Zelensky thotë se dronët ukrainas praktikisht e kanë mbyllur hapësirën ajrore ruse
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i paralajmëroi të martën kompanitë ajrore dhe kompanitë e sigurimeve se prania e dronëve ukrainas e ka bërë të rrezikshëm qiellin e Rusisë për t’u përdorur dhe praktikisht e ka mbyllur.
“Sot, ne duam që ta paralajmërojmë secilën kompani ajrore që e përdor hapësirën ajrore ruse, secilin sigurues, secilin që ende i përdor aeroportet kyçe ruse: qielli rus është duke u bërë tërësisht i rrezikshëm” – tha Zelensky në video-adresimin tradicional të mbrëmjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sipas tij, Ukraina nuk paraqet rrezik ndaj aviacionit civil, “por do të ketë dronë në qiellin e Rusisë dhe njoftimi në kohën e duhur duhet të merret”.
“Edhe pse autoritetet ruse nuk po e njoftojnë këtë në mënyrën e duhur, hapësira ajrore ruse praktikisht do të jetë duke u mbyllur. Lufta e nisur nga Rusia do ta mbyllë qiellin e saj” – shtoi presidenti ukrainas.
Rusia i ka shtuar sulmet ajrore ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase në javët e fundit, ndërsa sulmi më i ri i Moskës la 12 të vrarë dhe shumë të lënduar, në ditën e gjashtë rresht të sulmeve intensive ndaj kryeqytetit ukrainas.
Ukraina është kundërpërgjigju me sulme të shpeshta me dronë ndaj caqeve ruse, shumë prej tyre të lidhura me industrinë e naftës dhe shitjen me pakicë.