Brenda vitit buka u shtrenjtua për 32%, djathi e vezët 26%, fluturuan çmimet e druve dhe peletit
Inflacioni në Kosovë ka arritur në 14.2%. Për dallim nga muaji qershor, ka një rritje mesatare prej 0.9% të inflacionit në Kosovë. Kjo po vlerësohet se është ndikuar nga çmimet tavan që kishte vendosur Qeveria e Kosovës për naftën. Megjithatë, paralajmërimet janë se nëse rriten tarifat e energjisë, do të ketë shtrenjtim të produkteve sërish. Gazeta Nacionale sjell detaje.
Një rritje e çmimeve prej 0.9% është konstatuar në Kosovë ndërmjet muajve qershor dhe korrik 2022. Këtë e ka bërë publike Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin mujor të publikuar. Për dallim nga muaji maj, kur rritja e inflacionit shkonte në 12%, dallimi ndërmjet qershorit e korrikut është më i vogël.
Në muajin korrikpër dallim nga qershori, buka dhe drithërat janë shtrenjtuar për 3.9%, mishi 1.7%, qumështi, djathi dhe vezët 4.8%, pemët 3.6%, pije alkoolike 3.5% kurse lëndët djegëse 7.4%, raporton gazeta Nacionale.
“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0,9% në muajin korrik 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin korrik 2022 me muajin korrik 2021 ishte 14,2%. Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: perimet (-3,5%),%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-7,7%) me një ndikim prej -0,6 për qind në IHÇK-it”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Megjithatë, një rritje dukshëm më e madhe është nëse krahasohen çmimet në muajin korrik 2021, me korrikun e vitit 2022. Nëse krahasohen këto dy periudha mes vete, buka dhe drithërat janë shtrenjtuar për 32.1%, mishi për 21.8%, qumështi, djathi dhe vezët për 26.3%, vajrat dhe yndyrat ushqimore 54.1% kurse lëndët djegëse si druri e peleti janë shtrenjtuar për 43.5%.
Edison Jakurti që kishte qenë zv/ministë i Ekonomisë në qeverinë Kurti I, ka vlerësuar se dallimi ndërmjet qershorit dhe korrikut 2022, është përcaktimi i çmimeve tavan nga Qeveria e Kosovës.
“Inflacioni vjetor në maj ishte 12.5%, në qershor 14.1% e në korrik 14.2%. Pra, inflacioni në qershor ishte për rreth 12.8% më i lartë se në maj, ndërsa në korrik për vetëm rreth 0.7% më i lartë se në qershor. Pse? Çfarë ka ndryshuar? Sepse gjatë pjesës më të madhe të muajit korrik ka patur çmime tavan për derivatet. Nga të dhënat shihet qartë se kjo politikë ka ndikuar në “frenimin” e hovit të çmimeve të produkteve tjera gjithashtu. Pra, çmimet tavan”, ka shkruar Jakurti në facebook.
Qeveria kishte paralajmëruar se do të përcaktojë çmime tavan edhe për produktet e tjera.
Rritja e çmimeve për produktet esenciale
Çmimet e produkteve esenciale në Kosovë, janë rritur dukshëm krahasuar me vitin 2021. Këtë e konstatojnë edhe gjetjet e Agjencionit të Statistikave të Kosovës.
1 kilogram oriz në vitin 2021 kishte kushtuar 1.42 euro, kurse aktualisht kushton 1,48. Mielli nga 0.52 cent sa kishte kushtuar një kilogram në vitin 2021, ka arritur në 0.80 cent. Është rritur edhe çmimi i bukës. Nga 0.36 cent sa kushtonte, buka sot kushton rreth 0.50 cent.

Një rritje më e madhe e çmimeve është vërejtur te mishërat. Mishi i gjedhit nga 6.64 euro kilogrami, ka shkruar në 8.29 euro. Mishi i viçit nga 7.45 euro, ka shkuar në 9.19 euro. Mishi i pulës në 2.65 euro ka shkuar në 3.86 euro, raporton Nacionale.
Një litër qumësht në vitin 2021 kushtonte 0.91 cent, aktualisht çmimi është 1.12 euro. Jogurti nga 0.86 cent ka shkuar në 1,07 euro. 30 copa vezë kushtonin 2.15 euro, e tash kushtojnë 3.40 euro. Vaji nga 1.56 euro, në 2,76 euro.
Paralajmërimet e frikshme
Rritje të çmimeve mnd të ketë sërish. Kjo nëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë aprovon kërkesën për rritjen e tarifave të rrymës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka vlerësuar se nëse rritet çmimi i rrymës, atëherë do të ketë sërish rritje të çmimeve.
“Si frikë ose si shqetësim i bizneseve që kanë paraqitur, është edhe paralajmërimi për ngritjen e tarifave të rrymës, edhe pse ne si Odë Ekonomike, ende nuk kemi marrë ndonjë dokument… Sikurse që theksova për naftën që ka drejtpërdrejt efekt në procesin e prodhimit, po ashtu edhe te rryma ka afekt drejtpërdrejt në proces të prodhimit, për arsye se prodhimi është i ndërlidhur në procesin e energjisë elektrike, kështu që është e vërtet që në muajin shkurt nuk ka pasur ngritje të tarifave të energjisë elektrike për bizneset, për këtë arsye ne presim që ta kemi një dokument nga ZRRE-ja, se a janë të përfshira edhe bizneset apo i përfshinë vetëm qytetarët. Nëse shtrenjtohet rryma për bizneset padyshim që do të ketë efekt edhe në ngritjen e çmimit të produkteve, për arsye se rryma ka ndikim në proces të prodhimit”, theksoi Rafuna për Kosovapress.
E qasjen e qeverisë për energjinë e ka kritikuar ish-drejtoresha e KEK-ut, Pranvera Dobruna. Në një intervistë për gazetën Nacionale, ajo ka thënë se qeveria po përhap panik te qytetarët.

“Panik energjetik përcillet me paralajmërime për dimër të vështirë. Në mungesë të vizionit se si të menaxhohet rritja vjetore e konsumit dhe dyfishimi i konsumit gjatë dimrit, nuk prezantohet ndonjë plan si me e tejkalu dimrin”, ka thënë ajo.
Dobruna nuk beson se shpallja e gjendjes emergjente do të ndihmon diçka.
“Gjendja emergjente duhet të përcillet me politika afatshkurtra dhe afatmesme të cilat mungojnë. Thirrja për kursim, si kërkesë për kontribut vullnetar, është shumë e mangët, andaj edhe nuk pres të ketë ndonjë ndikim në uljen e konsumit. Nevojiten programe për kursim të energjisë, lehtësira dhe subvencione për gjetjen e alternativave për ngrohje”, ka thënë Dobruna.
KESCO ka kërkuar që çmimi i energjisë të shtrenjtohet për dyfish. Aktualisht, kërkesa është duke u trajtuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

