Inflacioni e çmimet e larta përplasin analistët me deputetet e Vetëvendosjes - NACIONALE

Inflacioni e çmimet e larta përplasin analistët me deputetet e Vetëvendosjes

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Rritja e çmimeve vazhdon të jetë një nga temat kryesore në vend, kurse për Nacionalen mbetet prioritet në vete.

Sonte për këtë çështje diskutuan edhe dy deputetet e koalicionit qeverisës, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni dhe Jeta Statovci.

Të dyja, në Rubikon u mundan ta arsyetojnë “luftën” e Qeverisë karshi kësaj dukurie, megjithëse duhet pranuar faktin se deri më tani nuk ka pasur efekt, ose ka pasur, por që nuk është parë.

I ashpër ka qenë edhe ish-kreu i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Ilir Ibrahimi.

Ky i fundit kërkoi llogari nga përfaqësueset e popullit lidhur me atë se si do t’ia bëjnë me masën për një të punësuar për secilën familje, kur momentalisht në vendin tonë ekziston një krizë e jashtëzakonshme për punëtorë.

“Si do ta bëni këtë kur kemi krizë për kapital njerëzor? Madje, dje isha në një kompani private e cila kishte 20 punëtorë nga Pakistani”, tha ndër të tjerash Ibrahimi, po ashtu në Rubikon.

Edhe Arian Zeka, drejtori ekzekutiv i OEAK-ut tha se arsyetimi i qeverisë për moszvogëlim ose heqje totale të TVSh-së është i kotë.

Pra, të thuash që nga zvogëlimi i TVSh-së përfitojnë tregtarët, është e gabuar.

“Qytetarët nuk kanë faj pse shteti ka pak inspektorë. Zvogëloni TVSh-në ose të hiqet krejt për disa produkte dhe rritni kontrollat”, tha Zeka.

Inflacioni më i madh në 14 vitet e fundit

Një krizë e tillë së fundmi u vërtetua edhe nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Jeta në Kosovë është shtrenjtuar edhe gjatë muajit qershor. Kosovarët paguan më shtrenjtë për shumicën e produkteve bazë, me karburantet që shënojnë rritjen më të madhe të çmimit për litër.

Në raportin e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, inflacioni është jashtëzakonisht i madh. 14.1%, raporton ASK, është norma vjetore e inflacionit në qershor të këtij viti, në krahasim me atë të 2021-tës.

Një normë e tillë e inflacionit është e krahasueshme vetëm me vitin 2008, i cili vit shënon krizën e madhe financiare e ekonomike të krejt eurozonës. Në vitin 2008, gjatë periudhës që njihet si “Recensioni i madh”, norma e inflacionit ishte saktësisht 14.02%.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”, theksohet në raportin e ASK-së.

Por, gjatë muajit qershor, kosovarët u përballën edhe me shtrenjtimin e çmimeve.

Mburrja e Qeverisë

Tash e një kohë, Qeveria e Kosovës po mburret me rritjen e të hyrave tatimore. Zyrtarët qeveritarë pretendojnë se kjo po ndodh falë reformave që janë ndërmarrë prej ardhjes së tyre në pushtet.

Mirëpo, ndryshe mendojnë ekspertët e ekonomisë. Sipas tyre, të hyrat janë rritur për shkak të rritjes se çmimeve dhe jo si rezultat i punës së qeverisë.

Madje, sipas profesorit të tregjeve financiare, Florin Aliu, qeveria është përfituese nga këto çmime.

“Nga inflacioni që po kalon nivelin e 10-përqindëshit në Kosovë, ka vetëm një operator që po përfiton nga kjo situatë, dhe ajo është qeveria. Qeveria me të njëjtat taksa tani po mbledh më shumë para për buxhetin, pasi çmimet e rritura ofrojnë mbledhje më të lartë të taksave. Nga ana tjetër, pagat në sektorin privat dhe publik janë të njëjta, kështu që në këtë rast fuqia blerëse e tyre bie dhe në të njëjtën kohë standardi i tyre i jetesës po bie”, ka deklaruar Aliu për Nacionalen.

Lajme të ngjashme