Rritja e çmimeve - ç'thonë ekonomistët për masat e qeverisë? - NACIONALE

Rritja e çmimeve - ç'thonë ekonomistët për masat e qeverisë?

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Një sistem botëror ushqimor që është minuar nga COVID-19, ndryshimet klimatike dhe një krizë energjetike, tashmë po goditet edhe nga invazioni rus në Ukrainë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, pat lëshuar një paralajmërim të frikshëm më 18 maj se muajt e ardhshëm kërcënojnë "spektrin e mungesës globale të ushqimit" që mund të zgjasë me vite.

Norma e inflacionit në Kosovë thuajse ka prekur 14.2 përqindshin. Për dallim nga qershori, norma e inflacionit në Kosovë është rritur mesatarisht për 0.9%. Sipas vlerësimeve, kjo ishte ndikuar nga tavanet e çmimit të naftës që kishte vendosur qeveria e Kosovës.

Ndërhyrja

Pas ngritjes së çmimeve të derivateve, Qeveria mori vendim për vendosjen e çmimit tavan dhe marzhës maksimale të fitimit nga shitja e derivateve.

Qeveria e kishte cilësuar të suksesshëm vendosjen e çmimit tavan për naftën, ndërsa Kurti ka thënë se njëjtë do të veprohet edhe me çmimet e produkteve esenciale, pa shkelur ligjin dhe Kushtetutën

Ekonomisti, Edison Jakurti, në një reagim në Faceebok, ka vlerësuar politikën e ‘çmimeve tavan’.

Tutje, ish-zëvendësministri i Ekonomisë në Qeverinë Kurti I, shpalosi edhe arsyet pse inflacioni në qershor ishte për rreth 12.8% më i lartë se në maj, kurse në korrik për vetëm 0.7% më i lartë se muajin paraprak, pra qershor.

Inflacioni vjetor në maj ishte 12.5%, në qershor 14.1% e në korrik 14.2%. Pra, inflacioni në qershor ishte për rreth 12.8% më i lartë se në maj, ndërsa në korrik për vetëm rreth 0.7% më i lartë se në qershor. Pse? Çfarë ka ndryshuar? Sepse gjatë pjesës më të madhe të muajit korrik ka patur çmime tavan për derivatet. Nga të dhënat shihet qartë se kjo politikë ka ndikuar në “frenimin” e hovit të çmimeve të produkteve tjera gjithashtu. Pra, çmimet tavan.

Propozimi nën hije

Në anën tjetër, ish-kryeekonomisti i Bankës Qendrore, Arben Mustafa, i ka thënë Nacionales se nuk është mënyra më e mirë e veprimit të përpiqesh të luftosh inflacionin duke ulur marzhet e fitimit.

“Refuzimi për të përdorur instrumentet fiskale në dispozicion të Qeverisë, siç janë akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, ka krijuar kushtet që inflacioni të përshpejtojë ritmin e rritjes. Prandaj, është nevojë urgjente dhe e domosdoshme që Qeveria ta ushtrojë rolin që i takon, duke shfrytëzuar politikën fiskale për të ndikuar në frenimin e rritjes së çmimeve. Në të kundërtën, problemi i inflacionit mund të përshkallëzohet edhe më tutje si pasojë e zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare dhe pritjeve për rritje të çmimeve që kanë kapluar agjentët ekonomikë në vend. Tendenca për të adresuar problemin e inflacionit përmes kontrollit të marzhave të profitit është një politikë e gabuar.” – tha Mustafa.

Më tej, koordinatori i Departamentit për Financa në Qeverinë nën hije të PDK-së tha se është urgjente që Qeveria të veprojë aty ku i takon, përmes politikave fiskale.

“Qeveria e Kosovës nuk duhet të humbë kohë edhe më tutje duke improvizuar me masa, por kërkohet që urgjentisht ta ushtrojë rolin që i takon, duke shfrytëzuar politikën fiskale për të ndikuar në frenimin e rritjes së çmimeve. Më konkretisht, është nevojë urgjente dhe e domosdoshme që të bëhet:

- lirimi nga TVSH-ja e mallrave esenciale të konsumit për një periudhë të caktuar dhe të

- largimi i akcizës dhe zbritja e TVSH-së në produktet e naftës, po ashtu për një periudhë të caktuar kohore.” – u shpreh ai.

Ndërsa ekonomisti Nazmi Zeiqiri, ka thënë se debllokimi i qindra milionë eurove të investimeve kapitale do të kishte ndikim pozitiv si në punësim, ashtu edhe në të hyra tatimore.

“Qeveria ka shumë prioritete tjera që mund të bëj në këtë, debllokimi i qindra miliona eurove të investimeve kapitale do të kishte ndikim pozitiv si në punësim ashtu edhe në të hyra tatimore. Duhet të fillojë shpërndarja e subvencioneve dhe granteve në bujqësi sa më parë, sepse bujqit janë në pozitë të vështirë”, tha ai.

Kurse, për njohësin e mirë të çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj, naftëtarët kanë ditur të spekulojnë me çmime dhe t’i shfrytëzojnë momentet, por sipas vlerësimit të tij, qeveria, si shkak i sezonës verore, është dashur që të bëjë zbritje, në mënyrë që të lehtësohet jeta biznesore.

“Pa marrë parasysh që naftëtarët kanë ditur të spekulojnë me çmime dhe t’i shfrytëzojnë momentet, në këtë rast vlerësoj që qeveria është ajo që duhet të marrë hapa duke rishikuar TVSh-në dhe akcizën për derivate, së paku për sezonin e verës me qëllim që të lehtësohet jeta biznesore dhe ekonomia familjare, pra vetëm këso ndërhyrje lejohet në ekonominë e tregut nga ana e qeverise, përndryshe ndërhyrja në çmime dhe marzha të fitimit, kjo do të merr nuanca të një sistemi majtist që do të na kthente në nostalgjinë e zymtë të shekullit të kaluar", përfundoi Kadrijaj.

Në muajin korrik, për dallim nga qershori, buka dhe drithërat janë shtrenjtuar për 3.9%, mishi 1.7%, qumështi, djathi dhe vezët 4.8%, pemët 3.6%, pije alkoolike 3.5% kurse lëndët djegëse 7.4%.

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0,9% në muajin korrik 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin korrik 2022 me muajin korrik 2021 ishte 14,2%. Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: perimet (-3,5%),%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-7,7%) me një ndikim prej -0,6 për qind në IHÇK-it”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Lajme të ngjashme