Albini në botën e çudirave: Çka duhet të dimë për banalitetin e sotëm me qytetarët e varfëruar nga rritja e çmimeve? - NACIONALE

Albini në botën e çudirave: Çka duhet të dimë për banalitetin e sotëm me qytetarët e varfëruar nga rritja e çmimeve?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që të paktën të pranojë rritjen e çmimeve të produkteve bazë. Kjo e ka shtyrë kryeministrin e vendit që të ndërmarr një veprim, por i cili duket se nuk do të ketë kurrfarë rëndësie, e si i këtillë përbën një tjetër banalitet në luftën ndaj krizës ekonomike. Çka duhet të dinë qytetarët?

Në mbledhjen e 20 korrikut të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti vendosi që të ndërmerrte një hap drejt sfidimit të rritjes së çmimeve të produkteve bazë.

Por, fatkeqësisht hapi e ashtu edhe fjalët e tij ishin joserioze. Të merremi fillimisht me fjalët e tij.

Natyrisht, të këtij viti

“Për të adresuar gjendjen e krijuar në treg është e pashmangshme që projektligji për mbrojtjen e furnizimit me produktet themelore të hartohet sa më parë, konkretisht deri në fillim të muajit gusht, natyrisht të këtij viti,” – u shpreh kryeministri me tallje.

Kjo tallje mund të jetë bërë ndaj ministres Rozeta Hajdari, e cila po të mos specifikohej viti 2022, ndoshta do ta ofronte projektligjin në vitin 2023, apo larg qoftë 2024. Por, ishte edhe tallje me qytetarët e vendit që po varfërohen nga inflacioni.

Në anën tjetër, Kurti u paraqit edhe në një konferencë për medie pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë, duke u shprehur si vijon:

“Çmimet kur janë të papërballueshme për qytetarët, do të duhej të kenë edhe një përgjigje nga ana e institucioneve,

Përnjëmend? Ju kujtojmë se Kurti është kryeministër i Republikës së Kosovës, inflacioni për muajin qershor ishte 14.1 për qind bazuar në statistikat e Agjencisë së Statistikave (ASK), dhe institucionet e vendit që drejtohen prej tij nuk kanë marrë asnjë vendim.

Edhe më specifik ishte Kurti në fjalinë vijuese kur tregoi për kohën kur duhej të dorëzohej drafti i projektligjit.

“Besoj se rreth dy javë kohë janë të mjaftueshme që Ministria të ma sjellë mua drafin e projektligjit përkatës,” - u shpreh ai.

Pra, po bëhej fjalë saktësisht për fillimin e muajit gusht. Por, meqë një Projektligj i tillë tashmë u propozua, pse kjo nuk kishte ndodhur gjatë muajit maj, prill, mars, shkurt apo janar, kur Kosova po ashtu u përball me inflacion të lartë?

Në anën tjetër, paqartësia në fjalët e kryeministrit lë të nënkuptojmë se ai nuk ka lexuar krejtësisht vendimet që ka pasur përpara.

Aty shkruan madje edhe një afat preciz për ofrimin e këtij projektligji “10.08.2022”.

Nëntori i ftohtë

Vjeshta parashihet të jetë e ftohtë për vendin, e dimri krejt i acartë. Kjo për shkak të krizës energjetike, që kaploi Kosovën vitin e kaluar e pritet ta kaplojë sërish.

Por, duket se edhe projektligji aktual nuk do të hyjë në fuqi deri në nëntor, natyrisht të këtij viti.

Kjo, bazuar në atë që thotë ish kryeministri Avdullah Hoti në kritikën e tij ndaj vendimit qeveritar.

“E dyta, edhe pse kjo qasje bie në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut, procedurat e miratimit të këtij ligji marrin së paku tre muaj. Pra, po flasim për muajin nëntor kur ky ligj në rastin më të mirë mund të hyj në fuqi.” – u shpreh Hoti, që është ekonomist me profesion.

Nëse ish kryeministri ka të drejtë, kjo nënkupton se qytetarët nuk do të gëzojnë mbrojtjen e institucioneve për të cilat paguajnë deri në muajin nëntor. E ndërkohë, shkalla e inflacionit nuk pritet të shënojë ulje, edhe për shkak të faktorëve të jashtëm.

Një gjë e tillë përbën tallje të re me qytetarët e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Në tjetrën anë, afati i miratimit të një projektligji tjetër të propozuar sot, ai për “Inspektoratin për Mbikëqyrjen e Tregut” është vënë më datë 5 dhjetor 2022.

Edhe më tej nuk ka pasur qëndrime opozitare në lidhje me këto vendime të Qeverisë Kurti II.

Lajme të ngjashme