Çerdhet private rrisin çmimet, nënat brengosen se do të detyrohen ta lënë punën e tyre - NACIONALE

Çerdhet private rrisin çmimet, nënat brengosen se do të detyrohen ta lënë punën e tyre

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Inflacioni e rritja e çmimeve në Kosovë, tashmë kanë prekur sektorë të ndryshëm. Edhe ngritja e çmimeve për çerdhet ka filluar t’i preokupojë prindërit që kanë fëmijët në këtë nivel të arsimit parashkollor.

Prindërit thonë se rritja e çmimeve është e papërballueshme, ndërsa pronarët e çerdheve thonë se qenë të detyruar të ngrisin çmimet e vijueshmërisë.

Prindërit e shqetësuar

Tash e disa javë, prindërit po shqetësohen rreth inflacionit në pagesat që ata duhen të kryejnë në mënyrë që fëmijët e tyre të vijojnë çerdhet.

Madje nënat, kanë filluar të shqetësohen në lidhje me punësimin e tyre, pasi që për shkak të ngritjes së çmimeve ato mund të detyrohen të heqin dorë nga vendi i punës.

Kaltrina Avdullahu-Raçi, nga Prishtina, është një nga këto nëna, që rritja e çmimit të çerdhes nga 90 në 130 euro, i ka krijuar probleme në punësimin e saj.

Grupi

Ajo i tha Nacionales se gjendja e tillë e rrezikon edhe punësimin e saj, pasi që detyrimisht do të detyrohej ta linte punën dhe të përkujdesej për fëmijën e saj në shtëpi.

Rritja e çmimeve të çerdheve sigurt se do të më obligonte, ndoshta edhe me heqjen dorë nga profesioni, nëse nuk do t'i regjistroja fëmijët në çerdhe publike. Çerdhja publike po ma mundëson që të vazhdoj si një nënë në profesionin tim. Sepse nëse fëmijët e mi nuk do të pranoheshin në këtë çerdhe, me siguri që me të ardhurat që kemi, nuk do të mund të vazhdonim që fëmijët tanë të ishin pjesë e çerdheve, e që është më se e nevojshme për fëmijët, sepse socializohen dhe mësohen të shprehen e të bashkëpunojnë në grup”, thotë Kaltrina.

Hallin e njëjtë e ka edhe një nënë tjetër.

Fatush Sadriu thotë se kjo rritje e çmimit, është e papërballueshme për të si nënë e dy fëmijeve.

Ajo tregon se thuajse e gjithë rroga e saj në vlerë prej 300 eurosh shpenzohet në pagesën e dy fëmijëve të saj në çerdhen private, tarifat e së cilës tash janë në rritje.

Kjo rritje po është e vështirë për familjet, domethënë me një rrogë prej 300 eurosh thuajse krejt shkon në çerdhe, e mandej çka me ba? I kuptojmë çerdhet që është rritë çmimi i çdo produkti dhe janë detyru me rritë çmimin, ama dikush duhet me zgjidhë këtë problem”, thotë ajo.

Tarifat e reja për çerdhe

Gazeta Nacionale ka kontaktuar disa çerdhe private, për t’i pyetur rreth këtij shqetësimi që kanë prindërit.

Disa nga to treguan që kanë rritur çmimet vetëm për 10 euro, e disa të tjera për 40 apo 50.

E kemi rritë 10 euro, jo më shumë, edhe pse shpenzimet janë rritë shumë ma shumë, duke u nisë prej qerasë e shportës së ushqimeve. D.m.th. neve na u kanë dyfishu çmimet e çdo gjëje. Nuk mendoj që është një rritje shumë e madhe, përkundër rritjes drastike të çmimeve. Në raport me çerdhet e tjera nuk e kemi rritë shumë çmimin”, thotë drejtoresha e kopshtit Elida.

“Unë e kam shtrenjtu veç 10 euro, hiç ma shumë. Unë du me i rujtë klientat dhe u kam qëndru besnike deri tash. Arsyeja është shumë e qartë - po na imponohet nga rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe materies për ngrohje”, tha Gëzime Çollaku, drejtoreshë e Bardha Academy.

E një çerdhe tjetër, thotë se çmimi te ta ka ndryshuar për 40 euro.

“Po, kemi rritë çmimin për 40 euro, sepse jemi detyru.”

Kryetarja e Asociacionit të Institucioneve Parashkollore Private, thotë se çerdhet private që nga mbyllja e shpeshtë në pandemi nga qeveria, kanë pasur shumë probleme financiare në vazhdimësi pastaj.

Sipas kryetares Çollaku, qeveria as edhe një herë nuk i është lajmëruar ftesës së tyre për takim.

Që nga pandemia, çerdheve private iu ka përkeqësu gjendja financiare, sepse si u rritke numri i rasteve me COVID-19, i mbyllshin. E në atë kohë patëm kërku me u taku me qeverinë, nuk iu kanë përgjigjë ftesës tonë asnjëherë. E edhe tash ish dashtë me na ndihmu, por jo”, tha kryetarja e Asociacionit.

Lajme të ngjashme