Liderët institucionalë urojnë SHBA-në për Ditën e Pavarësisë: Aleancë e përjetshme - NACIONALE

Liderët institucionalë urojnë SHBA-në për Ditën e Pavarësisë: Aleancë e përjetshme

1 orë më parë

nga NACIONALE

Liderët shqiptarë të institucionëve dhe subjekteve politike kanë uruar 250-vjetorin e ‘kombit më të madh dhe më të lirë në botë’, SHBA-së, duke theksuar se aleanca me këtë vend, sponsor i lirisë sonë, do të jetë e përhershme.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar me të mirën për kombin amerikan.

“Me dëshirat më të mira për të ardhmen e ndritshme të kombit amerikan, gëzuar 4 Korrikun, gëzuar përvjetorin e 250-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”, tha Kurti ndër të tjera.

Lideri i PDK-së, Bedri Hamza, ka theksuar se miqësia me ShBA-në është pjesë e identitetit tonë shtetëror, dhe aleanca me këtë komb është e përjetshme.

“Aleancë e përjetshme, miqësia me SHBA-në është pjesë e identitetit tonë shtetëror dhe dëshmi se vlerat e lirisë, demokracisë dhe partneritetit krijojnë lidhje të forta e bashkëpunim të qëndrueshëm. Mirënjohje e përhershme për aleatin tonë më të madh, simbolin e lirisë në mbarë botën. Gëzuar 4 Korrikun stafit diplomatik, popullit amerikan dhe institucioneve të SHBA-së”, ka deklaruar lideri i PDK-së, Bedri Hamza.

Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku tha se 4 Korriku i vitit 1776 shënon një nga momentet më madhore në historinë modern, lindjen e një shteti të ndërtuar mbi idealet e lirisë, demokracisë, dinjitetit njerëzor dhe sundimit të ligjit.

Kjo datë sipas Abdixhikut, nuk përfaqëson vetëm themelimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por siç tha, edhe lindjen e një vizioni që ka frymëzuar popuj të tërë në përpjekjet e tyre për liri, demokraci dhe paqe.

“Për Republikën e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë më tepër se një aleat strategjik. Ato janë miku ynë i palëkundur, partneri ynë më i rëndësishëm dhe mbështetësi vendimtar në rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit të demokracisë. Kontributi amerikan për Kosovën është historik, i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm. Ky është një borxh mirënjohjeje që brezat tanë do ta kujtojnë gjithmonë”, tha ai ndër të tjera.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e Ardian Gjinit, ka uruar SHBA-në për 250-vjetorin e Pavarësisë, duke e cilësuar si aleancë të përjetshme dhe e palëkundur e vendit tonë

AAK ka theksuar se SHBA-të janë vlera që kanë frymëzuar rrugëtimin e shtetndërtimit të Kosovës.

“Aleancë e përjetshme dhe e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Në këtë 250-vjetor historik të Ditës së Pavarësisë, urojmë popullin amerikan për këtë jubile madhështor të lirisë dhe demokracisë, vlera që frymëzuan edhe rrugëtimin tonë shtetndërtues. Zoti e bekoftë Amerikën dhe miqësinë tonë të pandashme!”, thuhet në urimin e AAK-së.

Lajme të ngjashme