Nesër nis mësimi: Kërcënimi i Grevës së re prezent, 9707 mësues pa vullnet dhe MAShT-i kurrkund - NACIONALE

Nesër nis mësimi: Kërcënimi i Grevës së re prezent, 9707 mësues pa vullnet dhe MAShT-i kurrkund

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nesër fillon procesi mësimor për herë të parë në vitin shkollor 2022/23. Cilat janë gjërat që duhet t’i mësojmë mbi nisjen e mësimit?

SBAShK-u vendosi të kërkonte pezullimin e grevës nga anëtarësia e saj pasi siç thanë “Qeveria nuk po reflektonte”.

3 tetori do të jetë dita e parë e shkollës për mbi 300 mijë nxënës kosovarë. Por, si qëndrojnë punët?

9707 mësimdhënës të pavullnetshëm

Rezultatet e votimit të publikuara nga SBAShK-u treguan se 46 për qind e punëtorëve të sektorit arsimor nuk donin të nisnin mësimin.

Saktësisht 9707 mësimdhënës kishin votuar kundër kërkesës së sindikalistëve për pezullim të grevës.

Deri tash, nuk ka indikacione se ndonjë shkollë apo ndonjë mësidhënës do të grevojë në mënyrë individuale, por ajo që dihet është se vullneti i punëtorëve që po varfërohen nga inflacioni do të jetë më i vogël se asnjëherë më parë.

Nuk është ndërprerje, është pezullim

Një tjetër fakt shqetësues është keqinterpretimi që po i bëhet pezullimit të grevës nga ana e sindikalistëve.

Megjithëse Rrahman Jasharaj dhe të tjerët morën vendimin për hirë të nxënësve, sulmet ndaj tyre nga eksponentë të ndryshëm të pushtetit nuk po ndalen. Kjo mund të acarojë edhe më shumë situatën, dhe mund të çojë në barrikadime të tjera mes palëve.

Por, e rëndësishme është të kuptohet se SBAShK-u nuk e ka ndërprerë por e ka pezulluar grevën. Greva parashihet të rinis në muajin janar, nëse Qeveria e Kosovës nuk reflekton. Dhe, marrë parasysh sulmet e vazhdueshme që po i bëhen SBAShK-ut dhe mësimdhënësve, duket se shenjat janë që do të kemi rikthim të grevës pas tre muajsh.

Orët e mësimit, s'do të kompensohen

SBAShK-u e ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë kompensimin e orëve të humbura të mësimit. Një gjë e tillë ndodh për shkak se bie ndesh mbi parimet e saj themelore të organizimit sindikal.

Kjo e lë në pozitë edhe më të palakmueshme Ministrinë e Arsimit që deri tash nuk ka prezantuar asnjë plan për kompensimin e këtyre orëve mësimore.

MAShT-i kurrkund

Redaksisë së gazetës Nacionale i kanë ardhur shumë informacione përgjatë javëve të fundit për mungesë të teksteve shkollore.

Për disa klasë, edhe pse jemi në tetor, ende nuk është bërë shpërndarja e librave. Veçanërisht e theksuar kjo mungesë ishte për klasët e pesta.

Por, MAShTI pretendon se “janë bërë përgatitjet e duhura.

“MAShTI i kishte bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte me 1 shtator kur zyrtarisht duhej të fillonte mësimi, por që kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK”.

Ministrja Arbërie Nagavci, kishte pretenduar se ishin bërë përgatitjet e duhura edhe më 31 gusht por kjo s’kishte rezultuar të ishte e vërtetë.

Po ashtu, ka raportime edhe se tekstet shkollore në shkollat e mesme të larta të vendit po kushtojnë shumë më shtrenjtë se viteve të kaluara. Nacionale deri tash nuk ka mundur të verifikojë këto pretendime por do ta bëjë një gjë të tillë sa më parë që të jetë e mundur.

Nuk dihet nëse këto telashe do të zgjidhen shpejt nga Ministria e Arsimit, por megjithatë dihet se nxënësit kosovarë do të kthehen në bankat shkollore prej ditës së nesërme në një proces mësimor që nuk duket se do të jetë lehtë i rekupureshëm.

Lajme të ngjashme