Pesë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë, ushtria thotë se arrestoi një militant të Hamasit
Një operacion i mbështetur nga Izraeli për të kapur një militant të Hamasit në qytetin Gaza u zbulua gjatë operacionit të martën, duke nxitur sulme ajrore për ta mbuluar tërheqjen e forcës, duke lënë të vrarë të paktën katër palestinezë, përfshirë dy fëmijë, thanë zyrtarët në enklavë.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se një militant i lartë i Hamasit ishte ndaluar, ndërsa zyrtari i Hamasit, Ismail Al-Thawabta, tha se një forcë speciale izraelite ishte munduar që të kryente një operacion në qytetin Gaza para se të zbulohej, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sipas Thawabta-s, drejtor i zyrës mediale qeveritare në Gazë, Izraeli kreu sulme të rënda ajrore, duke vrarë e plagosur disa njerëz.
Një zyrtar izraelit i sigurisë tha se burri i ndaluar është kreu i shërbimit për siguri të brendshme i Hamasit.
Mediat izraelite raportuan se operacioni mund të jetë kryer nga pjesëtarë të një grupi militant të mbështetur nga Izraeli që operon nga zonat e kontrolluara nga forcat izraelite brenda Gazës.
Dëshmitarët thanë se aeroplanët luftarakë izraelitë hodhën të paktën 12 raketa afër zonës Katiba në perëndim të qytetit Gaza, zonë e mbushur me familje të zhvendosura.
Të paktën katër njerëz – përfshirë dy fëmijë dhe një grua – u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga bombardimet, thanë mjekët. Dy automjete u goditën dhe u shkatërruan. Një fëmijë tjetër u vra nga zjarri izraelit në pjesën qendrore të Gazës, thanë mjekët.