3 arsye pse çmimet e larta të naftës do të zgjasin - NACIONALE

3 arsye pse çmimet e larta të naftës do të zgjasin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Çmimet e naftës janë rritur sërish ashtu siç ndodhi në ditët e para të luftës në Ukrainë, dhe për momentin nuk ka shenja se do të ulen.

Sipas CNN, çmimi i naftës së papërpunuar Brent, pikë referimi global, në fillim të kësaj jave arriti në 124 dollarë për fuçi - niveli i tij më i lartë që nga fillimi i marsit. Rritja e çmimit erdhi pasi Bashkimi Evropian njoftoi se do të ndalonte 90% të importeve të naftës ruse deri në fund të këtij viti.

Që atëherë, çmimet kanë rënë në rreth 117 dollarë, kryesisht për shkak të pritshmërive që OPEC do të nxjerrë më shumë naftë, por megjithatë nuk do të nxjerrë aq sa për të lehtësuar vështirësitë për konsumatorët në pompë, ose për të zbutur inflacionin e shfrenuar global.

Embargoja e BE-së dhe rimëkëmbja e kërkesës në ekonominë e dytë më të madhe në botë do t'i mbajë çmimet në nivele të larta.

Matt Smith, analist kryesor i naftës për Amerikën në Kpler, një kompani analitike, tha për CNN Business se "çmimet treshifrore të naftës" ka të ngjarë se do të zgjasin akoma.

Evropa ndalon naftën e Rusisë

Ditën e premte, Bashkimi Evropian miratoi zyrtarisht embargon e naftës, pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve të vendosura ndaj Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë. Me anë të kësaj marrëveshje shumica e vendeve të BE-së kanë gjashtë muaj kohë për të hequr gradualisht importet e naftës së papërpunuar ruse dhe tetë muaj për të hequr të gjitha produktet e tjera të naftës.

Por, edhe sigurimi i naftës nga vende më të largëta do t'i mbajë çmimet e larta, kështu tha për CNN Business Roslan Khasawneh, analist i lartë i naftës në Vortexa, një firmë e të dhënave të energjisë.

"Një ndikim i drejtpërdrejtë i kësaj është kostoja më e lartë e mallrave për shkak të udhëtimeve më të gjata, dhe nga ana tjetër, kostot e dorëzuara të naftës," tha ai.

Qeveritë mund të bëjnë disa gjëra për të lehtësuar çmimet, duke përfshirë ofertën e subvencioneve të karburantit dhe kufizimin e çmimeve në pompë. Por plumbi i argjendtë që i duhet botës vërtet për të ulur çmimet, është vështirë të arrihet.

Alternativa të pamjaftueshme

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, vitin e kaluar Rusia përbënte 14% të furnizimit global të naftës, dhe sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë tashmë po krijojnë një hendek të madh në treg.

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e saj, një grup i njohur si OPEC +, ranë dakord të enjten të nxjerrin 648,000 fuçi shtesë naftë në ditë në tregun global në korrik dhe gusht - 200,000 më shumë se sa ishte planifikuar - në një marrëveshje që përfshinte edhe Rusinë.

Por, IEA parashikon që prodhimi global i naftës, duke përjashtuar Rusinë, duhet të rritet me më shumë se 3 milionë fuçi në ditë për pjesën tjetër të këtij viti, për të balancuar ndikimin e sanksioneve. Por, edhe Smith mendon se kjo mund të jetë e vështirë për t'u arritur. Madje edhe para luftës në Ukrainë, ai tha se, prodhuesit e naftës po mbyllnin investimet në prodhim, teksa po fokusoheshin drejt energjisë së rinovueshme, duke shtuar se edhe OPEC ka kufijtë e tij.

Kërkesa e madhe globale

Për muaj të tërë, bllokimet për shkak të koronavirusit në Shangai, Pekin dhe qytete të tjera të mëdha kineze kanë ulur kërkesën në vendin më të madh importues të naftës në botë.

Por ndërsa qeveria kineze fillon t'i heqë ato kufizime, kërkesa e ndrydhur mund të rrisë çmimet dhe Kina gjithashtu mund të rrisë më tej importet e naftës nga Rusia.

Vortexa vlerëson se vetëm në muajin maj, Kina ka importuar 1.1 milion fuçi naftë ruse në ditë, rreth 37% më shumë se mesatarja e vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme