Reagojnë odat ekonomike pas mbylljes së “Vita”-s: E paprecedent dërgimi i gjithë këtyre inspektorëve ndaj një kompanie – rrezikon besimin e investitorëve
Qumështorja “Vita” në Istog është mbyllur të enjten përkohësisht, deri në një vendim tjetër, si pasojë e vendimit të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, i cili kishte dërguar mbi 20 inspektorë për të inspektuar këtë qumështore. Nga mënyra e inspektimit kanë reaguar edhe odat ekonomike, duke e cilësuar si të paprecedent.
Pas kryerjes së kontrolleve, qumështorja “Vita” është mbyllur përkohësisht.
Zyrtari i AVUK-ut që ishte i pranishëm aty tha se urdhri u dha nga ministri Armend Muja dhe se kontrolli po kryhet në bazë të kërkesës dhe vendimit të tij.
Ndërsa ka pasur reagime të shumta për mënyrën se si ka ndodhur ky kontroll, e sidomos nga odat ekonomike.
Odat e kanë cilësuar këtë inspektim si të paprecedent dhe kanë theksuar se ndërhyrjet e tilla mund të dëmtojnë besimin e investitorëve dhe të cenojnë rëndë prodhimin vendor.
Në deklaratat zyrtare, ato u bënë thirrje institucioneve përkatëse që të respektojnë procedurat ligjore, të ofrojnë transparencë të plotë dhe të trajtojnë bizneset në mënyrë të paanshme, duke qenë se kjo qumështore grumbullon mbi 20 milionë litra qumësht në vit nga rreth 1,000 fermerë.
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), në reagimin e saj kërkoi transparencë të plotë institucionale dhe trajtim të barabartë të operatorëve ekonomikë. Ajo theksoi se çdo ndërprerje e aktivitetit të kompanisë shkakton dëme zinxhir te fermerët dhe ekonomia e vendit.
Ndërsa Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) shprehu shqetësim të thellë, duke deklaruar se angazhimi i një numri të madh inspektorësh ndaj një kompanie të vetme përbën një veprim joproporcional që rrezikon besimin e investitorëve dhe shëndetin e tregut të lirë.
E drejtori i përgjithshëm i fabrikës “Vita”, Artan Spahija, tha para mediave se inspektimet u kryen nga inspektorët e AUV-së me vendim të vetë ministrit Muja. Ai tha se vendimi që i është dhënë nga një këshilltare e Mujës – e cila sipas tij as nuk u prezantua – është marrë vetëm për kompaninë e tij dhe vendimi është nënshkruar sot.
Ai e akuzoi ekzekutivin se po i trajton sikur të ishin “kriminelë”.