Pushteti s’u jep pagat mësimdhënësve, Jasharaj: Kurti dëshiron probleme - NACIONALE

Pushteti s’u jep pagat mësimdhënësve, Jasharaj: Kurti dëshiron probleme

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Pas më shumë se një muaj grevë, këtë të hënë ka filluar procesi mësimor. Por, ani pse është dita e tretë e tetorit, mësimdhënësve ende nuk iu kanë dalë pagat e muajit shtator. Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj në një prononcim për gazetën Nacionalen, thotë se janë duke pritur deri në datën 5 tetor.

E me shumë gjasë paga zor se mund të ketë për mësimdhënësit, pasi që Mimoza Kusari-Lila, kryetare e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ripërsëriti qëndrimin se ligji ua lejon ndalimin e pagave për grevistët.

E në rast se nuk ndodhë një gjë e tillë, kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj thotë se do të merren veprime të tjera.

Madje, Jasharaj e vlerëson një gjë e tillë tingëllon si sulm ndaj tyre, pasi që shërbyesve civil, të cilët ishin në grevë bashkë me sistemin e arsimin, Ministria e Financave u ka ndarë mjetet financiare.

“Procesi mësimor ka filluar, por për momentin e keqja më e madhe është se qeveria nuk ka alokuar pagat për shtatorin për sistemin arsimor, përderisa ka alokuar pagat për shërbyesit civil, me të cilët ishim bashkë në grevë. Ne do të presim deri me 5 tetor, kur është edhe kufiri ligjor që duhet të bëhet bartja e pagave. Nësë kjo nuk bëhet, atëherë shihet qartë se është edhe një përpjekje e qeverisë për të krijuar situata të pakëndshme. Nësë ndodhë kjo ne e shohim si sulm ndaj nesh.Me këtë veprim joligjor qeveria sikur po thotë që paska pasur dëshirë që greva të vazhdojë”, tha Jasharaj për Nacionalen.

Ai ka një thirrje për presidenten, kryekuvendarin e avokatin e popullit.

“Shpresoj që presidentja, kryetari i kuvendit e avokati i popullit të reagojnë për këtë padrejtësi që po bëhet. Qeveria sikur po dëshiron që mos të ketë stabilitet në arsim”, shtoi tutje Jasharaj.

Për të ardhmen, Jasharaj thotë se Qeveria do të duhej të jetë bindur se anëtarësia është e pathyeshme. Andaj, çdo gjë, sipas tij, do duhej të zgjidhej me dialog.

“Uroj që qëveria të ketë marrë mësim nga greva, ani psë në fillim kanë menduar që do na thyejnë, por besoj që janë bindur se një gjë e tillë nuk ndodhë. Andaj duhet ta kenë parasyshë që dialogu është gjëja e duhur, asgjë tjetër”, deklaroi Jasharaj.

Greva një mujore

SBAShK-u të premten, vendosi të kërkonte pezullimin e grevës nga anëtarësia e saj pasi siç thanë “Qeveria nuk po reflektonte”.

Rezultatet e votimit të publikuara nga SBAShK-u treguan se 46 për qind e punëtorëve të sektorit arsimor nuk donin të nisnin mësimin.

Saktësisht 9707 mësimdhënës kishin votuar kundër kërkesës së sindikalistëve për pezullim të grevës.

Orët e mësimit, s'do të kompensohen

SBAShK-u e ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë kompensimin e orëve të humbura të mësimit. Një gjë e tillë ndodh për shkak se bie ndesh mbi parimet e saj themelore të organizimit sindikal.

Megjithatë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit tashmë ka njoftuar se do të rishkruaj kalendarin për vitin shkollor, duke planifikuar zëvendësimin e orëve të humbura.

Të hënën, MAShTI do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla.”, shkroi MASHTI të dielën.

Tutje, MASHTI u ka bërë thirrje drejtorive komunale të arsimit të sigorojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Ndryshe, Kusari-Lila sot në një deklarim ka theksuar përsëri se nuk do të ketë paga për mësimdhënësit grevistë.

Me ligj parashihet që punëtorët e sektorit publik, por edhe privat, parashihet që sipas rregullave të përcaktuara për grevën, nuk kompensohen për ditët të cilët nuk janë në vendin e punës.”, deklaroi Kusari-Lila.

Lajme të ngjashme