SBAShK-u lëshon pe: Ta pezullojmë grevën deri në janar, mësimi të fillojë më 3 tetor - NACIONALE

SBAShK-u lëshon pe: Ta pezullojmë grevën deri në janar, mësimi të fillojë më 3 tetor

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Janë bërë 1 muaj e tri ditë, që kur ka filluar greva nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura. Që nga kjo ditë, Sindikata e Qeveria të cilat janë takuar veç dy herë, ende nuk kanë gjetur një kompromis, për të ndalë grevën.

Duke parë se Qeveria nuk po lëviz fare dhe është barrikaduar karshi kërkesave të SBAShK-ut, Sindikata ka marrë vendim që të kërkojnë nga çdo anëtar i saj përgjigje nësë ata janë për të vazhduar greva apo për ta pezulluar përkohësisht atë.

Nisur nga kjo, SBAShK-u ka kërkuar nga anëtarësia që të pezullohet greva deri në janar e të fillohet me mësim nga 3 tetori. Kështu tha për gazetën kryetari i Këshillit Grevist të SBAShK-ut, Reshit Kushaj.

Ai tha se anëtarësisë i kanë dhënë kohë dy ditë për t'u përgjigjur dhe për të vendosur për pezullim të grevës deri në janar dhe të fillojë mësimi nga 3 tetori.

“Ne jemi në grevë sikur dje, takimet i kemi ditore. Risi është se anëtarësia do të përgjigjet një për një çka më tutje, a do të vazhdojmë me grevën apo do ta pezullojmë përkohësisht atë. Nga anëtarësia do të presim sot dhe nesër përgjigje e pas kësaj do të dalim me qëndrim. Duke u nisur nga kjo këshilli grevist i SBASHK-ut po kërkon nga anëtarësia mendim për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022”, tha Kushaj për gazetën.

Deri te ky vendim për shqyrtim të ndaljes së grevës Sindikata ka ardhur pas ofendimeve, moslëvizjes së Qeverisë dhe përçarjes brenda anëtarësisë.

“Duke e parë që po marrim ofendime nga më të ndryshmet dhe se qeveria nuk po lëvizë, e padyshim që edhe kanë filluar të na përqajnë brenda për brenda, kemi vendosur që t’i mbledhim idetë nga anëtarësia për një pezullim të përkohshëm nese ata vendosin”, shtoi ai

Situata e grevës

Qeveria Kurti s’ka ofertë të re, e rrjedhimisht s’ka ftesa për dialog social. Në anën tjetër, SBAShK-u po e vazhdon grevën.

Kryeministri Kurti, ndërkaq, thuajse në secilën paraqitje të tij së fundi i ka sulmuar sindikalistët. Një goditje të re ai ua bëri këtyre të fundit të dielën, kur i pati zgjedhjet e brendshme të partisë.

Ai akuzoi se sindikalistët janë të lidhur me partitë opozitare, duke i cilësuar ata se janë sindikalistë të PAN-it që kanë sentiment anti-qeveritar.

Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Për përshtypjen time të fuqishme, në të gjitha takimet që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati antiqeveritar… prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve iu është ndalur sahati më 5 qershor 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. E tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë, duke e bërë grevën armë kundër qeverisë”, tha kryeministri Kurti.

Osmani për grevën: Presidentja merret me politikë të jashtme, por kur të kthehem në Kosovë, shohim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani iu ka bërë thirrje edhe një herë mësimdhënësve që t’i rikthehen procesit mësimor, duke thënë se “shkollat po mbahen peng”.

Megjithatë, thotë se ajo merret me politikë të jashtme, por do të shohë se çfarë mund të bëjë për ngërçin e krijuar në arsim.

Kujtojmë se disa shkolla në qytete e fshatra të ndryshme të vendit e kanë filluar mësimin duke mos e përfillur grevën.

Ndërsa Kryesia e Këshillit të Prindërve, përmes një letre, i ka paralajmëruar krerët e institucioneve - Osmanin, Konjufcën e Kurtin - se nëse situata me grevën nuk zgjidhet deri të shtunën e 1 tetorit, prindërit do të jetë të obliguar që indinjatën e tyre me këtë gjendje ta shprehin përmes protestës.

Lajme të ngjashme