Kosova 'pre' e inflacionit global: Çmimet e produkteve ushqimore u rritën për 19.2 për qind gjatë qershorit
Presionet inflacioniste globale janë rritur në tremujorin e dytë 2022, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Problemet e zinxhirit të furnizimit dhe të transportit, si dhe paqëndrueshmëria e shtuar dhe rritja e çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe mallrave, po përshpejtojnë rritjen globale të çmimeve.
Sipas një raporti të Bankës Botërore (Goditjet e çmimeve të ushqimit dhe energjisë nga lufta në Ukrainë mund të zgjasin me vite), në vitin 2022, çmimet e energjisë parashikohen të rriten me më shumë se 50%. Çmimet për mallrat joenergjetike si metalet dhe bujqësia parashikohen të rriten me afërsisht 20% në vitin 2022 përpara se të ulen në vitet në vijim. Çmimet për mallrat joenergjetike si metalet dhe bujqësia parashikohen të rriten me afërsisht 20% në vitin 2022 përpara se të ulen në vitet në vijim.
Poashtu, në këtë raport parashikohet që çmimet e mallrave të qëndrojnë dukshëm më të larta se mesatarja e fundit pesëvjeçare. Çmimet mund të jenë edhe më të larta dhe më të paparashikueshme se sa pritej në rast të një konflikti të zgjatur ose sanksioneve të reja kundër Rusisë.
Shumë publikime të tjera të kohëve të fundit tregojnë se sa thellë dhe gjerësisht ka ndikuar lufta në Ukrainë në ekonomitë evropiane. Edhe pse Kosova nuk ka lidhje të rëndësishme me Ukrainën apo Rusinë, përsëri nuk ka arritur të jetë imune ndaj krizës.
Sipas përditësimit të Bankës Botërore për sigurinë ushqimore “Food Security”, nga prilli deri në korrik 2022, inflacioni i lartë në produkte ushqimore vazhdon në pothuajse të gjitha vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Normat e inflacionit kanë tejkaluar 5% në 92.9% të vendeve me të ardhura të ulëta, 92.7% të vendeve me të ardhura të ulëta të mesme dhe 89% të vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Në Kosovë, inflacioni i produkteve ushqimore për muajin qershor ishte 19.2 për qind, sipas një analize të Bankës Botërore.
Sipas edicionit të pranverës 2022 të Raportit të Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore “Drejtimi përmes krizës” (Gashi, Petrit. (2022). THE WAR IN UKRAINE YET AGAIN EXPOSES WEAKNESES OF KOSOVO’S GROWTH MODEL), përderisa rritja e eksporteve në Kosovë ka arritur nivele rekord, deficiti i llogarisë rrjedhëse është përkeqësuar për shkak të rritjes së importeve. Si rezultat, Kosova në mënyrë indirekte po thith efektet e krizës ukrainase përmes partnerëve të saj kryesorë ekonomikë.
Sipas ASK-së, në dhjetë vitet e fundit Kosova ka eksportuar në total pak më shumë se 300,000 € në Rusi dhe Ukrainë (rreth 60,000 € në të parën dhe 246,000 € në të dytën), ndërsa importet për të njëjtën periudhë ishin dukshëm më të larta, duke arritur në rreth 335 milion € (rreth 200 milionë euro nga Rusia dhe 130 milionë euro nga Ukraina). Rritja është evidente sidomos pas vitit 2015 dhe është në rritje të vazhdueshme që atëherë: së bashku importet nga Ukraina dhe Rusia arrijnë në: 61 milionë euro (2019); 65.4 milion € (2020); dhe 87.4 milionë euro (2021)
Aktualisht, institucione të ndryshme kanë ulur projeksionet e rritjes për Kosovën në vitin 2022: Banka Botërore – 3.9%; FMN – 2,9% dhe BERZH – 4,0%. Nëse pasiguritë vazhdojnë, shifrat e rritjes për Kosovën mund të duhet të rishikohen përsëri gjatë vitit.