po krijon pasiguri në ekonominë e tregut të lirë.

"Gatishmëria e qeverisë aktuale për të ndërhyrë në çmimet e sektorit privat në vend të përdorimit të instrumenteve të politikave ekonomike në dispozicion, rrezikon lirinë ekonomike dhe krijon pasiguri për të ardhmen e ekonomisë së tregut të lirë të Kosovës", tha ai.

Tutje, ai sygjeroi që qeveria e vendit të marrë rolin që i takon në një shtet të ekonomisë së lirë duke shfrytëzuar politikat e duhura fiskale që do të kontribuonin në zbutjen e krizës.

"Qeveria e Kosovës nuk duhet të humbë kohë edhe më tutje duke improvizuar me masa, por kërkohet që urgjentisht ta ushtrojë rolin që i takon, duke shfrytëzuar politikën fiskale për të ndikuar në frenimin e rritjes së çmimeve", tha Mustafa.

Kujtojmë që Kosova në këtë vit po përjeton inflacionin më të lartë që nga koha e pasluftës. Sipas FMN-së, prioriteti kryesor i politikës është vënia nën kontroll e inflacionit pasi stabiliteti i çmimeve është një parakusht për një rritje të qëndrueshme të mirëqenies ekonomike dhe stabilitetit financiar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundi ka shpalosur një paketë të re financiare prej 150 milionë eurosh, e cila, sipas tij, synon të ndihmojë popullatën në përballjen me situatën e inflacionit.

Në një konferencë për media, ai njoftoi se do t’u dalë në ndihmë disa kategorive shoqërore me nga 50 dhe 100 euro, dhe me subvencione për energjinë elektrike dhe sektorin privat.

Nga kjo pako, në vlerë prej 150 milionë euro, punëtorët e sektorit publik do të ndihmohen me nga 50 euro, për çdo muaj të këtij viti fiskal, pensionistët, studentët, punëtorët e ndërmarrjeve publike me 100 euro.

Siç sugjeron FMN, me rritjen e çmimeve që vazhdojnë të shtrydhin standardet e jetesës në mbarë botën, politikat e zbutjes së inflacionit duhet të jenë përparësia e parë për politikëbërësit, politikë ndaj të cilës, sipas ekspertëve të ekonominsë, qeveria po qëndron indiferente.

Lajme të ngjashme