Gjysmë e vërteta e Muratit për BPV-në: konsumi familjar ra, shpenzimet qeveritare u rritën ndjeshëm
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, publikoi dje një grafik në pamje goxha optimist për ecurinë ekonomike të Kosovës - rritje ekonomike 5.43% në tremujorin e parë të vitit 2026, përkundrejt mesatares rajonale prej 2.86%. Megjithatë, konteksti që mungon është fakti se kjo shifër nuk reflekton shëndet të vërtetë financiar, me rënian e konsumit privat që u mbulua nga rritja agresive e shpenzimeve qeveritare.
"Rritja ekonomike në tremujorin e parë të këtij viti ka shënuar 5.43%, gjë që paraqet një përshpejtim të ritmit të rritjes, përkundër sfidave globale me të cilat po përballet vendi. Me qeveri të rikonfirmuar me 51.1% në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, sigurisht që u rrit edhe konfidenca e bizneseve për të investuar e për ta zgjeruar aktivitetin biznesor", shkroi ndër tjera Murati në atë postim në Facebook.
Por, publikimi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës për Bruto Prodokutin Vendor na tregon se, në të njëjtin tremujor, konsumi final i ekonomive familjare shënoi rënie prej 0.91%, ndërkohë që konsumi qeveritar u fryu me 16.53% dhe sektori i administratës publike, arsimit, shëndetësisë e punës sociale shënoi zgjerim marramendës prej 22.11%.
Realiteti pas shifrës është krejt tjetër nga ai që Murati sugjeron: nuk kemi të bëjmë me ekonomi ku qytetarët shpenzojnë me besim e ku bizneset zgjerojnë veprimtarinë nga konfidenca por me tremujor ku arka shtetërore e ka mbajtur "artificialisht" rezultatin.
| Komponenti | Ndryshimi real | Kontributi në rritjen 5.43% |
|---|---|---|
| Konsumi final i ekonomive shtëpiake dhe NPISH Komponenti privat i konsumit | Rënie: -18.5 mln € | Kontribut negativ: -0.83 p.p. |
| Konsumi final i Qeverisë Shpenzimet publike të konsumit | Rritje: +54.6 mln € | Kontribut pozitiv: +2.47 p.p. |
| Formimi bruto i kapitalit Investime dhe akumulim kapitali | Rritje: +23.1 mln € | Kontribut pozitiv: +1.04 p.p. |
| Neto-eksportet Eksportet minus importet | Rritje: +61.1 mln € | Kontribut pozitiv: +2.76 p.p. |
Nëse shihet përtej një tremujori të vetëm dhe matet me kontekstin historik të viteve të fundit, mburrja e Muratit me ecurinë e BPV-së zbehet ndjeshëm dhe lë pak hapësirë për optimizëm.
Tremujori i parë i vitit 2024 kishte shënuar rritje 6.77%, ndjeshëm mbi 5.43% që sot paraqitet si arritje. Viti 2025 në tërësi ishte ndër performancat më të dobëta të dekadës: Rritja reale vjetore në 3.6% e 2025-ës ishte niveli më i ulët i rritjes që nga viti 2018, duke mos llogaritur vitin pandemik 2020.
Edhe nëse llogarisim mesataren reale të pesë viteve të qeverisjes aktuale, duke përdorur metodologji rigoroze që filtron efektin e rikuperimit post-pandemik të vitit 2021, shifra zbret në rreth 4.15%, shumë larg asaj "rritjeje mesatare prej 6%" që është proklamuar me aq zell.
Në vitet 2016–2019, nën qeveritë e kaluara, Kosova kishte rritje prej 5.6%, 4.8%, 3.4% dhe 4.8%, me një mesatare rreth 4.65%. Në vitet 2022–2025, nën qeverinë Kurti, rritja ishte 4.3%, 4.1%, 4.6% dhe 3.6%, me një mesatare rreth 4.15%.
Parashikimi i FMN-së për rritjen reale ekonomike të vitit 2026 qëndron në 3.3%.
Boshllëku më i madh i postimit të Muratit mbetet inflacioni, i cili, megjithëse përfshihet në matjen e rritjes reale, vazhdon të gërryjë fuqinë blerëse në dritën.
Inflacioni u përshpejtua frikshëm, duke prekur nivelin 5.75 për qind në janar të vitit 2026 - norma më e lartë që nga viti 2023 – i ndikuar në masë të madhe nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore.
Konteksti rajonal e nxjerr Kosovën në një pozitë edhe më të pafavorshme: ndërsa Shqipëria ka inflacion rreth 3.0% dhe shumica e vendeve të rajonit qëndrojnë nën gjysmën e normës së regjistruar te ne, Kosova përballet me inflacionin më të lartë në rajon.
As institucionet ndërkombëtare nuk e ndajnë optimizmin e qeverisë sa i përket performancës ekonomike.
FMN-ja, në raportin e saj të marsit 2026, paralajmëron për deficit të llogarisë rrjedhëse në 9.2% të BPV-së, presione inflacioniste në rritje, zgjerim të deficitit fiskal dhe rreziqe të tjera, duke theksuar nevojën urgjente për ribalancim fiskal dhe reforma strukturore.
EBRD-ja projekton rritje vjetore 3.9% për vitin 2026 - larg 5.43% - duke nënvizuar si rrezik kryesor pasigurinë politike. Banka Botërore, ndërkohë, rikujton dobësi strukturore themelore: eksportet e Kosovës përbëjnë vetëm 8.3% të BPV-së, krahasuar me 36% të Serbisë dhe 41% të Maqedonisë së Veriut.