Inflacioni në Kosovë në qershor sipas Bankës Botërore 19,2%, 5% më i lartë se matjet e ASK-së
Jeta në Kosovë është shtrenjtuar, e çmimet janë rritur dukshëm. Sipas Agjencisë së Statistikave, inflacioni në Kosovë në muajt qershor e korrik ishte i lartë. 14,1% në qershor dhe 14,2% në korrik respektivisht. Por, gjendja është edhe më shqetësuese dhe numrat e inflacionit edhe me të lartë. Së paku, për Bankën Botërore.
Në raportin e fundit të këtij mekanizmi ndërkombëtar, gjendja me inflacion është edhe më keq se që është përshkruar nga Agjencia e Statistikave. Sipas Bankës Botërore, inflacioni është saktësisht 19,2% për muajin qershor. Pra, 5% më i lartë se në statistikat zyrtare të ASK-së.
Edhë më lart se ç’thuhet
Në raportin e fundit të Bankës Botërore, të titulluar “Shoku i çmimeve për ushqim dhe energji nga lufta ukrainase mund të zgjasin me vite”, tregon një gjendje pesimiste në rang botëror.
Inflacioni në rang global është rritur dukshëm në tremujorin e dytë të 2022, pasi filloi invazioni rus në Ukrainë. Një gjë e tillë ka shkaktuar probleme në zinxhirin e furnizimit dhe transportit, si dhe paqëndrueshmëri e rritje të çmimeve të energjisë, ushqimit, e mallrave.
Sipas analizës së Bankës Botërore, inflacioni i produkteve për muajin qershor ishte saktësisht 19,2%.

Në këtë raport të BB-së, Kosova është një nga vendet me inflacion më të lartë nga vendet që kanë të ardhura mesatare të larta.
Madje, Kosova qëndron më keq për nga inflacioni se Shqipëria (13,2%), por më mirë se Maqedonia e Veriut (21,5%) e Mali i Zi (23,1%), dhe gati njëjtë me Serbinë (19,3%).
Në këtë kontekst, përderisa rritja e eksporteve kosovare është rritur në nivele rekorde, deficiti i llogarisë rrjedhëse është përkeqësuar, si shkak i rritjes së improteve.
Por, ndryshe nga statistikat e Bankës Botërore, inflacioni në vend sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës është më i vogël për gati 5%.
Norma e inflacionit në Kosovë ka prekur 14.2-përqindëshin në muajin korrik të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.9% në muajin korrik 2022, krahasuar me muajin qershor 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pushime të organizuara (22.1%); shërbime për transport (9.4%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet, etj. (7.4%); qumësht, djathë dhe vezë (4.8%); bukë dhe drithëra (3.9%); pemë (3.6%); pije alkoolike (3.5%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (2.6%); shërbime hoteliere (2.0%); mish (1.7%); qelqurina, takëme dhe mjetet e kuzhinës (1.1%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.5 për qind në IHÇK”, thuhet në raportin e ASK-së për muajin korrik.
Për dallim nga qershori, norma e inflacionit në Kosovë është rritur mesatarisht për 0.9%. Sipas vlerësimeve, kjo ishte ndikuar nga tavanet e çmimit të naftës që kishte vendosur qeveria e Kosovës.
Kosovarët tani paguajnë më shumë për shumicën e mallrave të konsumit ditor, me koston e naftës për litër që u shtrenjtua më së shumti.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë një shkallë të inflacionit që vazhdon të rritet çdo muaj tash e rreth një vit.

Kujtojmë që të gjitha institucionet e rëndësishme globale financiare kanë ulur pritshmëritë për rritjen ekonomike të Kosovës në vitin 2022.
Sipas Bankës Botërore rritja ekonomike e Kosovës do të jetë 3,9%, ndërsa projeksionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë edhe më pesimiste. Sipas FMN-së, Kosova do të ketë rritje prej 2,9% gjatë vitit 2022.
Por, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka pritshmëri më të larta për Kosovën, duke projektuar rritje ekonomike prej 4,0% për shtetin kosovar gjatë 2022.
Sipas përditësimit të Bankës Botërore për sigurinë ushqimore “Food Security”, nga prilli deri në korrik 2022, inflacioni i lartë në produkte ushqimore vazhdon në pothuajse të gjitha vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Normat e inflacionit kanë tejkaluar 5% në 92.9% të vendeve me të ardhura të ulëta, 92.7% të vendeve me të ardhura të ulëta të mesme dhe 89% të vendeve me të ardhura të mesme të larta.


