Rrahman Jasharaj, gjysmë jete sindikalist - NACIONALE

Rrahman Jasharaj, gjysmë jete sindikalist

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Po ngutej për takim zyrtar në Ministrinë e Arsimit, por Rrahman Jasharaj u rrëzua dhe e theu krahun të cilin e mban të fashuar prej mesit të janarit. Si për ironi, për kreun e Sindikatës së Bashkuar të Arsmit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), e gjithë ngjarja edhe mund të tregojë raportet e tij me qeveritarët.

“Kurrë më pak s’kena pasë komunikim me një qeveri [se kjo e sotmja]”, - thotë Jasharaj.

Ka muaj që sindikata që udhëhiqet nga Jasharaj paralajmëron grevë të përgjithshme të mësimdhënësve në rast se nuk miratohet Ligji i Pagave – brenda ligjit potencialisht mund të rritet koeficienti i pagave të mësimdhënësve. Kah fundi i tetorit 2020, SBAShK-u doli me njoftim se më 4 dhjetor nis greva e pjeshme ku, pos mos-miratimit të ligjit në fjalë, përmendnin edhe se qeveritarët s’po i prisnin më as nëpër takime dhe kështu po pengonin.

“Deri tek tensionimi i situatës është mungesa e dialogut dhe mungesa e gatishmërisë së Qeverisë Kurti për t’u takuar me sindikatat dhe në veçanti me SBAShK-un,” - thoshte Jasharaj.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, përderisa komentonte në Facebook më 24 nëntor 2021 grevat e paralajmëruara nga disa sindikata, ndër tjerash, thoshte ‘‘Zaten, nuk ka mundur të ketë shtet të kapur, pa disa sindikata fort të kapura”.

Përderisa SBAShK-u sulmohej nga zyrtarë qeveritarë e përkrahës të qeverisë, sindikalistët ishin në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit dhe po negocionin me ta për një zgjidhje. Dy palët u dakorduan që më 30 nëntor të takoheshin edhe me Minstrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla – ministrisë së cilës i bie hise të përgatis draftin e Ligjit për Paga. Nga takimi, palët dolën të pajtimit që greva të mos mbahej dhe t’i jepej kohë qeverisë për draftimin e ligjit.

Photo 13

“Na tha Sveçla se na duhet kohë, se mundet prapë [Gjykata] Kushtetuesja me naj rrëzu, e tani humbin [kohë] edhe ma shumë”, – pretendon Jasharaj. Nisur nga kjo, sindikalistët kishin vendosur që deri në fund të shkurtit 2020 t’i jepnin kohë qeveritarëve dhe të shtyenin grevën e paralajmëruar.

Dy javë pas takimit dhe marrëveshjes, më 13 dhjetor 2021, kryeministri Albin Kurti nga foltorja e Kuvendit thoshte: “[...] si subjekt social-demokrat, është e vërtetë se kemi qenë gjithmonë afër sindikatave. Por të gjithë kryesindikalistët nuk janë të njëjtë. Në njërën anë kemi pasur kryesindikalistë që i kanë mbrojtur vendet e punës, të drejtat e punëtorëve dhe për atë gjë janë rrahur. Në anën tjetër, kemi sindikalistë që në fillim të qershorit 2017, midis fushatës zgjedhore, patën bërë memorandum bashkëpunimi me PAN-in.”

E këtu e kishte fjalën për Rrahman Jasharajn dhe memorandumin që SBAShK-u e kishte nënshkruar me PDK-në, AAK-në e NISMA-n.

“I kemi dërguar memorandumin të gjitha partive politike që garonin në ato zgjedhje, përfshi edhe Vetëvendosjes”, - kundërpërgjigjet sot Jasharaj për Nacionalen.

Ai thekson se edhe PAN-it nuk i kanë dërguar ftesën si koalicion, por secilës parti veç e veç, dhe ishin vetëm ato parti që pranuan të nënshkruanin memorandumin, përderisa Vetëvendosje kishte refuzuar..

“S’kemi bërë thirrje që të votohej PAN-i, memorandumi ka qenë për të gjitha partitë dhe secila që do ta bënte qeverinë pas zgjedhjeve, përmes nënshkrimit të tyre [në memorandum] ne do t'i kërkonin llogari [për plotësim të pikave të memorandumit], kështu ia kemi bërë edhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj”, - vazhdon Jasharaj, duke theksuar se kjo praktikë përdoret edhe nga sindikatat nëpër vende të ndryshme evropiane.

Përplasja mes kryesindikalistit Jasharaj dhe kryeminstrit Kurti kishte filluar me të nisur mandati i parë i Kurtit si kryeministër.

“Ia kam uruar pozitën [e kryeministrit, Kurit] ndërsa sendi i parë që më ka thënë është: unë e di me kon je ti”, - tregon Jasharaj se i kishte thënë kryeministri.

Takimi i tensionuar, i mbajtur gjatë mandatit të parë të Kurtit si kryeministër, ishte raportuar edhe atë kohë, dhe ku përmendeshin edhe përplasjet mes sindikalistëve të tjerë me kryeminstrin e ministrin e financave (Besnik Bislimi), sot zv. kryeminstër. Jasharaj tregon se takimi ishte kryer më herët se sa ishte planifikuar, dhe po ashtu rrëfeu se Kurti kishte fjalë të ashpra edhe kundrejt Ymer Ymerit, zëvendësit të tij në sindikatë.

“Derisa ta merrni vesh që Albin Kurti është kryeministër, s’do të takohemi më”, - rrëfen Jasharaj për takimin me Kurtin.

Jasharaj thotë se prej përplasjeve me Kurtin kanë filluar ta bullizojnë nëpër rrjetet sociale. Ai shprehet se është përqeshur fizikisht – “m’i kanë përmendë edhe dhëmbët. Kanë bë hajgare edhe qysh dokna”, - kujton ai. Por, ai thekson se kjo s’e ka zbrapsur, por se i ka shkaktuar probleme familjarëve të tij.

“Sa herë shkoja në shpi, fëmijët i lexonin ato [komente] dhe e shiihja se po i prekte shumë... sidomos vajzën.”

“Dikur ia nisën edhe fëmijët mos me dalë, se edhe shokët e tyre i komentonin komentet për mu”, - vazhdon kryesindikalisti.

***

Rrahman Jasharaj vendosi të kandidonte për kreun e SBAShK-ut në zgjedhjet e brendshme të 2014-ës dhe i fitoi ato. SBAShK-u vazhdoi këmbënguljen për rritjen e pagave të mësimdhënësve, edhe nën drejtimin e Jasharajt.

Qeverisë së Isa Mustafës (2014-2017) i kërkonin rritje të pagave dhe Projekligjit për statutin e mësimdhënsve shqiptarë të Republikës së Kosovës për vitin shkollor 1989/90 e deri ne vitin shkollor 1998/99. Ish-kryeministri Mustafa dhe kryesindikalisti Jasharaj përgëzonin mësimdhënësit në nëntor 2016.

“Është lajm i gëzuar se më në fund po bëhen veprime konkrete të Kryeministrit Mustafa dhe të Kabinetit Qeveritar lidhur me Ligjin për vitet e 90-ta”, - thoshte njoftimi i SBAShK-ut, përderisa qeveritarët e atëhershëm thonin se “Në takim u arrit pajtimi që shumë shpejtë MASHT-i së bashku me Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe SBASHK-un të takohen që të fillojnë adresimin e çështjeve që lidhen me punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta.”

Mirëpo, ligji në fjalë nuk ishte miratuar deri në vitin 2019 e po ashtu as pagat nuk ishin rritur përgjatë atij mandati qeveritar.

Me memorandumin e nënshkruar me PAN-in, Rrahman Jasharaj i kishte shkuar në zyre në vitin 2017 Ramush Haradinajt, tashmë si kryeministër, për ta zbatuar marrëveshjen mes tyre. Ndër pikat e marrëveshjes ishte edhe miratimi i ligjit për punëtorët e arsimit të viteve ‘90-ta – ligj i cili i miratua përgjatë mandatit qeverisës së Haradinajt.

“Në çdo takim [me Haradinajn] i thojsha që vet e ke nënshkru”, - kujton atë moment Jasharaj.

Mirëpo, kërcënimet se mësimdhënësit do të hynin në grevë, do të vazhdonin edhe karshi Haradinajt.

Greva e përgjithshme do të fillonte në janar 2019, pasi sindikata e arsimit nuk ishte e kënaqur me koeficientin e pagave në Ligjin për Paga të propozuar nga Qeveria Haradinaj. Ramush Haradinaj do të dorëzohej para presionit të sindikatave dhe do të rriste koeficientin, gjë që edhe i dha fund asaj greve.

Mirëpo, Gjykata Kushtetuese do ta rrëzonte ligjin në fjalë dhe ai do t'i mbetej për hise Qeverisë Kurti për ridraftim, gjë që ka çuar edhe në përplasjet e tanishme mes sindikatës dhe qeverisë.

***

Angazhimi sindikal i Rrahman Jasharajt ka nisur më shumë se 30 vjet më parë.

Suprimimi i autonomisë së Kosovës nga regjimi i Slobodan Milošević-it më 1989 kishte rritur edhe më shumë represionin dhe segregimin në Kosovë. Mes sektorëve shoqërorë që u sulmuan menjëherë ishte edhe sistemi i arsimit në Kosovë.

Duke refuzuar të punonin nën direktivat e regjimit represiv serb, krijimi i një sistemi të arsimit të pavarur ishte ndër hapat e parë që morën kosovarët. Largim nga objektet shkollore, ndalje e pagave, rrahje e nxënësve e mësimdhënësve – për t’u përshkallëzuar pastaj edhe në vrasje – si dhe sulmet me gaz ishin masat që ndërmerrte qeveria jugosllave e asaj kohe.

Photo 14

Shtatori i vitit 1991 kur nisën shtëpi-shkollat, e gjente Rrahman Jasharajn pjesë të degës së SBAShK-ut për rajonin e Pejës.

“Me t’u themelu SBAShK-u isha pjesë e sindikatës, jo që isha më i dituri, por shkolla ‘‘8 Marsi’’ në Pejë me bëri përfaqësues [të saj] pasi isha ndër më të rinjtë nga kolegët”, - kujton Jasharaj nisjen e angazhimit sindikal.

Sindikalistët ishin të përfshirë drejtpërdrejt në organizimin e sistemit paralel të arsimit të asaj kohe. Solidariteti mes shqiptarëve, dhuna policore dhe vështirësitë financiare të atij vakti janë ato që i kanë mbetur në mendje Jasharajt.

“Disa herë më kanë ndaluar policia, ndoshta afër dhjetë herë, nëpër biseda informative – na kanë maltretuar”, - thotë Jasharaj, por insiston të përmendë se ishte me fat, pasi mësimdhënës e sindikalistë të tjerë madje edhe janë vrarë pas torturave.

Dhuna policore detyroi sindikalistët që mbledhjet t’i mbanin në mënyrë sekrete. Pos kësaj, ata përballeshin edhe me vështirësi financiare.

“As ndihmë sociale s’ka qenë ajo”, - thotë Jasharaj.

“Mirëpo, nisëm solidarizimin mes njëri-tjetrit dhe kështu ndanim hallet financiare”, - vazhdon ai.

Më tej, ai kujton edhe kohën kur paguhej nga një biznesmen nga Peja, i cili kishte një çajtore, me shumën e rrogës simbolike, përgjatë disa muajve në mes të viteve ’90.

“Unë isha shumë i varfër dhe patën vendosur të më ndihmonin”, – rrëfen emocionalisht Jasharaj.

Pra, edhe para se të bëhej arsimtar, Rrahman Jasharaj jetonte në varfëri. Familja e tij kishte shitur çdo pasuri në vitet e 60-ta për t’u larguar drejt Turqisë. Mirëpo, atje e kishin të pamundur të qëndronin dhe u detyruan të ktheheshin pasi s’po i merrnin dot dokumentet nga shteti turk.

“Kemi qenë të varfër, dhe pasi përfundova shkollën normale më angazhuan në shkollën “8 marsi”, pasi donin të na ndihmonin financiarisht, pasi na shihnin gjendjen e varfërisë”, - shton Jasharaj.

Varfëria me të cilën është rritur, si dhe vështirësitë e mëdha financiare përgjatë viteve të 90-ta, e të përcjella edhe pas përfundimit të luftës, e kanë bërë Jasharajn ngulmues çdo herë e më shumë për rritjen e mirëqenies së mësimdhënësve.

“Na kanë mbajtë me ndihma sociale e jo me paga”, - thotë ai përderisa frikësohet që prej prillit mund të futen në grevë për shkak të vonesave të Qeverisë Kurti për miratimin e Ligjit për Paga.

Lajme të ngjashme