"Pastrohen me shampon", Komuna e Bulliqit tregon qysh lahen kerret me tenderin që kushtoi 10 mijë euro - NACIONALE

"Pastrohen me shampon", Komuna e Bulliqit tregon qysh lahen kerret me tenderin që kushtoi 10 mijë euro

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Komuna e Podujevës e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje, me datën 13 të muajit prill, ka lidhur kontratë në vlerë gati 10 mijë euro për larjen e automjeteve të institucioneve komunale. Një shumë e tillë, që do t’i paguhet një operatori ekonomik, i cili do ta ofrojë këtë shërbim për një vit.

34 vetura, të cilat janë gjithsej të përfshira në këtë kontratë, nga të cilat 22 vetura komunale dhe 12 vetura të Qendrës së Mjekësisë Familjare.

Sipas zyrtarëve komunale, brenda muajit këto vetura ndonjëherë lahen edhe më shumë se dy herë.

Përgjigja e komunarëve

Komuna e Podujevës, në një përgjigje për gazetën Nacionale, thotë se puna në teren, e cila bëhet nga drejtoritë e ndryshme, kërkon që brenda muajit të bëhet shërbimi i pastrimit.

E për këtë, komuna ka zgjedhur operatorin “Arizona” SH.P.K., që do të pastrojë veturat e komunës, kontratë e cila kushton saktësisht 9 mijë e 982 euro e 80 centë.

“E dimë se natyra e punës së administratës komunale ka të bëjë edhe me teren ku duhet të përfshihet puna e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, puna e Drejtorisë së Urbanizmit, puna e Drejtorisë së Inspeksionit etj dhe në QKMF natyra e punës kryesisht është bartja e pacientëve nga shërbimi i emergjencës, bartja e pacientëve për hemodializë etj, mund të ketë raste që brenda muajit të kërkohet shërbim në autolarje për disa herë”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Komuna e udhëhequr nga Bulliqi i VV-së, është treguar shumë detajiste në përgjigjet e dhëna. Ata kanë ofruar një kalkulim krejtësisht matematikor, duke treguar se sa herë është larë një vetura brenda e jashtë, me apo pa shampon, çdo muaj.

Në muajin prill kur edhe është nënshkruar kontrata, kjo komunë ka bërë pastrimin e 25 veturave të komunës. 23 prej tyre, sipas përgjigjes, janë larë brenda dhe jashtë, ndërsa dy vetura jashtë me shampon.

Kurse të QKMF-së janë larë 9 vetura, brenda dhe jashtë.

“Në muajin prill për veturat e Administratës kemi pasur 25 larje të automjeteve ku prej tyre kanë qenë 23 brenda dhe jashtë dhe 2 jashtë me shampon

Prej tyre: tre vetura nga tre herë 3x3= 9

Gjashtë vetura nga dy herë 6x2= 12 dhe

Katër vetura nga një herë 4x1= 4

Kurse për QKMF në muajin prill janë pastruar 9 vetura larje brenda dhe jashtë

një veturë nga tre herë 1x3=3

një veturë nga dy herë 1x2=2 dhe

katër vetura nga një herë 4x1=4”, thuhet nga komuna.

Tutje kjo komunë, tregojnë me shumëzim edhe për muajt e tjerë, se sa larje janë bërë.

Në muajin maj, gjithsej janë bërë 43 larje të veturave, ndërsa në qërshor 30.

E për muajt e tjerë, komuna nuk ka dërguar llogaritje.

Nga këto llogaritje për 3 muaj, i bie se komuna ka bërë 107 larje të veturave.

Komuna e Podujevës, udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili në zgjedhjet e tetorit në garën e balotazhit, fitoi 51.84 për qind të votave.

Ndryshe, Bulliqi tash kryeson edhe degën e VV-së në këtë komunë, pasi mori votat e mjaftueshme në garën e brendshme partiake, e ku ishte i vetmi kandidat.

Lajme të ngjashme