VV s'i merr parasysh propozimet e LDK-së për zgjidhjen e grevës në arsim - NACIONALE

VV s'i merr parasysh propozimet e LDK-së për zgjidhjen e grevës në arsim

1 vit më parë

nga NACIONALE

Çështja e grevës në arsim edhe më tutje vazhdon të jetë kryetemë në vendin tonë.

Kur kanë kaluar tashmë më shumë se një muaj që nga fillimi i saj, palët e përfshira, qeveria dhe sindikatat nuk po arrijnë deri te marrëveshja.

Kritikat më të mëdha kanë shkuar në drejtim të ekzekutivit, që deri më tani ka ndarë 350 milionë euro në kuadër të masave lehtësuese ekonomike, kurse po refuzon t'i ndihmojë mësimdhënësit për një shumë shumë më të vogël, qoftë atë të llogaritur në mujore, qoftë në vjetore.

Madje, ishte marrë edhe vendimi që të largohen nga lista e pagave grevistët nga secila komunë.

Se qeveria nuk është e gatshme të gjejë një zgjidhje për këtë çështje, e konfirmoi edhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi.

Ajo në Tëvë1 tha se Kurti II nuk i ka marrë asnjëherë propozimet e LDK-së për t'i dhënë fund kësaj sage.

“Është me të vërtetë për keqardhje që fëmijët tash e një muaj më tepër nuk kanë të drejtën të fillojnë mësimin… Opozita normalisht ka mundësinë për të propozuar zgjidhje të problemeve të ndryshme, por ajo që kemi parë deri tash është që rrallëherë mos të themi asnjëherë këto propozime të Lidhjes demokratike të Kosovës janë marrë parasysh nga Qeveria, qoftë për çështjen e rritjes së inflacionit ose krizës me energjinë elektrike ose çështjen e grevave sepse nuk mund të bëjmë më tepër sesa të propozojmë zgjidhje të ndryshme… Është për fatkeqësi që në shkollat private po krijohet dhe një diferencim sepse në shkollat private fëmijët e kanë filluar mësimin, ndërkaq ata në shkollat publike nuk e kanë filluar ende”, tha fillimisht Mjekiqi.

Tutje ajo shtoi se si parti opozitare i kanë bërë ftesë qeverisë që të dialogojë me sindikalistët, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e pranueshme.

“I kemi bërë ftesë Qeverisë që të dialogojë me palët e interesit e në këtë rast me sindikalistët, me mësimdhënësit në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e cila është e pranueshme e cila ua mundëson nxënësve të Kosovës së kthehen nëpër shkolla sepse ne e dimë që cilësia e arsimit nuk është prej më të mirave në Kosovë dhe fatkeqësisht mosfillimi i mësimit me kohë konsideroj që mund të ketë një efekt negativ në afat të gjatë për mënyrën se si zhvillohet mësimi dhe sa mund të arrijnë nxënësit tonë si pasojë e mosfillimit të mësimit me kohë”, përfundoi ajo.

Mjekiqi nuk është e vetmja nga LDK-ja që ka hedhur kritika për Kurtin në raport me grevistët.

Kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, që sipas sondazheve të fundit po e kthen besimin e votuesve të Lidhjes, ditë më parë kishte kritikuar kryeministrin për zgjidhje të njëanshme, duke vlerësuar më pas se mosdialogimi thellon përçarjen që shkollat i mban të mbyllura.

"Qeveria ka për obligim që inflacionin prej 20% ta përkthejë në rritje të të hyrave për të gjithë. Për fillim, pushteti duhet të bisedojë me mësimdhënësit tanë pa arrogancë e pa hezitim", shkruante ndër të tjerash ai.

Në anën tjetër, pikërisht sot, gazetari Fidan RamaKanal10 foli rreth kësaj çështjeje, me ç'rast deklaroi se Kurti ka arritur ta thyejë sindikatën më të madhe në vend, atë të SBAShK-ut, pasi disa nga shkollat veçse kanë filluar të punojnë.

“Kurti e ka mbyllur debatin me SBAShK-un. SBAShK-u është thy. Vetëvendosje, kryeministri Kurti ka arritur ta thej organizatën më të madhe të sindikalizmit në Kosovë. Kur fillon rrezikimi i demokracisë, fillon prej sot e nesër, për çdo ditë ka shkolla që po e fillojnë mësimin”.

Lajme të ngjashme