Kremlini thotë se raketat amerikane dërguar Ukrainës s’do ta ndryshojnë rezultatin e luftës
Kremlini tha të enjten se dërgimi i raketave me rreze të gjatë të sistemit amerikan, ATACMS, në Ukrainë nuk do ta ndryshojë rezultatin e luftës, por do të krijojë më shumë probleme për vetë Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara jë javët e fundit dërguan në mënyrë të fshehtë raketa me rreze të gjatë në Ukrainë, shtet që deri më tani i ka përdorur këto armë dy herë, tha të mërkurën një zyrtar amerikan, raporton agjencia “Reuters”.
Raketat e këtij sistemi u përdorën për herë të parë më 17 prill kundër një fushe ajrore ruse në Krime, që ndodhet rreth 165 kilometra larg vijës së frontit, tha zyrtari amerikan.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gazetarëve iu tha: “ShBA-ja është drejtpërdrejt e përfshirë në këtë konflikt. Ata po e ndjekin rrugën e rritjes së gamës operuese të sistemeve të armëve që ata i ofrojnë.”
Ai shtoi: “Kjo nuk do ta ndryshojë në mënyrë rrënjësore rezultatin e operacionit special ushtarak. Ne do ta arrijmë qëllimin tonë, por kjo do të shkaktojë më shumë probleme për vetë Ukrainën.”
Dërgimi i sistemit ATACMS me rreze veprimi deri në 300 kilometra ka qenë temë debati brenda administratës së presidentit Biden me muaj. Sisteme ATACMS me rreze të mesme veprimi i ishin dhuruar Ukrainës në shtator të vitit të kaluar.