Banka Botërore paralajmëron rrezik për recesion për shkak të luftës në Ukrainë - NACIONALE

Banka Botërore paralajmëron rrezik për recesion për shkak të luftës në Ukrainë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Banka Botërore ka paralajmëruar se shtetet përreth botës janë duke u ballafaquar me recesion, kur lufta në Ukrainë i ka goditur ekonomitë tashmë të dëmtuara nga pandemia e koronavirusit.

Ky institucion tha se vendet më pak të zhvilluara në Evropë dhe në lindje të Azisë ballafaqohen me recesion të madh.

Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, tha se edhe rreziku i inflacionit të lartë e rritjes së ulët është më i madh.

“Lufta në Ukrainë, izolimet në Kinë, pengesat në zinxhirin furnizues dhe rreziku i inflacionit të lartë e rritjes së vogël po e godasin rritjen. Për shumë vende, do të jetë vështirë që të shmanget recesioni”, tha ai.

Të martën, Banka Botërore miratoi 1.49 miliard dollarë shtesë për Ukrainën. U tha se kjo shumë do të përdoret për dhënien e pagave për punëtorët qeveritarë dhe socialë.

Fondet e reja janë pjesë e pakos mbështetëse prej 4 miliardë dollarësh për Ukrainën, që do t’i mbulojë fushat si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe produktet sanitare.

Banka Botërore ka parashikuar se shtetet evropiane që kanë më së shumti gjasa për rënie të ndjeshme të prodhimit ekonomik këtë vit janë Ukraina dhe Rusia.

Megjithatë, ky institucion paralajmëroi se rënia ekonomike nga lufta dhe pandemia do të jetë më e gjerë.

Presidenti i Bankës Botërore tha se rritja globale në periudhën 2021 – 2024 pritet të ngadalësohet për 2.7 për qind, më shumë se dyfishi i ngadalësimit të rritjes ekonomike në periudhën 1976 – 1979, kur bota ishte ballafaquar për herë të parë me inflacion të lartë e rritje të vogël./Nacionale

Lajme të ngjashme